Lajme

Mosshpronësimi i shpejtë i pronave fut Kosovën në krizë energjetike

Autori: Gazeta inFokus 17:11 | 16 August 2017

Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshjet për shpronësim me të gjithë banorët e fshatit Shipitullë, zonë kjo ku do të bëhen mihje në kërkim të rezervave të thëngjillit.

Çështja e shpronësimi të këtyre tokave është aktualizuar kohëve të fundit, pas paralajmërimeve se Kosova do të përballet me krizë energjetike, për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike.

Arben Gjukaj, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se janë duke vazhduar negociatat me banorët për të nënshkruar marrëveshjet për shpronësim.

-Advertisement-

Disa nga banorët, thotë Gjukaj e kanë pranuar ofertën, por ka edhe banorë të cilët kanë kërkesa të ndryshme dhe shtyhen nga dikush tjetër që të mos e pranojnë.

“Deri më tani ka pajtueshmëri për 23 kontrata, ditëve të fundit janë kryer edhe 5 negocime me banorët, të cilët janë afër nënshkrimit të këtyre kontratave, ndërkaq pjesa tjetër kalon me Ligj të shpronësimit”, thekson Gjukaj.

Fshati Shiptullë, i cili gjendet rreth 20 kilometra nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është zonë e shpallur me interes të veçantë për zgjerimin e aktiviteteve minerare të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Por, pavarësisht se ky fshat ishte shpallur nga autoritetet kompetente zonë me interes, qysh në vitin 2004, për tu rikonfirmuar edhe një herë në vitin 2009, në këtë zonë banorët kishin ndërtuar shtëpi.

Vetëm në Shipitullë brenda gjatë viteve të fundit janë ndërtuar mbi 200 shtëpi.

Proceduarat për marrjen e këtyre tokave në fshatin Shipitullë dhe në gjithë zonën e mihjes së re, bëhet përmes dy dokumenteve ‘Korniza e politikave për zhvendosje’ dhe ‘Ligji për shpronësimin e tokës së paluajtshme’.

Drejtor i departamentit të shpronësimit në Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Afrim Murati, bënë të ditur për Radion Evropa e Lirë se nëse banorët nuk pajtohen me dokumentin e Kornizës së politikave për zhvendosje, atëherë shpronësimi bëhet përmes ligjit.

“Në rastin konkret, KEK nuk ka arritur të bindë banorët që të pranojnë procesin e zhvendosjes dhe është vonuar në proceduara, do të thotë është vonuar deri afër 3 vite me procedura, dhe nuk ka arritur të bindë banorët për të pranuar procesin e zhvendosjes, do të thotë po marrjen e tokave përmes Kornizës së politikave për zhvendosje, e cila ofron benificionet më shumë sesa Ligji për shpronësim”, thekson Murati.

Për 17 prona, me gjithsej 8 shtëpi të fshatit Shipitullë, banorët e të cilëve nuk janë pajtuar me Kornizën e politikave të zhvendosjes, thekson Murati, kanë filluar procedurat e shpronësimit sipas Ligjit për shpronësim.

Sipas tij, i gjithë ky proces do të përfundojë deri në fund të këtij muaji.

Ndërkohë, nga Korporata Energjetike e Kosovës ditëve të fundit, bën të ditur Murati, kanë arritur edhe kërkesa tjera për shpronësim të tokave.

“Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë dy kërkesa për shpronësim, njëherë për 17 prona që kemi filluar procedurat e shpronësimit dhe tani më datën 10 të këtij muaji ka bërë kërkesën e dytë për pjesën e mbetur të fshatit Shipitullë dhe të lagjes ‘Mirena’ të fshatit Hade”, thekson Murati.

Procedurat për shpronësim, që nga paraqitja e kërkesës, sipas autoriteteve kompetente zgjasin deri në tre muaj.

Ndërkohë, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj iu bënë thirrje autoriteteve në vend që të jenë vigjilent dhe të marrin vendime sa më të shpejta dhe të ndihmojnë Korporatën që të kalojë këtë sfidë.

“KEK kërkon që të respektohen ligjet, të respektohen rregulloret dhe ta evitojmë të keqen e mundshme pasi që po hyjmë në sezonin e dimrit. Ne jemi duke bërë përpjekje që të mos vijmë në atë situatë, por nëse nuk kryhen veprimet konform kërkesave tona, atëherë mund të vijimë në një situatë jo të mirë dhe ne do të veprojmë konform asaj situate”, thekson Gjukaj.

Pasiguria me furnizim me energji elektrike është një nga problemet që ka përcjell Kosovën që nga paslufta. Ndonëse, gjatë viteve të fundit kishte pasur përmirësim të furnizimit me energji elektrike, megjithatë, asnjëherë Kosova nuk ka arritur të shkarkohet nga ky problem.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €
-Advertisement-

Të tjera