Lajme

“Nga 400 milionë euro të ndara për bujqit, vetëm 186 milionë u implementuan”

Autori: Gazeta inFokus 13:58 | 27 October 2023

Mbi 50 për qind e tokës në Kosovë është kualifikuar të jetë tokë bujqësore, megjithatë sektori formal bujqësor mbulon vetëm 3.9 për qind të fuqisë punëtore të përgjithshme. Ndërkaq, inflacioni në Kosovë është rritur mbi 12  për qind.

Kështu u tha në konferencë për media nga  Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP),  i cili në në konsorcium me Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) dhe Institutin GAP, prezantoi raportin tematik me temën “Bujqësia në fokus: roli, impakti dhe keqpërdorimet e fondeve mbështetëse”.

“Disa prej atyre që janë ndihmuar nga persona të caktuar, kanë abuzuar me paranë publike duke I mbyllur fermat, duke mashtruar ministrinë ose duke mos i implementuar ato deri në fund… Ka fermerë që nuk kanë ku t’i mbajnë lopët dhe detyrohen t’i sheshin ato”, thuhet në këtë raport.

-Advertisement-

Hulumtuesja dhe koordinatorja e projektit, Laura Nushi tha se gjatë pesë viteve të fundit rreth 400 milionë euro janë ndarë nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në mbështetje të fermerëve dhe bujqve, derisa shtoi se rreth 200 milionë euro prej tyre janë implementuar. Ajo shtoi se pavarësisht kësaj, numri i popullsisë që jeton në varfëri në Kosovë mund të arrijë deri në 26 për qind.

“Përkundër faktit që gjatë pesë viteve të fundit buxheti i ndarë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për Kosovën ka arritur në 396.100 milionë euro aq sa kemi mundur ne të mbledhim nga raportet që ata i kanë publikuar. Fatkeqësisht vetëm 186.300 milionë euro janë implementuar. Për dy vitet e fundit, për vitin 2021/2022, raportet ende nuk janë të publikuara. Ndërkaq, për vitin 2023 ende nuk është publikuar vetë programi për zhvillim rural që ka për qëllim ndarjen e granteve nëpërmjet kritereve të përcaktuara. Edhe pse është ndarë ky buxhet kaq shumë i madh, afërsisht  rreth 400 milionë, fatkeqësisht numri i popullsisë që jeton në varfëri në Kosovë mund të arrijë nën apo në kufi 26 për qind, ku prej tyre 23 për qind nuk mund as të përballen me rritjen e çmimeve të produkteve bujqësore, primare dhe esenciale që janë për jetesë”, tha Nushi.

Nushi tha se inflacioni në Kosovë është rritur për 12.7 për qind, derisa potencoi se vetëm muajt e fundit ky inflacion është rritur për 4.2 për qind.

Ajo shtoi se është evidente që bujqësia në Kosovë përkundër parakushteve të favorshme për të qenë një vend i vyer bujqësor, vazhdon të përballet me sfida të mëdha të cilat e pengojnë zhvillimin e tij si një sektor me vlerë të shtuar, sipas saj  për shkak të politikave të gabuara dhe mungesës së vizionit për të promovuar zbatimin e strategjive efektive në shumë nën sektorë të saj.

Ndërsa, në raportin “Bujqësia në fokus” janë dhënë disa rekomandime të cilat përfshijnë uljen e kriterit për subvencione dhe grante, të përditësohet lista e zezë që përmban emrat e bujqve që kanë qenë të përfshirë në korrupsion dhe të kryhen studime rreth mundësive të përshtatshmërisë për kultivimin e kulturave bujqësore.

Rekomandime këto, për të cilat hulumtuesi në INDEP, Liron Gjocaj bëri thirrje që të merren për bazë për shkak se janë në të mirë të të gjithë vendit.

Ndër të tjera  në këtë raport thuhet se ‘grantet iu jepen njerëzve të fuqishëm dhe në vend se ato t’i jepen atyre që kanë nevojë deh që mbajnë bagëtitë e tyre në stalla dhe kushte mjerueshëm ministria u jep grante atyre që kanë para dhe janë milionerë’.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera