Lajme

Në qytetet e vogla gjermane, strehimoret për azilkërkues kanë mbetur bosh

Autori: Gazeta inFokus 15:13 | 25 December 2017

Fluksi i refugjatëve në Gjermani është bërë më i vogël. Rreth 90,000 azilkërkues erdhën në gjysmën e parë të vitit 2017.
Autoritetet llogarisin një shifër të njëjtë edhe në gjysmën e dytë të vitit. Krahasuar me vitet e kaluara shifrat janë ulur, por kjo nuk reflektohet në kostot e shpenzimeve të komunave gjermane. Arsyeja është se shumë strehimore azili që po qëndrojnë bosh, po u kushtojnë komunave pasi për pasuritë e paluajtshme u negociuan kontratat disavjeçare të qirasë.

Sipas një sondazhi të radios gjermane WDR, në landin e Rinit Verior-Vestfalisë, në landin me numrin më të madh të popullsisë, janë bosh një e treta e këtyre strehimoreve. Sipas përllogaritjeve, vetëm në një qytet prej 250,000 banorësh, si Mönchen-Gladbach, kjo shumë shpenzimesh për qira, për shërbimin e sigurisë, për rrymën, për ngrohjen e riparimet kap shifrën e 10 milionë eurove.

Në kohën e krizës së refugjatëve, qyteti mundësoi në kohë rekord 2,300 vende për refugjatët, por deri në dhjetor aty kanë mbërritur jo më shumë se 750 vetë. Vetëm në qytetet si Berlini, Hamburgu e Bremeni, strehimoret mbushen, Landet e tjera njoftojnë se strehimoret po mbeten bosh.

-Advertisement-

Qytetet dhe komunat kanë lëshuar alarm. Çdo qytet në Rinin Verior-Vestfali merr për pranimin e një refugjati një shumë të përgjithshme prej 10,400 eurosh në vit. Nëse vijnë më pak refugjatë, atëherë këto të ardhura mungojnë. Andreas Wohland nga Lidhja e Qyteteve e Komunave të Renani-Vestfalisë kërkon që komunat të ndihmohen.

“Ne kërkojmë që të bëhet përshtatja e shumës së përgjithshme të shpenzimeve për frymë”, thotë ai.

Këto shpenzime të larta përbëjnë më shumë rrezik për bashkitë me deficite buxhetore.

Megjithëse numri i refugjatëve mbetet i ulët, komunat i presin sfida të mëdha. Për shembull në Dyseldorf ku bashkia ka filluar që strehimoret e përkohshme t’i kthejë në apartamente banimi afatgjatë. Është e vërtetë që numri i refugjatëve ka rënë, por në qytet është rritur një shifër tjetër. Në vitin 2018, Dyseldorfi duhet të kujdeset për 5,000 vetë që pas largimit nga vendlindja do të qëndrojnë në Gjermani, por që nuk gjejnë dot apartamente me çmim të arsyeshëm. Problemi është se me ligj azilkërkuesit nuk lejohen të largohen drejt zonave më rurale me çmime më të leverdishme. Një fenomen si ky shihet edhe në Berlin. Këtu është vazhdimisht i lartë numri i refugjatëve. 25,700 refugjatë jetojnë aktualisht në Berlin e aty nuk ka strehimore bosh.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera