Sport

Nga Llapi deri në legjendë – Fadil Vokrri

Autori: Gazeta inFokus 14:39 | 09 June 2018

Atëherë idol i Fadil Vokrrit ka qenë legjenda holandeze e futbollit Johan Cruyff, për të cilin Fadili mendonte se është themeli i lojës së sotme të Barcelonës.

Ndërsa vet Fadil Vokrri pastaj u bë idol i shumë e shumë futbollistëve tjerë të rinj që erdhën pas tij.

Lojën e futbollit e kishte dhunti nga Zoti. Atë së pari e ka nisë në lagje, ndërsa në moshën 15 vjeçare u regjistrua në Klubin e futbollit “Llapi” të Podujevës e vetëm pas dy viteve, pra me 17 vjeç, u bë pjesë e ekipit të parë.

-Advertisement-

Opinioni kosovar e din shumë mirë se treva e Llapit ka dhënë gjithëmon sportistë të mëdhenj, emra të njohur të shumë degëve sportive. Por, emri Fadil Vokrri – futbollist, padyshim është vet maja e suksesit të një sportisti nga kjo trevë.

Fadil Vokrri karrierën e tij prej futbollisti, nga Llapi, një sezon e vazhdon te Elektroekonomia e Obiliqit, për tu kthyer sërish në Llap që t’i ndihmoj skuadrës për të mbetur në ligën e parë të atëhershme të Kosovës.
Zaten në pyetjen se çka i kujtohet e para nga perudha e lojës te Llapi ? Fadil kishte thënë: “Rikthimi im në klubin e Llapit, pas një sezoni në Elektroekonimi ishte bërë me qëllim që Llapi të mbetet në Ligën e parë të Kosovës. Kjo edhe u arrit.” 
Ndeshja vendimtare e atij stinori (1979/80) kundër Besës së Pejës, të cilën Llapi e fitoj në Podujevë 4:1, në të cilën Fadili kishte shënuar golin e parë të ndeshjes (nga penalltia), ndërsa goli me i bukur në atë ndeshje ishte shënuar nga Shaban Hajdari (me kokë).
Ishte vera e vitit 1980, kur Fadil Vokrri kalon në klubin e futbollit Prishtina.
Prishtina e asaj kohe, bënte gara në Ligën e dytë federative, por nga viti në vit forconte ambiciet për tu inkuadruar në Ligën elite federative. Kjo, për më tepër edhe si rezultat i shumë ndryshimeve pozitive që ishin bërë në organizimin e klubit që nga Kryesia dhe drejtuesit e tjerë të saj, e deri te futbollistët në fushë. Dhe pas një sezoni të mrekullueshëm, 1982/1983, kjo ndodhi. Prishtina si kampion të ligës së dytë, u bë anëtare e ligës së parë të atëhershme federative.
Nga karriera e tij në Prishtinë, Fadil Vokrri ishte deklaruar: “Kanë qenë momentet me të lumtura të karrierës sime futbollistike. Ka qenë shumëçka emocionale. Akoma mbajë në kujtesë ndeshjet shumë të rëndësishme, si ajo në Prizren kundër Lirisë (0:2) e po ashtu edhe në Krushevc kundër Napredakut (1:1) pas të cilave siguruam kalimin në ligën e parë”.

Vokrri dhe Prishtina pastaj u bënë arrë e fortë edhe për skuadrat elite të ligës së parë federative. Stadiumi i Prishtinës ishte arenë e nxehtë sportive për çdo skuadër mysafire. Fadil Vokrri në deklaratat e tija pas ndeshjeve çdo herë, ndër të tjera thoshte: “Publiku ishte lojtari ynë i dymbëdhjetë…”

Por, jo vetëm si vendas. Prishtina e asaj kohe fitonte edhe si mysafire. Fadil Vokrri çdo herë ishte enigmë e pazgjedhur për mbrojtjet kundërshtare.Patjetër duhet theksuar këtu fitoren e Prishtinës 3:1 në “Marakana” përballë C.Zvezda, atëhere kampion i shumëfisht.
“Vokrri, Vokrri, Prishtina, Prishtina” ishin brohoritjet më të shpeshta të tifozëve “bardhë e kaltërtë”. Po ky refren ishte edhe titull i një kënge të njohur që u bë hit i viteve ‘80 kënduar nga grupi “Minatori”.

Për Prishtinën në periudhën 1980–1986 Fadil Vokrri ka zhvilluar 172 ndeshje duke shënuar 55 gola.

Fadil Vokrri pas dy stinorëve me Prishtinën në Ligën e parë, në vitin 1986 kalon në radhët e klubit Partizan të Beogradit, aty ku edhe më herët kishin luajtur futbollistë nga Kosova, si Zenun Brovina, Luan Prekazi, Fahrudin Jusufi, Xhevat Prekazi, Kujtim Shala, Isa Sadriu.
Te Partizani i Beogradit, Fadil Vokrri ka luajtur gjithsej 107 ndeshje dhe ka shënuar 47 gola.
Vlen të përmendet se në ndeshjen kundër AS Roma, që Partizani e kishte zhvilluar në kuadër të xhiros së dytë të UEFA-së, vitin 1988, Fadil Vokrri ishte thirrur nga shërbimi ushtarak që të ndihmoj skuadrën e tij. Por, megjithate ishin eliminuar përballë italianeve (4:2 dhe 0:2).Roma në atë kohë në radhet e veta kishte Bruno Conti, Manfredonin, Giannini, gjermanin Rudi Voller, etj.
Po në këtë periudhë (1984-1987) Vokrri ishte edhe anëtar i reprezentacionit shtetëror, për të cilin pati 12 paraqitje dhe 6 gola të shënuar. Nga këto ndeshje Fadili kujton ate të 14.10.1987, në stadiumin “Grbavica” të Sarajevës të cilën “të kaltërtit” e kishin fituar 3:0 përballë Irlandës Veriore , në të cilen Fadil Vokrri ka pas shënuar dy super gola (12′ e 34′) dhe ka qenë futbollisti i ndeshjes.
Vokrri në bisedë na tha: “…edhe te penalltia, në atë ndeshje, i tërë publiku në stadium thrriste emrin tim, që ta ekzekutoj atë penallti dhe të bëjë “heat-trick”, por, unë vet nuk kam dashtë që ta shutoj penalltinë, dhe mbeta me dy gola, ndërsa penalltinë e ka realizuar Faruk Haxhibegiç (74′)”.
Nga paraqitjet te Partizani, Fadil Vokrri mbannte në kujtesë këto momente: “ Dy ndeshjet kundër Flamurtarit të Vlorës në Kupën UEFA kanë qenë jo të zakonshme për mua. Kanë qenë më shumë se një ndeshje futbolli. Ato në aspektin emocional kanë qenë të veçanta dhe nuk do t’i harroj kurrë”.

“Ndërsa në aspektin sportiv  triumfin për Kupën e Titos, të cilën Partizani e fitoj pas shumë e shumë vitesh. Këtë e fituam pikërisht në sezonin në të cilin Vokrri kishte formën më të mirë. Po atë vit u zgjodh “Futbollisti më i mirë” i Ligës së parë federative”.

Në vitin 1989–1990 Vokrri ka luajtur në klubin francez Nimes (24 ndeshje 13 gola).Vendimi për të kaluar atje, Vokrri thotë se ishte gati si “aksidental” sepse u bë në një moment të pa pritur. Drejtuesit e këtij klubi francez kishin ardhur për ta vëzhguar një futbollist tjetër, por atyre përshtypje u bënë Fadil Vokrri dhe ata menjëhere negocojnë me drejtuesit e klubit “bardhë e zi” dhe me Fadilin për ta angazhuar në radhët e veta. Oferta nga ky klub ishte shumë e levardishme edhe për klubin që e lëshonte por edhe për vet Fadilin. Nimes atëbotë kishte ambicie të mëdha për tu hyrë në Ligën e parë franceze dhe Vokrri për ta ishte përforcimi më i madh.

Ndërsa në vitin 1990 deri 1992 Vokrri shijoj kampionatin turk duke qenë anëtar i Fenerbahçe (53 ndeshje 19 gola).
 “Të luash në kampionatin turk dhe ate në skuadër nga Stambolli do të thotë të përjetosh emocione të zjarrta të njerëzve që merren me futbollin si dhe tifozëve. Futbolli në Turqi në atë kohë për turqit ka qenë i rëndësishëm po thuajse sikur feja. Më kujtohen dy ndeshjet e Fenerbahçes kundër Gimaresh në kuadër të Kupës UEFA nga të cilat ne dolëm fitues, ndërsa unë kam shënuar gol në dy ndeshjet”, kishte deklaruar Vokrri.

Hulumtuam dhe e vërtetuam këtë; Ndeshja Fenerbahçe – Vitoria Giumarech ishte zhvilluar në kuadër të xhiros së parë të Kupës së UEFA-së, edicioni 1990/1991, të cilën Fenerbahce, atëbotë e drejtuar nga trajneri holandez Guuss Hiddink, me portierin gjerman Toni Schumacher në portë, e Fadil Vokrrin në sulm, kishte fituar 3:0. Golin e parë e ka shënuar Vokrri në minutën 34. Në ndeshjen e kthimit përsëri ka fituar Fenerbahçe me rezultat 3:2. Edhe në këtë ndeshje përsëri ka shënuar gol Fadil Vokrri dhe përsëri golin e parë, në minutën e gjashtë.

Katër vitet e fundit të karrierës së tij aktive si futbollist, Fadil Vokrri përsëri i kaloj në Francë duke luajtur për Bourges (1992/93) dhe Montlucon (1993/95) ku edhe e ka përfunduar karrierën aktive si futbollist.

Fadil Vokrri i takon të ashtuquajturës “Gjenerata e Artë e Prishtinës” dhe nga po kjo gjeneratë si dhe nga shumë e shumë njohës dhe dashamirë të sportit në përgjithësi, e të futbollit në veçanti, Fadil Vokrri konsiderohet “legjendë e gjallë” e futbollit kosovar dhe futbollist që i kalon përmasat e një sulmuesi te zakonshëm.

Fadil Vokrri ishte i jashtëzakonshëm. Ishte i veçantë, ishte zgjedhja për ekipin e tij, e ishte enigma për ekipin kundërshtarë. Fadil Vokrri , siç mund të shihet nga statistikat, kishte një numër të konsiderushëm të golave të shënuara, por aftësia dhe vlera e tij më e madhe atë botë kanë qenë asistimet e tij për bashkëlojtaret e vet. Fadili ka qenë i tillë në fazën e sulmit që me kreativitetin e tij të vazhdueshëm në lojë gjithëmon bashkëlojtarin e ka shërbyer në momentin më të mirë për të shënuar gol.

Po thuaja se në çdo ekip ku ka luajtur Fadil Vokrri, ai e ka bërë një golashenues të dalluar, i cili këtë epitet e ka marr vetëm falë asistimeve të mrekullueshme që i ka bërë Fadili. Fundja bashkëlojtarët e Fadilit në sulm shpesh herë ishin gati krejtësisht të lirë sepse rreth Vokrrit gjithnjë ishin më së paku dy futbollistë, e shpesh herë edhe nga tre e katër!
Fadil Vokrri që nga viti 2008 ishte zgjedhur Kryetar i Federatës së Futbollit Kosovës (FFK) dhe ka kryer punë të madhe në aspektin e ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar.
Sot presidenti i FFK-së, z. Fadil Vokrri, ka ndërruar jetë. Ky lajm ka tronditur mbarë opinionin, derisa ka prekur jashtëzakonisht shumë komunitetin e futbollit.  NGUSHLLIME LEGJENDA FADIL VOKRRI. /INFOKUSI.COM.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera