Lajme

Murati nënshkruan marrëveshje prej 38 milionë euro për rehabilitimin e rrjetit hekurudhor në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 14:31 | 09 February 2023

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, të enjten ka nënshkruar një marrëveshje financiare prej 38 milionë euro për rehabilitimin e rrjetit hekurudhor në Kosovë, shkruan Gazeta Infokus.

Këtë marrëveshje Murati e ka nënshkruar me udhëheqësin e Operacioneve të Bankës Evropiane për Investime për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Matteo Rivellini.

“Marrëveshja në vlerë prej 38 milionë euro synon rehabilitimin e 139 km të linjës hekurudhore, përkatësisht në sinjalistikë dhe telekomunikacion. Ky projekt pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në rritjen e shpejtësisë së udhëtimit dhe ngritjen e kapaciteteve për pasagjerë dhe mallra. Gjithashtu, investimet në linjën hekurudhore pritet të çojnë në një zhvendosje modale nga transporti rrugor në atë hekurudhor, si dhe të kontribuojnë në ndërlidhjen dhe integrimin e transportit rajonal në Korridorin Orient/Lindje-Mesdhe”, thuhet në komunikatë.

-Advertisement-

Gjithashtu, sipas ministrisë projekti veçse ka financim të siguruar, në vlerë mbi 137 milionë euro, nga të cilat rreth 56 milionë janë grant nga Korniza Investive e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, kjo marrëveshje e ngrit financimin e siguruar për këtë projekt në mbi 175 milionë euro.

“Rruga hekurudhore 10 është një nga linjat hekurudhore më të rëndësishme që lidh Kosovën me vendet e tjera dhe rehabilitimi i saj mbetet një prioritet i kahershëm. Marrëveshja që ne po nënshkruajmë zyrtarisht sot është e një rëndësie të madhe për të siguruar që ne të jemi të lidhur me partnerët tanë tregtarë dhe për të siguruar lëvizshmërinë midis vendit tonë dhe rajonit”, ka thënë ministri Murati./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera