Lajme

Muhamet Hamiti sulmon Isa Mustafën: LDK t’i kthehet rugovizmit, e kanë vërshuar komunistët

Autori: Gazeta inFokus 00:09 | 24 May 2017

Muhamet Hamiti, këshilltar shumëvjeçar i Presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, ka thënë se LDK’ja e Rugovës ka humbur në substancë pas vdekjes së tij. Kjo ka ndodhur, sipas tij, për fajin e njerëzve që morën në dorë fatet e partisë kryesore shqiptare deri atëherë.

Duke sulmuar qartas kreun aktual të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, Hamiti ka thënë se partinë e kanë vërshuar komunistët.

Hamiti ka sugjeruar se LDK duhet t’i kthehet rugovizmit. “Ky dekomunistizim i shoqërisë dhe i shtetit të Kosovës duhet të fillojë. Mundësia është tani. Mallkimit komunist duhet t’i vijë fundi. Me të dajthtën politike autentike shqiptare, me LDK-në e vijës tradicionale (jo të shartuar si LDK të Re), me Kosovën e kthyer te vlerat rugoviane, me njerëzit që kanë vlerat e shtatin për ta bërë këtë punë”, ka shkruar ai në Facebook.

-Advertisement-

Ky është shkrimi i plotë i Hamitit:

Ibrahim Rugova, lideri ynë pavarësist, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e President i Kosovës, ka pasur dy soje kundërshtarësh: Serbinë dhe komunistët titistë dhe enverhoxhistë te ne. Me besimin e shumicës së shqiptarëve të mbledhur rreth platformës të tij për Kosovën e pavarur dhe demokratike – mbëshetur në vlera historike shqiptare e evropiane, me njerëz të dijshëm në krye të punëve – për të gjallë të tij i ka mundur të dyja palët. Pas vdekjes së Rugovës, Kosova ka dalë e pavarur, por Serbia ka ruajtur njëfarë roli në Kosovë, sikur që janë ringjallur në jetën publike komunistët e trashëgimisë jugosllave e shqiptare në Kosovë.

LDK-ja e Rugovës ka humbur në substancë pas vdekjes së tij, për fajin e njerëzve që morën në dorë fatet e partisë kryesore shqiptare deri atëherë. Elementi komunist shqiptar, i rikonfiguruar në shoqëri civile, në media, por edhe në parti politike në dukje demokratike, ka luftuar politikat origjinale të Rugovës, duke vendosur në themele të shoqërisë e të shtetit të Kosovës politika komuniste, kryesisht nën petkun e ndezur kombëtarist.

Mallkimi komunist po e ndjek vendin tonë. Sot në Kosovë nuk ka Parti Komuniste, por ka komunistë të shtresuar në partitë shqiptare. Ata që e kanë idealizuar Jugosllavinë komuniste të Titos e të pinjollëve të tij si Fadil Hoxha, por edhe Shqipërinë staliniste të Enver Hoxhës, janë komunistët e moçëm të ditëve tona, që kanë prekur edhe një pjesë të re të shoqërisë. Të tillë janë ata që janë përbetuar në organizime marksiste-leniniste shqiptare, ata që kanë përshëndetur me grusht gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, ata që kanë luftuar nacionalistët shqiptarë për shkak se s’kanë qenë pasues të Titos e të Enverit, për shkak se kanë qenë bashkëpunëtorë apo ithtarë të udhëheqësit më të madh shqiptar të shekullit, Ibrahim Rugovës, dhe të idesë së tij për Kosovën e mëvetësishme, që mori besimin e shumicës së popullit dhe bekimin e botës perëndimore, të vendeve kryesore evropiane, të SHBA-ve, dhe të aleancës veri-atlantike (NATO), e cila u bë forca ajrore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në pranverën e vitit 1999.

Ibrahim Rugova është luftuar keq për të gjallë të tij – edhe prej njerëzve shqiptarë – pse ka punuar me ngulm për një shoqëri e shtet të Kosovës që ruan e kultivon vlerat tradicionale shqiptare, respektin për dijen, për kulturën shqiptare, për familjen, për ekonominë e tregut, vlera të nëpërkëmbura prej ideologjisë komuniste që kishte pllakosur shoqëritë shqiptare në Kosovë e Shqipëri.

Falë politikës vizionare të Rugovës, një udhëheqësi shqiptar që u bë pamja e mirë e popullit të vet në botë, krahina e Kosovës e pushtuar prej Serbisë ruajti substancën kombëtare, u bë shtet për vete fillimisht e pastaj edhe në sytë e të tjerëve, ndërsa si pasojë e udhëheqjes politike provinciale pas vdekjes së Rugovës një shtet që po humb emrin e mirë që kishte në kohën e tij.

A mund të ketë kthesë të mirë për fatet e Kosovës pas zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit të këtij viti? Ky vend e ka këtë mundësi, jo të madhe, po qe se nuk voton komunistët e rinj e të vjetër që kanë vërshuar listat zgjedhore të partive e koalicioneve, të atij soji njerëzish që ka ndërruar besim e parti, jo një herë, po madje dy herë, tri herë, katër herë, edhe pesë herë, në këtë çerek-shekulli të jetës politike pluraliste në Kosovë. Mund të jenë në pakicë në lista zgjedhore njerëzit me integritet njerëzor, kombëtar e profesional, por për pakicën e zgjedhur mundet të votojë njeriu ynë, votuesi i secilit formacion politik, dhe kështu të krijojë shumicën e zgjedhur, trupin përfaqësues që do të mund t’i japë drejtim të ri Republikës sonë. Ky dekomunistizim i shoqërisë dhe i shtetit të Kosovës duhet të fillojë. Mundësia është tani. Mallkimit komunist duhet t’i vijë fundi. Me të dajthtën politike autentike shqiptare, me LDK-në e vijës tradicionale (jo të shartuar si LDK të Re), me Kosovën e kthyer te vlerat rugoviane, me njerëzit që kanë vlerat e shtatin për ta bërë këtë punë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera