Një emër tjetër për Asociacionin?
Autori: Gazeta inFokus 17:31 | 22 February 2023
Kushti i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos jetë njëetnik dhe ta ndryshojë emrin, në mënyrë që të merret në konsideratë formimi eventual i tij, paraqet ide për ndryshimin e Marrëveshjes së Brukselit, vlerësojnë njohësit e proceseve politike, Agon Maliqi dhe Miodrag Milliqeviq.
Me këtë marrëveshje – që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – është paraparë edhe formimi i Asociacionit, por nuk është zbatuar kurrë.
Kosova refuzon ta themelojë atë, duke thënë se “asociacioni njëetnik” është në kundërshtim me Kushtetutën e saj dhe mund të çojë në ndarjen e vendit.
Me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, Kurti, në fillim të shkurtit, ka dalë me gjashtë kushte për formimin e Asociacionit – mes tjerash: të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.
Analistët nuk e përjashtojnë mundësinë që kërkesa e Kurtit për ndryshimin e emrit të shtrohet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, më 27 shkurt, për kur edhe është planifikuar një takim i Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti, megjithatë, ka thënë se diskutimet atë ditë pritet të bëhen rreth propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Zyrës së Kurtit për më shumë sqarime rreth kërkesës për ndryshimin e emrit të Asociacionit, por nuk mori përgjigje.
Përfaqësuesit e partive politike opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, thonë se nuk kanë marrë asnjë sqarim nga Kurti për këtë ide.
“Ide joprecize”
Njohësi i proceseve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se partnerët ndërkombëtarë, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë ofruar Kosovës mundësi që t’i japë formë Asociacionit ashtu siç dëshiron, në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Megjithatë, thotë ai, mbetet të shihet nëse kushtet e Kurtit do të shndërrohen në dokument konkret në bisedimet në Bruksel, apo do të mbeten në formën e “parimeve abstrakte”.
“Kryeministri Kurti akoma është në nivelin e parimeve, ndërkohë që ndërmjetësuesit [ndërkombëtarë] presin dokument që është në formën e statutit [për Asociacionin], ku gjithsesi mund të përfshihen edhe kushtet që i ka parashtruar. Thjesht, kërkohet të shihet një lloj gatishmërie nga Kosova, që të paktën ta fillojë procesin e diskutimit për statutin. Unë nuk mendoj që do të mirëpritet diskutimi thjesht në nivel parimor… Mendoj se pritet një dokument konkret. Në këtë kuptim, mendoj se, ndoshta, nuk do të ketë shumë mirëkuptim për kërkesën [e Kurtit për emrin], sepse nuk është precize dhe nuk është konkrete… në kuptimin që nuk zbret nga parimet në një dokument konkret”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.
Milliqeviq: Asociacioni njëetnik, i pamundur
Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare, Aktiv, nga Mitrovica e Veriut, thotë se Kurti po përpiqet që përmes idesë së tij për emrin, ta bindë opinionin se nuk do të lejojë një asociacion njëetnik.
“Por, në fakt, diçka e tillë në Kosovë nuk është e mundshme, për shkak se pjesa më e madhe e komunave që do të duhej ta përbënin Asociacionin e komunave me shumicë serbe në të ardhmen, janë shumetnike. Në këtë pikë, përveç çështjes së komunitetit serb, është e hapur edhe çështja e funksionimit të komunitetit shqiptar përbrenda atyre komunave, gjegjësisht e funksionimit të komuniteteve tjera pakicë apo joshumicë në ato komuna”, thotë Milliqeviq.
“Lojë fjalësh” dhe “ngatërrim hapash”
Përfaqësues të partive opozitare në Kosovë thonë se nuk kanë marrë ndonjë sqarim lidhur me idenë e kryeministrit Kurti për ndryshimin e emrit të Asociacionit.
“Nuk ka nevojë të bëjë lojë fjalësh”, thotë Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Asociacioni dhe kompetencat e Asociacionit nuk definohen nga emri që bart, por nga fuqia që do ta ketë. Në këtë pikë, PDK-ja është konsistente. Asociacioni duhet të bëhet vetëm mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese [të Kosovës]”, thotë Çitaku për Radion Evropa e Lirë.
Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se marrëveshja për parimet e Asociacionit, e arritur po atë vit, nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, por ka shtuar se të 23 pikat, që janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, mund të harmonizohen.
Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se Kurti nuk e ka sqaruar idenë e tij për ndërrimin e emrit të Asociacionit, por shton se vetë ideja nënkupton rihapjen e negociatave për një marrëveshje tashmë të arritur dhe të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
Haziri thotë se ideja e Kurtit vjen pasi ai e ka pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo, sipas tij, paraqet ngatërrim hapash.
“Një hap përpara është bërë në kohën kur ai e ka pranuar dokumentin bazë për një marrëveshje eventuale me Serbinë. Ndërsa, qëndrimi i tij që në marrëveshjen specifike të vendosen gjashtë kushte për të rihapur eventualisht negociatat [për formimin e Asociacionit], është një hap prapa, sepse kushtëzimi i negociatave është i papranueshëm për ndërmjetësin ndërkombëtar”, thotë Haziri.
“Deriçka” e hapur për Kurtin
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i kanë kërkuar disa herë Kosovës që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Në një shkrim në fund të janarit, të shpërndarë nga disa media në Kosovë, ata kanë thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte njëetnik. “Ato do të ishin komuna me shumicë serbe ku jetojnë jo vetëm serbët etnikë, por edhe grupet tjera – shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë – të drejtat e të cilëve gjithashtu duhet të sigurohen dhe mbrohen”, kanë thënë dy diplomatët.
Maliqi vlerëson se, bazuar në këtë letër, kryeministrit Kurti i është hapur dera dhe mundësia për të formuar një asociacion që do të ishte i pranueshëm për Kosovën.
“Kryeministri [Kurti] e ka kthyer më shumë këtë çështje në një debat semantik të emrit dhe përdorimit të fjalës ‘serb’ aty. Nuk e di se si do të zgjidhet kjo pjesë. Por, që është hapur një deriçkë, unë mendoj se kjo është shumë e vërtetë dhe është bërë shumë e qartë nga letra e botuar [e Cholletit dhe Escobarit], ku, faktikisht, kërkohet nga Kosova që të krijojë diçka që është krejtësisht në përputhje me Kushtetutën”, thotë Maliqi.
Milliqeviq pajtohet se kushtet e Kurtit për Asociacionin mund të jenë frymëzuar nga letra e Cholletit dhe Ecobarit dhe shton se ai, tashmë, po e shfrytëzon këtë si hapësirë manovruese, për t’u arsyetuar para opinionit të brendshëm.
“Gjithashtu, është fakt që do të përpiqet që me fjalë të zgjedhura, thjesht, t’ia komunikojë opinionit të Kosovës se principi i tillë është i pranueshëm dhe se ai do të harmonizohet me ligjet në fuqi dhe me Kushtetutën e Kosovës. Kjo është ajo që unë pres se do të ndodhë në Bruksel”, thotë Milliqeviq.
Takimi i Kurtit dhe Vuçiqit, më 27 shkurt në Bruksel, do të jetë i pari këtë vit.
Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim këtë propozim.
Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por nga një version që ka parë REL-i, del se ai nuk parasheh njohjen reciproke mes dy vendeve, por zotimin e të dyja palëve se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese. Propozimi, po ashtu, kërkon që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet që kanë arritur deri më tash në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. SHBA-ja e ka mbështetur këtë dokument.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të mërkurën
Për të mërkurën parashikohet që gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe atyre t...
-
Shqipëri: Çmimet e banesave do shtrenjtohen, pritet rritje deri në 15%
Çmimet globale të banesave pritet të rriten në dy vjetët e ardhshëm. Projeksi...
-
Bazuar në ligj, puna e Kuvendit mbyllet një ditë para fushatës
Kuvendi, sipas Institutit Demokratik të Kosovës, thuajse e ka përfunduar ...
-
Vlora Çitaku sfidon VV-në: Mund të ikni nga debatet por jo nga 9 shkurti
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka ...
-
Rukiqi: Po harrojmë se Kosova është nën sanksione, shumë projekte janë peng i tyre
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka kritikuar qasjen ...
-
20 minuta pritje te Dheu i Bardhë për të dalë nga Kosova
Njëzetë minuta është pritja e veturave për të dalë nga Kosova në pikëkalimin ...
-
KQZ nesër miraton fletëvotimin, të enjten nisë votimi jashtë Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet, të mërkurën, ku do ta miratojë...
-
Dakaj: Kurti në dy intervistat e fundit, reflektoi frikë dhe panik në këto zgjedhje, ka frikë prej mediave e ndërkombëtarëve
Gazetari Shkelzen Dakaj, ka potencuar se kryeministri Albin Kurti po frikohet...
-
Viti 2025, vendimtar për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Viti 2025 pritet të jetë viti vendimtar për procesin gjyqësor ndaj Hashim Tha...
-
Shala thotë se Kurti po manipulon për të hyrat e “Ibër-Lepencit”: Veprimet dhe korrupsioni i kësaj qeverie duhet të hetohen nga Prokuroria Speciale
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, deklaroi s...
-
Biznesmeni kosovar mezi mbanë lotët, pasi tregon historinë e tij rrëqethëse “Ai malli për nanen e baben, nuk edi…”
Shahin Dervishaj, kandidati për deputet nga diaspora me numër 77 nga radhët e...
-
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit vizitë në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi – DASH jep detaje mbi temat që do të diskutojë
Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R....