Lajme

​Një vit e gjysmë në pushtet, Qeveria Kurti quhet “më e dobëta” që Kosova pati ndonjëherë

Autori: Gazeta inFokus 09:18 | 21 September 2022

Të enjten bëhen 1 vit e gjashtë muaj prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pushtetin.

Qeverisja e tij po kritikohet nga opozita, të cilët e quajnë të përgjegjshme, joefikase, madje edhe më të dobëtën që Kosova ka pasur ndonjëherë. Ndërkohë, në shoqërinë civile, thonë se ekzekutivi deri tani dështoi t’i realizojë premtimet e veta.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri thotë se Qeveria e Kosovës ka dështuar në qeverisje, sidomos në menaxhimin e krizës ekonomike dhe energjetike.

-Advertisement-

“Asnjë nga iniciativat e tij që i ka paraparë në planin dhe programin e tij politik si Qeveri e Kosovës, ende s’ka filluar me i realizu. S’ka fillu me realizu çështjen e bankës zhvillimore, fondit sovran apo të iniciativave të tjera që i ka prezantu që lidhen në aspektin ekonomik. Në anën tjetër ka pasur një vazhdimësi të procedimit të ligjeve të cilat kanë qenë të gatshme nga qeveritë e mëhershme. Nuk shoh asnjë iniciativë të vetme të kësaj qeverie jo të përfundojë, por që ka nis të paktën në këtë periudhë 1 vit e gjysmë sa po qeverisë. Në anën tjetër, ju e shihni se në vitin e dytë qeverisës e ka buxhetin që ka miratuar vet dhe investimet kapitale s’kanë arritur të shkojnë as në 20 për qind të zbatimit të tyre. Papërgjegjshmërinë dhe joefikasitetin e madh të kësaj qeverie e shihni në implementimin e vet projekteve dhe prioriteteve të saj. Kjo nuk është e zonja me implementu as projektet të cilat i ka përcaktuar vet dhe buxhet për të cilat ka… Në sektorin energjetik kemi pësuar dëme të mëdha, paaftësia e njerëzve në kuadër të qeverisë, qoftë ata që janë deleguar në KEK, apo në MZHE që e mbulojnë sektorin e energjisë në vendin tonë është një paaftësi e madhe e tyre e cila po i kushton Kosovës, qoftë në importimin e energjisë apo efikasitetin në prodhimin e energjisë. Në fund të ditës është qytetari që po pëson shumë, qoftë me reduktime apo ngritjen e energjisë elektrike”, thotë ai.

Më i ashpër në kritika është deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili thotë se Qeveria Kurti është më e dobëta që Kosova ka pasur ndonjëherë dhe se është zhgënjimi më i madh që ka ndodhur në vend.

“Absolutisht asnjë premtim nuk është realizuar. Është zhgënjimi më i madh që ka ndodhur në Kosovë ndonjëherë. Është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova ndonjëherë. Është qeveria që asnjëherë nuk i ka dalë zot premtimeve dhe deklarimeve të veta. Kjo ka qenë plotësisht e pritshme për mua, por persona të caktuar, qytetarë dhe politikanë të caktuar kanë pasur pritje. Unë nuk kam pasur, kam bërë të qartë që nga fillimi se do jetë një zhgënjim i madh me këtë qasje të qeverisjes, njerëz të papërvojë në qeverisje, njerëz që kanë ardhur në qeverisje duke përdorur çdo kauzë për të kërkuar mbështetje qytetare, në mënyrë jofisnike, duke bërë garë për jetë a vdekje ndaj kundërshtarëve politikë. Tash janë në qeverisje, por nuk kanë asgjë për ofruar. Unë shpresoj se kjo qeverisje nuk vazhdon gjatë dhe njerëzit duhet të përballen me të vërtetat dhe të marrin vendimet e duhura”, thekson Hoti.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, thotë se Qeveria Kurti s’ka një realizim të punëve në nivel të shpejtë, përkundër premtimeve të mëdha.

Si progres ajo e përmend sektorin e drejtësisë, në miratimin e projektligjeve të ndryshme, mirëpo thotë se në shëndetësi dhe politikë të jashtme ka pasur ngecje.

“Premtime kemi pasur shumë më shumë se çka kemi pa realizim të atyre premtimeve, pavarësisht se disa kanë filluar. Ne kemi parasysh se asnjë qeveri s’ka shkop magjik që të bëjë mrekulli në një kohë të shkurtër, por disa gjëra kanë filluar. Por nuk mund të themi se kemi pa një realizim të punëve në një nivel shumë më të shpejtë, përkundër faktit se kemi pasur premtime shumë të mëdha… Kemi nisma legjislative shumë, kemi shumë ligje që po pësojnë ndryshime, disa janë duke bërë prej fillimit. Kjo është një prej punëve që është bërë dhe është me e theksuara aktualisht. Mirëpo, mos të harrojmë se kemi një Ministri të Shëndetësisë, ku nuk po shihet puna askund. Andaj ne me padurim po presim që vet ministrat t’i thonë këto katër-pesë sukseset e tyre gjatë kësaj periudhe sepse vërtet janë shumë të pakta. Ne kemi pa ministri që në planin e punës shkruan me qindra aktivitete, por realizimi i tyre në realitet është i vogël. Prandaj duhet planifikuar aq sa kanë mundësi dhe kapacitete për të realizuar dhe jo vetëm për të vendosur në plan të punës fontanë dëshirash që janë vështirë të realizueshme… Edhe sa i përket politikës së jashtme nëse e shohim tek njohjet këtë rast nuk ka ndonjë njohje të re”, thotë ajo.

Përgjatë dy ditëve, KosovaPress ka pritur një përgjigje nga Zyra e Kryeministrit për të arriturat që ata i vlerësojnë se kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe qeverisjeje, mirëpo të njëjtit nuk ishin të qasshëm.

Javën e kaluar, kryeministri Kurti kërkoi nga ministrat e tij që të paraqesin katër-pesë të arriturat e tyre gjatë 1 viti e gjysmë sa janë në pushtet. Qeveria Kurti është votuar në Kuvendin e Kosovës më 22 mars 2021.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera