Lajme

Një mijë serb nga Kosova shkuan ta presin Putinin në Beograd

Autori: Gazeta inFokus 21:35 | 17 January 2019

Rreth 1 mijë e 100 serbë nga Kosova me 29 autobusë të organizuar nga Lista Serbe kanë shkuar në Beograd për t’i dhënë mbështetje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe për ta pritur Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, transmeton Gazeta inFokus.

Presidenti rus gjatë ditës së sotme ka shkuar në një vizitë zyrtare në Serbi. Putin u mirëprit nga presidenti serb si dhe u përshëndetë nga shumë qytetarë serbë të cilët ishin mbledhur. Në mesin e tyre kishte pasur edhe serbë nga Kosova.

Pas një ekskursioni të vogël nëpër Beograd, Putini ka paraqitur qëndrimin e Moskës lidhur me Kosovën. Një pjesë e madhe e takimit mes dy presidentëve i referohej dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe mundësisë së këmbimit të territoreve, gjë të cilën Rusia e përkrah.

-Advertisement-

Megjithatë zyrtarët serbë kanë thënë se Putini nuk po e sjell zgjidhjen, por është i interesuar të dijë cila është ajo sipas serbëve.

Vuçiqi, gjatë vizitës së Putinit e ka falënderuar atë për përkrahje në ruajtjen e integritetit të Serbisë.

“E kam informuar presidentin Putin për gjithçka çka po ndodh me Kosovën, përfshirë taksën e padrejtë ndaj produkteve serbe. E kam informuar edhe për formimin e Ushtrisë së Kosovës në kundërshtim me rezolutën 1244. Ai po na përkrah në këtë. Unë i kam thënë se Serbia ishte e gatshme për dialog e kompromise, por nuk do të pranojmë përulje”, ka thënë Vuçiqi.

Ndërkaq, presidenti rus konkludoi se Rusia është e interesuar që stabiliteti në Ballkan të ruhet.

“Sa i përket Kosovës, qëndrimi rus dihet. Ne duam që të arrini marrëveshje të pranueshme për ju me Kosovën, bazuar në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Fatkeqësisht, kohëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë ndërmarrë veprime provokuese gjë që tensionoi situatën në rajon. Për këtë e kam fjalën, për formimin e Ushtrisë së Kosovës, e që është shkelje e rezolutës në fjalë e cila nuk e lejon këtë. Rusia e ndan shqetësimin me Serbinë për këto veprime të papërgjegjshme sepse këto veprime mund të sjellin destabilizim”, ka thënë Putin gjatë deklarimit para medieve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera