Lajme

Mushkolaj i’a kujton Hikmete Bajramit 2 milionëshin e vjedhur: Me qenë si ju s’kisha folë

Autori: Gazeta inFokus 16:09 | 29 November 2021

Analisti politik, Imer Mushkolaj i ka reaguar ish ministres së financave në qeverinë Hoti, Hikmete Bajramit pasi kjo e fundit tha sot se qeveria Kurti duhet të kërkojë ndihmë nga ndërkombëtarët për të zbardhur rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan.

Mushkolaj ka thënë se po të ishte në vendin e Bajramit nuk do të fliste fare pasi në kohën kur ajo ishte ministre u zhdukën nga thesari 2 milionë euro e krimi ende nuk është zbardhur.

“Me pasë qenë në vend të kësaj zonjës gojën s’e kisha çelë. Hiç. 2 milionë euro janë vjedhë nga Thesari në kohën e saj ministre. Tash mban ligjëratë, por krimi i 2 milionëve nuk është zbardhur” shkruan Mushkolaj.

-Advertisement-

Ndërsa në deklaratën e saj, Bajrami e LDK-së ka thënë se  qeveria duhet të zbardhë krimin në Deçan duke përmendur këtu se që nga paslufta janë 400 vrasje ende të pazbardhura.

“Zbardheni krimin në Gllogjan, kërkoni ndihmë edhe nga ndërkombëtarët Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet të japin përgjegjësi bashkërisht për mungesë të rezultateve në zbardhjen e vrasjeve në Gllogjan të Deçanit. Nëse institucionet tona s’po bien në gjurmë të vrasësit/vrasësve, atëherë duhet kërkuar ndihmën te miqtë tanë. Në radhë të parë te institucionet e sigurisë amerikane. Prej pasluftës janë mbi 400 vrasje të pazbardhura. Secila vrasje duhet të zbardhet dhe posaçërisht vrasja e dy nxënësve dhe shoferit që ndodhi të premten në Gllogjan të Deçanit. Qeveria e Republikës së Kosovë nuk duhet të kursejë asgjë për të zbardhur vrasjen e trefishtë”, ka thënë ajo.


Kujtojmë se të premten në Gllogjan të Deçanit mbetën të vdekur tre persona pasi një i maskuar gjuajti në drejtim të autobusit me nxënës. Të vdekur mbetën shoferi dhe dy nxënës të moshave 18 e 17 vjeç.

Derisa rasti ende nuk është zbardhur e qeveria e Kosovës ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për atë që ofron informacion për personin e dyshuar./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera