“Nuk më zë gjumi natën” – Rritja e çmimeve shton stresin dhe ankthin
Autori: Gazeta inFokus 16:33 | 24 November 2023
Ulur në një rrugë në lagjen Dardania në Prishtinë, një 36-vjeçare priste që njerëzit që dilnin nga një market apo kalonin asaj rruge t’i lëshonin pranë saj disa nga centët e tyre.
E ardhur nga Shqipëria, kjo grua me përkatësi etnike rome thotë se tani jeton në një shtëpi të vjetër në qytetin e Ferizajt, ku banon me qira. Dhjetë vjetët e saj në Kosovë nuk kanë qenë të lehta.
“Shumë herë gjatë natës nuk më ka zënë gjumi, [duke menduar] se a do të mund ta sigurojë ushqimin të nesërmen për familje”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
E papunë, ajo çdo ditë udhëton nga Ferizaj në Prishtinë për të kërkuar lëmoshë nëpër lagje të ndryshme të kryeqytetit. 36-vjeçarja thotë se kështu fiton nga pesë deri në dhjetë euro në ditë, të cilat i përdor për blerje të ushqimeve për familjen e saj treanëtarëshe.
Por, paratë i duhet t’i kursejë edhe për pagesat mujore të qirasë dhe faturave të ndryshme. Kjo i është vështirësuar që kur çmimet e produkteve ushqimore janë ngritur.
“Çmimet për produktet ushqimore viteve të fundit janë rritur shumë, nuk di qysh po ia dal. Po, mërzitem, mërzitem shumë, çka të bëj…”, thotë ajo.
Kosova e kishte mbyllur vitin e kaluar me një normë mesatare inflacioni prej 11.6 për qind, ndërsa në muajin tetor, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit ishte 3.3 për qind.
Gjatë kësaj periudhe ka pasur ngritje të çmimeve duke filluar nga produktet ushqimore deri tek shërbimet.
Këto çmime të ngritura i kanë shkaktuar shqetësim dhe pagjumësi disa herë në jetë edhe Xhevahir Berbatovcit. Si punëtor në sektorin e ndërtimtarisë, ai që tre muaj paguhet nga 500 euro në muaj, ndërsa më parë merrte nga 450 euro.
Por, shkaku i këstit të kredisë prej 240 eurosh në muaj dhe çmimeve të ngritura, ai thotë se paga nuk i mjafton për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet familjare.
“Nuk e di a me thanë stres, por i shqetësuar tej mase, vështirë është bërë të jetohet më këto paga”, thotë Berbatovci, baba i tre fëmijëve.
Sfida të ngjashme përjetojnë edhe shumë qytetarë të tjerë të Kosovës, sipas të dhënave të publikuara në raportin “Shqyrtimi i Dinamikës së Varfërisë së Amvisërisë Përballë Inflacionit” më 2 nëntor nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Gati gjysma e të anketuarve kanë raportuar se kishin përjetuar stres, ankth ose shqetësim – që më vonë kishin shkaktuar çrregullime në aktivitetet normale ditore, të tilla si gjumi dhe produktiviteti në punë.
Këto probleme janë shfaqur pasi që të hyrat financiare kanë mbetur të pandryshuara gjatë periudhës 2021-2023, derisa shpenzimet për nevojat bazë janë rritur gjatë këtyre viteve.
Deri sa në vitin 2021, 38.8 për qind e ekonomive familjare kishin shpenzuar 200 ose më shumë euro për gjëra ushqimore, përqindja u rrit deri në 59.5 për qind më 2023.
Kjo situatë më së shumti ka ndikuar në jetën e qytetarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas.
Ata kanë thënë se për blerjen e më pak produkteve, kanë shpenzuar më shumë para.
Mbi 90 për qind janë shprehur të shqetësuar se çmimet do të vazhdojnë të rriten edhe në të në të ardhmen dhe kjo do të ndikojë edhe më tej në cilësinë e jetës së tyre.
Çka thonë sociologët dhe psikologët?
Florent Osmani, psikolog në Klinikën psikoterapeutike “Empatia”, pohon se ka rritje të numrit të personave që kërkojnë shërbime që nga fillimi i pandemisë COVID-19, periudhë që korrespondon edhe me rritjen e çmimeve.
Osmani është i angazhuar si psikolog edhe në platformën online “Hajde Folim” ku thotë se shumë qytetarë shprehin shqetësim për ndikimin e gjendjes ekonomike në shëndetin e tyre mendor.
Brengosja nga pamundësia për t’i mbuluar obligimet e nevojshme për jetë mund të ndikojë në shëndetin mendor sepse njerëzit ndihen të pafuqishëm për t’u përballur me situatën, shpjegon Aliriza Arënliu, profesor i psikologjisë në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
“Kjo më pas manifestohet me pagjumësi, probleme brenda për brenda familjes se si menaxhohet [buxheti familjar] dhe si nuk menaxhohet”, shprehet ai.
Se inflacioni krijon një pasiguri ekonomike për të ardhmen dhe zbeh motivimin për të menduar pozitivisht thotë edhe sociologia Linda Gusia, ligjëruese në Universitetin e Prishtinës.
“Krijohet një ndjenjë se gjërat janë duke ndryshuar për të keq, kjo e rritë nivelin e stresit. Nga kjo ndjenjë, njerëzit fillojnë të kursejnë. Zgjedhin produktet ushqimore më të lira, fillojnë të ushqehen më produkte që të ngopin më shumë dhe janë jo cilësore apo kalorike, duke neglizhuar shëndetin”, thekson Gusia.
Si të menaxhohet stresi dhe ankthi?
Ndryshimet ekonomike dhe politike i bënë njerëzit të pafuqishëm, pasi që janë ndryshime që janë jashtë kontrollit të tyre, thotë Arnliu. Ai shton se, për të siguruar të ardhura të mjaftueshme, njerëzit detyrohen të punojnë më shumë, që rrjedhimisht u lë më pak kohë për vete.
“Ushqimi i shëndetshëm ndihmon në përballim më të lehtë të kësaj situate”, thotë Arenliu.
Psikologu Osmani konsideron se aktivitetet fizike, që s’kërkojnë shpenzime financiare, mund të ndikojnë në uljen e stresit dhe ankthit.
“Nëse personi është duke u ndjerë keq, duhet të fillojë aktivitete që largojnë mendimet negative. Por, gjithsesi duke marrë parasysh situatën në të cilën gjendet [ai person], që [duhet] të kursejë… Ai mund të merret me aktivitete që nuk kushtojnë shumë. Ecjet në natyrë dhe aktivitetet sportive nuk kanë ndonjë kosto, por largojnë stresin, ankthin dhe janë dobiprurëse në psikologjinë njerëzore”, thotë Osmani.
Raporti i UNDP-së tregon se kosovarët, vetëm për t’i ulur shpenzimet, kanë bërë sakrifica personale që kanë ndikuar në mirëqenien e tyre. Ndër këto sakrifica përmenden: kujdesi për vete, aktivitetet sociale me miqtë ose familjarë, pushimet, ushtrimet ose aktivitetet fizike, e të tjera./REL/
Të tjera
-
Momenti kur Jeta Rafuna shpërthén në lot në studio, pasi i ndodh e papritura
Në sezonën e dytë të emisionit të shumëpritur “Zgjohu” e ftuara e parë ishte ...
-
46 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë
Në 24 orët e fundit në Kosovë u regjistruan 46 aksidente trafiku. Sipas të...
-
Katër persona u lënduan në aksidentin e djeshëm në Prishtinë
Katër persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ndodhi dje rreth orës...
-
AAK-Nisma sot mbajnë tubim zgjedhor në Malishevë
Koalicioni AAK-Nisma sot do të mbajë tubimin zgjedhor në Malishevë nga or...
-
Thẹren me thikë dy vëllezër në Drenas, tre të arrestuar
Një rast i vrasjes në tentativë ka ndodhur pasditen e së shtunës në Drenas. ...
-
Vidhet kasaforta me para në një banesë në Mitrovicë
Një kasafortë me para është vjedhur në një banesë në Mitrovicë. Sipas rapo...
-
Gjilan: Kaloi ilegalisht kufirin, i dyshuari shoqërohet në stacionin policor
Një burrë është shoqëruar në stacionin policor në Gjilan, pasi dyshohet se me...
-
Parashikimi i motit për të dielën
Për të dielën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ...
-
Jeta Rafuna: Dobraja e madhe, me zemer të madhe, si çdo herë edhe sonte i tha PO, LDK-së
Kandidatja për deputete me numrin 45 nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Jeta R...
-
Thẹrja në Ferizaj, arrestohen dy të rinj
Dy të rinj të moshës 21-vjeçare janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Feriz...
-
Prishtina, e 25-ta në botë për ndotje të ajrit
Këtë të shtunë, Prishtina po renditet e 25-ta në botë për ndotje të ajrit. ...
-
Xhafer Gashi pas tubimit në Dobrajë: Ky takim dëshmoi edhe një herë besimin e palëkundur për ndryshimin e drejtë
Kandidati për deputet me numrin 11 nga Lidhja Demokratike e Kosovës Xhafer Ga...