Lajme

Nis takimi i Haradinajt me presidenten Osmani

Autori: Gazeta inFokus 17:38 | 22 June 2023

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka arritur në objektin e Kuvendit të Kosovës për takim me presidenten Vjosa Osmani.

Kjo e fundit u ka dërguar ftesë partive opozitare, bazuar në letrën që ka marrë nga kreu i AAK-së.

Për dallim nga ky i fundit, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku kanë refuzuar të takohen me kryetaren e shtetit.

-Advertisement-

Në ftesën e dërguar liderëve të partive politike, presidentja Osmani ka theksuar bindjen se “bashkëpunimi dhe dialogu i hapur ndërmjet institucioneve me partitë politike janë thelbësore për t’i përballur sfidat aktuale dhe për të punuar bashkë drejt arritjes së synimeve të përbashkëta…”.

Në letrën dërguar presidentes Osmani, lideri i PDK-së ka thënë se në tre javët e fundit , situata e sigurisë në Kosovë është përkeqësuar dukshëm dhe në veri të vendit nuk ka normalitet.

“Gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërsa në përgjigjen e Abdixhikut ndaj presidentes Osmani, është thënë se partia e tij ka përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend “në veçanti qasjen e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO”.

Abdixhiku ka theksuar se qasja konfliktuoze e kryeministrit Kurti, veprimet e pakoordinuara dhe papërgjegjësia diplomatike e strategjike, kanë rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Çfarë Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon e pret në këtë kohë është pozicionimi i qartë e kritik ndaj popullizmit të Kryeministrit, që ballafaqimin me aleat po e shndërron në kauzë të sjelljes së brendshme politike, me pasoja afatgjata për sovranitetin e vendit dhe për pozicionin tonë ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e Abdixhikut ndaj presidentes Osmani.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…
-Advertisement-

Të tjera