MPJD e Kosovës i dërgon letër bashkësisë ndërkombëtare – kërkon të marrin masa ndaj Serbisë
Autori: Gazeta inFokus 22:56 | 27 December 2022
Situata në veri të Kosovës, e cila dita ditës po tensionohet edhe më shumë, ka bërë që Kosova të kërkojë ndihmë tek partnerët ndërkombëtarë.
Përmes një dokumenti trefaqësh, të cilin e ka siguruar RTV Dukagjini, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Diasporës (MPJD), u është drejtuar vendeve të Bashkimit Evropian (BE), duke kërkuar nga ta të marrin masa ndaj Serbisë, e cila vazhdimisht është duke tentuar ta destabilizojë veriun e Kosovës, së fundmi me vendosjen e barrikadave.
Në letrën drejtuar BE-së, MPJD, ofron fakte kronologjike të asaj që ka ndodhur në veri të Kosovës.
“Në skenarin më të mirë, Serbia po përpiqet qëllimisht të destabilizojë Kosovën për të parandaluar përparimin e dialogut, veçanërisht në kontekstin e planit të sapo propozuar të BE-së (të mbështetur nga Franca dhe Gjermania) për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në letrën dërguar BE-së.
Në këtë dokument po ashtu thuhet se “skenari më i keq” instrumentalizimi i grupeve kriminale nga Serbia për ta përsëritur luftën e vitit 1999.
“Në skenarin më të keq, përshkallëzimi dhe instrumentalizimi i qëllimshëm i grupeve kriminale që të kujtojnë modus operandi të Serbisë për fillimin e luftërave në vitet 1990, janë me të vërtetë një ogur i keq dhe një materializim i asaj që regjimi luftarak në Beograd ka trumbetuar për vite me radhë”, thuhet në dokument.
Tutje në dokumentin e MPJD-së, dërguar BE-së, jepen detajet kronologjike nga data 10 dhjetor kur grupet kriminale serbe kishin vendosur barrikada në rrugët e komunave veriore, e deri te sulmet e fundit ndaj gazetarëve të mediumeve kosovare të cilët po raportonin nga veriu.
“Më 10 dhjetor, Serbia udhëzon grupet kriminale në veri të Kosovës që të vendosin barrikada, një masë tashmë e zakonshme sa herë që Beogradi dëshiron të rrisë tensionet në Kosovë. Ajo që është ndryshe këtë herë është se presidenti serb Vuçiq nuk po shtiret më se kush qëndron pas tyre – ai jo vetëm që pranon hapur se ka kontrollin e barrikadave, por tani po i legjitimon dhe i përdor ato si një mjet politik për destabilizimin”
“Në të njëjtën ditë, pas sulmeve ndaj qytetarëve, policëve dhe gazetarëve, një patrullë zbuluese e misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) sulmohet nga një granatë trullosëse. Më 11 dhjetor, paraqitet një kërkesë zyrtare3 për ri-vendosjen e trupave serbe në Kosovë, që të kujton në mënyrë të frikshme taktikat e Rusisë për pushtimin e një shteti sovran nën pretendimin e mbrojtjes së “komunitetit të tyre të rrezikuar”. Autoritetet e Republikës së Kosovës qëllimisht nuk kanë lëvizur ende për të çmontuar barrikadat për të mos ngritur tensione dhe kanë kërkuar mbështetje nga misioni i KFOR-it”, thuhet në letrën e MPJD-së.
Në dokument po ashtu, përmenden deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte thënë se “Millosheviqi ishte një udhëheqës i madh”.
“Më 13 dhjetor, në Beograd mbahet një tubim4 për të kërkuar ndërhyrjen e qeverisë serbe në Kosovë, me shumë serbë – përkrahës të Vuçiqit – që valëviten flamujt rusë dhe brohorasin thirrje urrejtjeje dhe raciste për dhunë. Udhëheqësit politikë serbë kanë ushqyer ndjenjën e intolerancës dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve të Kosovës për vite me radhë – nga ministri i tyre i jashtëm tani Daçiq, i cili kërcënon publikisht qytetarët serbë që zbulojnë informacione për varrezat masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, deri te vetë Vuçiq që përshëndeti Millosheviqin si një “udhëheqës i madh që kishte qëllimet më të mira, por rezultatet tona ishin të këqija”6. Kjo nuk është aspak befasuese, duke qenë se është i njëjti Vuçiq, i cili, ndërsa gjenocidi në Srebrenicë po kryhej nga forcat serbe, tha: “Për çdo serb të vrarë, ne do të vrasim 100 myslimanë”, thuhet në dokument.
Në dokumentin e MPJD-së, përmendet edhe ndalimi i politikanes serbe, Rada Trajkoviq, e cila ishte ndalur në kufirin Kosovë-Serbi, për më shumë se 20 orë, pa akses në ujë, ushqim dhe barna esenciale për të.
Po ashtu, përmendet edhe protesta e grupeve kriminale e mbajtur me 18 dhjetor, të cilët kishin tentuar ta sulmojnë kufirin Serbi-Kosovë.
“Më 18 dhjetor, grupet kriminale nga Serbia protestojnë dhe përpiqen të sulmojnë kufirin Serbi-Kosovë, me individë të maskuar të veshur me shenjat e Wagner (paraushtarak rus)11, të udhëhequr nga Damjan Knezevic, lideri i ri i dukshëm i Wagner në Serbi12. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO, i vendosur në kufirin e Kosovës, konfirmoi praninë e grupeve kriminale në kufi”, thuhet në dokument.
Ndër tjerash, dokumenti flet edhe për të shtënat me armë zjarri ndaj forcave letoneze të KFOR-it të cilët operojnë në Kosovë.
“Akoma më keq, menjëherë pas sulmit, mediat serbe të kontrolluara nga Vuçiq filluan të raportojnë se ishte Policia e Kosovës ajo që hapi zjarr ndaj qytetarëve serbë, duke u përpjekur të ndezë më tej tensionet dhe të nxisë konfrontime të armatosura në veri. Vuçiq takohet menjëherë me forcat e tij të armatosura dhe dërgon Shefin e Shtabit të Ushtrisë në kufirin me Kosovën”, thuhet në dokument.
Po ashtu, theksohen edhe sulmet ndaj gazetarëve, të cilët së fundmi ishin goditur me gurë të mëdhenj kështu duke u lënduar një gazetare dhe një shofer.
Në letër përmendet edhe raporti i ngushtë në mes të Rusisë dhe Serbisë, teksa u bëhet thirrje BE-së t’i dënojnë përpjekjet e Serbisë për ta destabilizuar jo vetëm Kosovën por edhe rajonit.
MPJD ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare ta nxisin Serbinë, që të rikthehet në dialog “për normalizimin e marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër të tij dhe t’i zgjidhin të gjitha çështjet në mënyrë paqësore”. /Dukagjini/
Të tjera
-
Haiziri tregon kur mund të mbahen zgjedhjet
Mundësia për zgjedhje të parakohshme duket të mos jetë e mundur aktualisht. ...
-
Vuçiq i bindur te fitorja e tij në zgjedhje: Hapini kutitë, mund t’i numëroni 100 herë
Një ditë pas triumfit në zgjedhjet e pjesshme lokale, presidenti i Serbisë, A...
-
Kurti thotë se kompania turke “Baykar” është adresë e duhur për armatim: Kur do të blejmë e sa, merret vesh më vonë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se kompania turke “Baykar”,...
-
Sveçla “ndërron temë”, publikon pamje të maleve të Veriut
Derisa në vend po debatohet rreth telefonatës së Mimoza Kusari-Lilës dhe Mila...
-
Valon Syla ka një pyetje për Albin Kurtin: Pse e merr me vete në çdo takim Kusari-Lilën?
Valon Syla, gazetar, ka folur në “Pressing” të T7, për bisedën e publikuar ku...
-
Dalin pamjet e adoleshentit nga Fushë Kosova që u rra hë me grushte nga disa persona
Një prind në Fushë Kosovë ka raportuar se disa persona ia kanë rrahur djalin....
-
Paralajmërimet për hapjen e Urës së Ibrit, ish-Komandanti i KFOR’it Bühler: Qeveria duhet t’i dëgjojë këshillat e aleatëve
Ura e Ibrit është mbyllur qe shumë vite për qarkullim të veturave, mirëpo vit...
-
Haxhiu viziton nënën e Eronës që u v*a nga ish-partneri i saj: Secila pjesë e shtëpisë ia kujton ndonjë moment me vajzën dhe nipin
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot nënën e Erona Coklit...
-
Të ardhurat mesatare do të bien me 19% për shkak të ndryshimit klimatik
Të ardhurat mesatare në mbarë botën do të pakësohen me një të pestën deri në ...
-
Në Serbi po kryhen arrestime për akuza të panjohura në Kosovë
Pikëkalimi mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare, është një prej zonave ku autorit...
-
Bllokohet puna e “Bechtel & Enka-s” në Maqedoninë e Veriut
Punimet për ndërtimin e dy autostradave në Maqedoninë e Veriut, pjesë e Korri...
-
“Kush don paqe sot, emri i saj është liri”, Molliqaj kërkon që Kosova ta njohë shtetin e Palestinës
Kryetar i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kërkuar që Kosova ta njohë shtetësinë e...