Lajme

Nis monitorimi i zhurmës në lokale në Prishtinë, gjoba deri në 3 mijë euro dhe mbyllje të lokalit për tetë ditë për ata që e tejkalojnë

Autori: Gazeta inFokus 13:40 | 21 August 2023

Komuna e Prishtinës ka nisur monitorimin e zhurmës brenda lokaleve të gastronomisë, e cila do të bëhet nga Dhoma e Monitorimit e cila sot është funksionalizuar.

Për ata që tejkalojnë me zhurmën u tha se sistemi i kontrollit do t’i shqiptoj gjobat në mënyrë automatike, e të cilat do të jenë nga 500 deri në 3 mijë euro, madje parashihet edhe mbyllje të lokaleve nga tetë ditë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se tanimë kanë instaluar një numër të madh të censorëve dhe kanë krijuar edhe rregulloren.

-Advertisement-

“E kemi çdo bazë ligjore që nëpërmjet këtij sistemi ta monitorojmë, ta kontrollojmë zhurmën në kryeqytet, në restorante të ndryshme dhe po ashtu edhe gjoba për ata që nuk kanë aplikuar. Pra nëse ata që nuk kanë aplikuar dhe operojnë dhe i kalojnë decibelët do të ketë gjoba”, tha ai.

Rama shoti se bizneset nuk lejohen ta kenë zhurmën më shumë se 60 dicibel, derisa dha detaje edhe për gjobat.

“Gjobat në bazë të rregullores i kemi nga një mijë deri në tre mijë. Nëse e kalon, herën e parë atëherë e ka vërejtje, nuk ka gjobë.  Vërejtja i shkon në email secilit operatorë që është i regjistruar. Nëse e kalon prapë, atëherë e kemi gjobën e parë 500 euro, nëse e kalon edhe herën e dytë, gjoba është 1000 euro. Nëse e kalon herën e tretë, atëherë operatori (lokali) mbyllet për tetë ditë dhe hapet prapë. Mirëpo prapë nëse e kalon vazhdon të ngritët gjoba prej 1000 në 1500, 2000. Ata që nuk kanë leje do të gjobiten, nuk mund të operojnë pa leje. E kemi zgjatë dy herë mundësinë që secili operator me apliku dhe me pas instalimin e censorëve, deri tash i kemi diku rreth 350 aplikues dhe 350 janë instaluar. Ndërsa, ata që nuk kanë aplikuar e lëshojnë muzikë, do të gjobitën derisa ta marrin licencën për me lëshuar muzikë“, tha ai.

Drejtori i Inspektimit, Florian Dushi tha se nëpërmjet kësaj dhomë e serverëve do të kenë mundësi që drejtpërdrejt të mbikëqyrin dhe monitorojmë zhurmën e cila tejkalohet në rastin e lokaleve të gastronomisë.

“Sistemi do të gjenerojë informatat edhe për vet pronarët e këtyre bizneseve por edhe për inspektorët të cilët do të vazhdojë kontrollet sa i përket orarit të punës, ndërkohë që sistemi do të gjenerojë gjobat në mënyrë automatike për secilin biznes”, tha ai.

Kurse, drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Basri Shabani, përgëzoi për lanësimin e këtij projekti të rëndësishëm për qytetarët dhe gastronomët dhe se ky projekt do t’i ndihmojë edhe Policisë së Kosovës.

“Dihet se kemi pak probleme sa i përket zhurmës dhe në këtë drejtim kemi pas ankesa në baza ditore sa i përketë çështjes së kalimit të decibelëve të zhurmës dhe Policisë së Kosovës do t’i ndihmojë shumë në reduktimin e personelit në këtë drejtim“ , tha ai.

Arian Vrainca, nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës tha se e mbështet këtë sistem.

“Prej tash e tutje për neve është një lehtësim sepse edhe institucionet e kanë mundësinë që të zbatojnë ligjin. Ju bëj thirrje edhe një herë mos të shkojnë deri tek këto dënime”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!
-Advertisement-

Të tjera