Lajme

Murati thotë se ulja e akcizës e trashë fitimin e tregtarëve

Autori: Gazeta inFokus 13:55 | 13 June 2022

Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, ka thënë të martën se ulja e akcizës së naftës është thirrje “për t’i trashur fitimet e tregtarëve”.

Sipas tij, largimi i akcizës nuk nënkupton domosdoshëmrisht edhe uljen e çmimeve.

“Që nga marrja e mandatit, ne si Qeveri nuk kemi ngritur as edhe një taksë të vetme. As TVSH-në, e as akcizën e naftës. Me fjalë tjera, nuk ka as edhe një veprim të vetëm të qeverisë që do të kishte ndikuar në rritjen e çmimit të naftës. Rritja e çmimit të naftës vjen si rezultat i rritjes së çmimit të furnizimit nga importi, që është jashtë kontrollit tonë, por edhe për shkak të rritjes së marzhës së fitimit nga tregtarët e naftës, sidomos tani kur pritet ardhja e mërgatës”, ka thënë Murati.

-Advertisement-

Ai ka shtuar se Qeveria është duke punuar  për një vendim që cakton çmim tavan dhe marzhë maksimale.

“Ndërsa thirrjet e opozitës që Qeveria të ulë TVSH-në apo akcizën në naftë ose produkte tjera, nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve. Përkundrazi, një veprim i tillë vetëm sa do të trashte fitimet e tregtarëve në njërën anë, dhe do të kufizonte mundësitë e shtetit që t’i mbështesë familjet në nevojë në anën tjetër”, ka vazhduar Murati.

Murait po ashtu ka përmendur Qeverinë Hoti për të arsyetuar pretendimin e tij.

“Dëshminë më të mirë për këtë e kemi parë përgjatë tërë vitit të kaluar, kur me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë Hoti, TVSH-ja për bizneset e gastronomisë ishte ulur nga 18% në 8%, për tërë vitin 2021. Përkundër kësaj, për asnjë moment çmimet e kafesë dhe produkteve tjera të gastronomisë nuk u zbritën, sepse e tërë ulja e TVSH-së u kthye në marzhë shtesë të fitimit për bizneset”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ministri i Financave përmendi edhe diskutimet në Gjermani që të vendoset një tarikfë për naftarët.

“Në Gjermani tani po diskutohet se si të aplikohet taksë speciale për fitimet e kompanive të naftës, të cilat kanë shfrytëzuar uljen e akcizës nga shteti për të trashur marzhën e fitimit për vete, duke ri-ngritur çmimet vetëm pak ditë pas zbritjes fillestare”, ka thënë ndër tjerash Murati.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera