Lajme

Në komunat e Veriut priten zgjedhje, Kuvendi fillon procedurën e komplikuar të zëvendësimit të deputetëve

Autori: Gazeta inFokus 13:29 | 08 November 2022

Të dielën kryetarët e katër komunave veriore dhanë dorëheqje, ndërsa dje deputetët e Listës Srpska dorëzuan mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës. Letërdorëheqjet e kryetarëve të komunave janë dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ndërsa sipas juristëve KQZ duhet t’i propozojë në Kuvend emrat e personave të tjerë më të votuar nga Lista Srpska.

Për shkak të mospajtimit me vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat, Lista Srpska vendosi që të lëshojë të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë kuvendin, komunat ku udhëheqin, policinë, gjykatat e prokurorinë.

Dje, 10 deputetët e Listës Srpska kanë dorëzuar mandatet në Kuvendin e Kosovës, duke hequr dorë nga të qenurit deputetë të Kuvendit të Kosovës.

-Advertisement-

Juristit Ehat Miftaraj dhe ish kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, kanë treguar se çfarë do të ndodh tutje.

Miftaraj tha se KQZ duhet t’i propozojë në Kuvend personat që janë më të votuarit nga Lista Srpska pas 10 deputetëve që janë dorëhequr.

“Në bazë të ligjeve është që Lista Serbe në zgjedhjet e fundit i ka marrë të gjitha mandatet nga votat e qytetarëve serbë, kështu që në bazë të ligjit, KQZ duhet që nga radhët e kësaj partie të propozojë në kuvend personat që mundin t’i përmbushin këto vende, gjithmonë nëse të njëjtit kanë vullnet t’i marrin këto pozita. Nëse s’kanë vullnet, këto pozita mbesin të paplotësuara, por në fazat e mëvonshme nuk përjashtohet mundësia që ata t’i marrin këto pozita, nëse ka vullnet politik prej Listës Serbe”, deklaroi Miftaraj.

Ish kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, dje në “Frontal” të T7, tregoi procesin se si bëhet zëvendësimi i deputetëve.

“Ata janë 10 prej 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe ata i nënshtrohen procedurës së zëvendësimit, pra kryetari i kuvendit e dërgon kërkesën të presidentja, presidentja pastaj e dërgon te KQZ dhe KQZ i zëvendëson me deputetët e radhës dhe të gjinisë së njëjtë përderisa ka. Në momentin kur nuk ka atëherë shkon me zëvendësimin e kandidatëve nga subjektet tjera gjithmonë duke pasur parasysh se këta janë deputetë të cilët kanë garuar për vendet e rezervuara për serbët në parlament, pastaj shkon për të tjerët. Mirëpo këto janë procedura, është pak si ping pong sepse kjo tash shkon nga kryetari tek presidentja pastaj te KQZ, KQZ radhën e njëjtë e kthen te presidentja dhe te kuvendi, pastaj ata kërkohet të japin betimin dhe nëse se japin betimin në një afat të caktuar, nuk e di saktë, atëherë konsiderohet se nuk janë emëruar dhe prapë fillon prej fillimit procedura e njëjtë”, tha ajo në Frontal të T7.

Miftaraj e Daka mohuan mundësinë që këto mandate t’i kthehen deputetëve të dorëhequr, në rast se ata bëhen ‘pishman’.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dje tha se për dorëheqjen e dhjetë deputetëve serbë do t’i ndjekë procedurat e parapara me ligj.

“Unë do t’i drejtohem presidentes, e pastaj procedurat tjera thonë që presidenca i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e pastaj KQZ i përgjigjet me propozimet për deputetë që vijnë nga e njëjta listë. Nëse edhe ata refuzojnë, procedura përsëritet derisa t’i plotësojmë vendet në Kuvend nga pakica serbe”, tha ai.

Dorëheqjet e kryetarëve të komunave veriore

Dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Letërdorëheqjet e kryetarët të komunave veriore dje i ka pranuar MAPL.

Për Express këtë e konfirmoi Arianit Abazi nga kjo ministri, derisa tha se janë në komunikim me institucionet relevante.

“Sot gjatë ditës, në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal kemi pranuar letërdorëheqjet e kryetarëve të Komunave, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Ne jemi në komunikim me të gjitha insitucionet relevante për hapat e mëtejshëm sipas ligjeve në fuqi”, tha Abazi.

Se në këtë situatë duhet të shpallen zgjedhjet e thotë juristi Ehat Miftaraj.

“Në raport me komunat në të cilat kanë dhënë dorëheqje kryetarët serbë, në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese konsiderohet që këto dorëheqje kanë efekt politik andaj presidentja e Kosovës në bashkëpunim me Komisionin Zgjedhor do të duhej të takoheshin sa më shpejtë që brenda afatit ligjor prej 45 ditëve të shpallin zgjedhjet në këto komuna”, deklaroi Miftaraj për Express.

Njëjtë tha edhe ish kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

“Sa i përket kryetarëve të komunave duhet të shkohet në zgjedhje dhe afatet ligjore tashmë kanë filluar të rrjedhin dhe duhet të shpallen zgjedhjet në këto komuna”, tha Daka.

Ndërkaq nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë thënë se do të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen nga presidentja Osmani, mirëpo nuk kanë buxhet.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrimet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen nga Presidentja e Republikës së Kosovës. KQZ-ja do të presë shpalljen e zgjedhjeve për të filluar me përgatitjet intensive të tyre. Si në çdo proces tjetër zgjedhor, KQZ-ja fillimisht miraton planin operacional, në të cilin listohen të gjitha aktivitetet të cilat duhet të realizohen për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Këto janë zgjedhje të paplanifikuara, prandaj KQZ-ja nuk ka buxhet. Në raste të tilla, sikurse në të kaluarën, KQZ-ja përgatit kërkesën për Qeverinë e Kosovës me shumën e planifikuar”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Express.

Për çështjen e zgjedhjeve janë deklaruar edhe nga Presidenca.

Këshilltari për media i presidentes Osmani për Gazetën Express ka treguar procedurat që duhet të konsumohen për t’i shpallur zgjedhjet në komunat veriore.

Legjislacioni në fuqi dhe praktika e përcaktojnë qartë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rastet kur kryetarët e komunave dorëhiqen nga posti i tyre. Presidentja e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme, duke përfshirë konsultimet me subjektet politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave. Deri më tani, një njoftim i tillë ende nuk është pranuar nga Zyra e Presidentes”, tha Kupina.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera