Lajme

Njoftojnë nga IHMK-ja: Deri më 27 korrik pritet të jenë temperatura të larta

Autori: Gazeta inFokus 09:25 | 17 July 2023

Temperatura të larta kanë përfshirë vendin tonë, ku temperaturat maksimale në disa qytete kanë arritur deri në 36 gradë Celsius.

Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), tha se sipas parashikimeve që kanë bërë mot i ngjashëm do të jetë deri më 27 korrik.

“Sipas parashikimeve që kemi bërë deri më datë 27 korrik do të jetë mot i ngjashëm, pastaj bëjmë parashikimet e reja për ditët në vazhdim”, tha ai për Telegrafin.

-Advertisement-

Për shkak të rritjes së temperaturave të larta, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka dhënë dhjetë rekomandime qytetarëve se si të mbrohen nga vapa.

Masat e rekomanduara mbrojtëse për shëndetin e personave të moshuar gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30°C, posaçërisht për të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike janë:

1. Personat e moshuar asesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00 , sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet;

2. Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelta;

3. Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose qaji; poashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale;

4. Përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, tek të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial;

5. Paraqitja e kokëdhembjes, mundimit, marramendjes dhe dehidrimit, tharjes së gojës dhe lëkurës, janë shenja alarmante për të moshuarin, sidomos kur është i sëmurë dhe ka paaftësi funksionale; atëherë doemos i sëmuri geriatrik duhet të lajmërohet tek mjeku i tij familjar ose në qendrën më të afërt emergjente;

6. Anëtarët e familjes, miqtë, fqinjtë dhe anëtarët e OJQ-ve të cilët kujdesen për të moshuarit gjatë muajve të nxehtë të verës duhet doemos më shpesh të kontaktojnë me të moshuarit, e në raste të paaftësive funksionale edhe disa herë gjatë ditës;

7. Në rast se del jashtë shtëpisë/banesës ku jeton, i moshuari duhet detyrimisht të bartë me vete të dhënat elementare, emrin dhe mbiemrin, vitin e lindjes, adresën e banimit, numrin e telefonit të personit kontaktues, i cili mund të kontaktohet lidhur me këtë person të moshuar;

8. Më e rëndësishmja është mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të ambientit të të moshuarit, si dhe mbikëqyrja e përdorimit të barnave në mënyrë të rregullt;

9. Është i domosdoshëm aktiviteti fizik dhe psikik i të moshuarit, sidomos ecja e vazhdueshme në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje, qëndrimi sa më i gjatë në natyrë (park, shëtitore etj).

10. Nëse i moshuari ka vështirësi për të lëvizur për shkak të pamjaftueshmërive funksionale, atëherë duhet bërë ajrosjen shumëorëshe të hapësirave ku qëndron i moshuari.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera