Mospajtime ndërmjet Kosovës dhe BE-së për heqjen e masave

Autori: Gazeta inFokus
17:52 | 18 August 2023
Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sipas propozimit të Bashkimit Evropian(BE), por thekson se Aneksi për zbatimin e saj duhet të zbatohet “në mënyrë të sekuencuar dhe të balancuar”.
Kështu e komenton Qeveria e Kosovës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, qëndrimin e BE-së se, për heqjen e masave ndëshkuese – krahas hapave të mëtejshëm drejt shtensionimit të situatës në veri – është “me rëndësi thelbësore” zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe Aneksit të zbatimit të tij.
“Kjo përfshin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë]”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve sipas propozimit të BE-së, është arritur në fund të shkurtit, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj, palët u dakorduan në mars. Kjo marrëveshje parasheh zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, marrëveshja ra në plan të dytë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, në fund të majit.
Pse u vendosën masa ndëshkuese ndaj Kosovës?
Në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe, tensionet u ngritën pasi kryetarët shqiptarë, me ndihmën e policisë, hynë në ndërtesat komunale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me pjesëtarët e misionit ushtarak paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), në Zveçan. Me atë rast u plagosën rëndë dhe lehtë rreth 90 ushtarë të KFOR-it, si dhe dhjetëra serbë që morën pjesë në përleshje.
BE-ja, e cila prej më shumë se dhjetë vjetësh ndërmjetëson në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Prishtinës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.
Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj, në fund të qershorit, në formë të pezullimit të përkohshëm të punës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Po ashtu, prezenca e Kosovës në organizimet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale është pezulluar.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 10 korrik, në Bratisllavë arritën marrëveshje për shtensionim të situatës në veri.
Përveç hapave konkretë që kanë të bëjnë me tërheqjen e policisë nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, BE-ja theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të dala nga dialogu.
Qeveria e Kosovës: Masa të padrejta, zbatim me radhë dhe i balancuar i marrëveshjes
Qeveria e Kosovës thekson se pika e parë e marrëveshjes për shtensionim, e cila ka të bëjë me reduktimin e forcave policore, tashmë është përmbushur dhe shton se deri më tani, 50 për qind e policëve janë tërhequr nga dhe rreth objekteve komunale në veri të vendit.
Qeveria thekson se është bërë një vlerësim i sigurisë në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in (misionin e BE-së për sundimin e ligjit), siç parashikohet në pikën e dytë të marrëveshjes, dhe se është duke vazhduar përgatitja e udhëzimit administrativ, në bazë të të cilit do të hapet rruga për shpalljen e zgjedhjeve të reja.
“Kosova po respekton dakordimin me BE-në. Në të njëjtën kohë, në terren ne kemi një situatë të shtensionuar në shkallë të konsiderueshme. Siguria është më e mirë. Situata është më e qetë. Janë bërë rreth dy muaj prej kur është shënuar incidenti i fundit i dhunshëm”, thonë nga Qeveria e Kosovës.
Megjithatë, ata shtojnë se Kosova është e vetëdijshme për përshkallëzimin e ri potencial që mund të shkaktohet nga Serbia duke “nxitur urrejtje dhe agresivitet”.
Prandaj, siç thuhet në përgjigjen për REL-in, Qeveria e Kosovës beson se masat ndëshkuese të BE-së ishin dhe janë të padrejta, “veçanërisht pas progresit në zbatimin e marrëveshjes për shtensionim dhe përmirësimit të situatës në terren”.
Lidhur me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj, Qeveria e Kosovës thekson se Prishtina zyrtare është gjithmonë “e gatshme, konstruktive dhe e përkushtuar” për ta zbatuar marrëveshjen “në mënyrë të sekuencuar dhe të balancuar”.
“Ndërkaq, në anën tjetër, duhet gjithmonë të theksohet refuzimi publik i njëpasnjëshëm i Serbisë për t’i zbatuar ato, bashkë me shkeljet e vazhdueshme, pa asnjë vërejtje apo pasojë nga BE-ja”, thotë Qeveria e Kosovës.

Të tjera
-
Trump: Lụfta në Ukrainë është deri diku nën kontroll, duhet ta ndalim se mund të çojë në Lụftën e Tretë Botërore
Presidenti amerikan Donald Trump i ka thënë faqes amerikane të sportit Outkic...
-
FSHF shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit Saimir Demi
Federata Shqiptare e Futbollit shpreh keqardhjen e thellë për lajmin tragjik ...
-
Shala, PDK: Shtrenjtimi i serishëm i çmimit të energjisë, do të dëmtojë rëndë qytetarët dhe bizneset kosovare
Deputeti i PDK’së, Ferat Shala, ka thënë sot në një konferencë për media se p...
-
Të shtëna me ạrmë në Dollc të Klinës, arrestohen dy persona
Sot ka pasur të shtëna me armë zjarri në fshatin Dollc të Klinës. Në vendi...
-
Parashikimi i motit për javën e ardhshme
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se java e ardhshme pr...
-
Kremlini thotë se priten bisedime të “vështira” për armëpushimin Ukrainë-Rusi
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka folur për televizionin shtetëror rus...
-
Paralajmërohet shtrenjtimi i produkteve të qumështit nëse shtrenjtohet rryma, Qeverisë i kërkohet ta parandalojë këtë
Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës i ka kërkuar Qeverisë që të ndër...
-
Sorensenit i propozohet ta “vëjë në ballë të dialogut njohjen reciproke, që ta zgjidhë konfliktin përgjithmonë”
Tetëmbëdhjetë muaj pa një takim të nivelit të lartë – dialogu mes Kosovës dhe...
-
Rama në Vlorë, kritika për deputetët dhe mbështetje për kandidatet e reja: PS duhet të hapet
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Vlorë me kandidatët e Partisë Soci...
-
DW: Trump dhe gjykatat – A po shkon SHBA drejt autokracisë?
Gjykatat amerikane kanë rrëzuar disa nga planet e Donald Trump. Presidenti sh...
-
Arrestohen 10 persona në Gjakovë për organizim të lojërave të fatit, policia konfiskon para, çipa të pokerit dhe një revole
10 persona janë arrestuar në Gjakovë nën dyshimin për organizim të skemave pi...
-
100 franga gjobë, jepet dënimi i parë për mbulimin e fytyrës në Zvicër
Për herë të parë në Zvicër, është vendosur një sanksion për shkeljen e ndalim...