Misioni që zhgënjeu (1)
Autori: Gazeta inFokus 09:56 | 10 July 2021
Shkruan: Agron HOTI
Ne, gjeneratat e lindura para luftës së fundit të Kosovës për çlirim, kishim idealizëm të theksuar për mënyrën se si duhej bërë dhe funksionuar shteti. Sikurse të gjithë popujt e pushtuar të botës kishim vetëm një ëndërr: çlirimin nga pushtuesi. Sa më shumë që Serbia pushtuese rëndonte terrorin sistematik ndaj shqiptarëve aq më shumë rriteshin përpjekjet, sakrifica dhe idealizmi për shtetin e ëndërruar me shekuj. Mendonim që sapo shteti të bëhej, do të lulëzonim brenda nate. Mes qytetarëve qarkullonte thënia se “kur ta bëjmë shtetin, do të hamë me lugë ari”. Deri në këtë shkallë shkonte idealizmi për shtetin që s’e kishim.
Por, shpresa, që pas bërjes së shtetit do të lulëzonim brenda nate, kishte qenë vetëm një idealizëm i theksuar i një populli të pushtuar mbi 2000 vite. Dhe mirë që kishte qenë ashtu, sepse nëse shtetin s’do ta idealizonim si të tillë, s’do të kishte fare përpjekje për ta bërë atë. Megjithatë, rrjedha e ndërtimit të shtetit të rendit e ligjit në Kosovë, përfshirë zhvillimin ekonomik, s’mund të ishte më ndryshe nga bota, sepse vetë organika e ndërtimit të shteteve do kohën e duhur, pavarësisht pritjeve të mëdha të qytetarëve në shpërputhje me mundësitë.
Meqë Kosova gjatë pushtimit jugosllav përpos aparatit të terrorit s’kishte pasur pothuajse fare sistem drejtësie dhe meqë misioni i OKB-së (UNMIK) në Kosovë po bënte të njëjtën lojë sikurse shumë tjera sosh të korruptuara nëpër botë, po shpresonim që misioni i EULEX-it, duke qenë nga BE – ku edhe po synonim të integroheshim – do t’ia dilte të ngriste një sistem drejtësie, nëse jo unik e shembull për rajonin, së paku normal e stabil, të cilin shqiptarët e Kosovës s’e kishin përjetuar më parë.
Meqë Kosovës së dalur nga shkrumbi e terrori i vitit 1999, po i kërkoheshin standarde aq të larta drejtësie, të cilat në fakt si të tilla as vet BE s’i kishte plotësuar ndonjëherë, shih këtu megaskandalet e pandëshkuara euro-multimiliardëshe korruptive gati ditore anekënd BE-së, po shpresonim që Evropa kësaj radhe në raport me shqiptarët e kishte sinqerisht në deklarimet e saj për të ndërtuar diçka prosperuese në Kosovë. Kjo ishte bindja e shumicës qytetare në vitin 2008, ku po shpresohej që shteti i ri me drejtësi të filluar nga zero do të ishte kombinimi më perfekt i mundshëm për shtetin e ëndërruar të së drejtës.
E besimin e sinqertë ndaj EULEX-it provonim ta lidhnim edhe me faktin se shqiptarët nga viti 1945-1999 kishin kontribuar më së shumti në Ballkan për demokratizimin e Evropës, duke qenë kështu vazhdimisht në linjë me zhvillimet dhe përpjekjet për demokraci, liri, të drejta të njeriut dhe ekonomi tregu të lirë në Evropë. Po shpresonim që BE përmes këtij misioni do të shpërblente këtë kontribut e sakrificë të jashtëzakonshme të shqiptarëve për liri dhe demokraci dhe për dallim prej UNMIK-ut, do të sillte gjyqtarë, prokurorë e policë profesionistë.
Po llogarisja që ky mision do të na sillte top ekspertë/e nga vende të BE-së për të ngritur një sistemin drejtësie shembull për rajonin e Ballkanit që gjatë periudhës komuniste, s’kishte pasur sistem të mirëfilltë drejtësie dhe si rrjedhojë ishte zhytur në korrupsion e krim të organizuar. Po llogarisja edhe në faktin se shqiptarët e Kosovës, përpos që qenë terrorizuar nga pushtuesi serb dhe kishin përjetuar njërin prej sistemeve më të kalbura dhe më të korruptuara në botë siç kishte qenë komunizmi, tanimë kishin para vetes një mision të BE-së, i cili do t’ia dilte të ndërtonte një frymë dhe mendësi evropiane në ngritjen e institucioneve të shtetit më të ri në Evropë.
Si qytetarë të Kosovës po mendonim që përmes këtij misioni të EULEX-it tanimë:
– ishin tejkaluar vështirësitë, përçarjet dhe antagonizmat mes shteteve anëtare të BE-së; edhe pse as atëherë e as sot s’kishte unitet brenda BE-së në politika të jashtme, të brendshme dhe të mbrojtjes dhe as që pritet të ketë ndonjëherë;
– ishin neutralizuar ato forca politike gjithandej BE-së që kishin qenë kategorikisht kundër ndërhyrjes së NATO-s dhe pavarësisë së Kosovës dhe pse jo kundër popullit shqiptar atëherë dhe sot;
– s’do të luhej më me standarde të dyfishta duke e bashkëpunuar ngushtë dhe pa kritere evropiane me shtete autoritare (Rusi, Turqi, Vende Arabe, Iran, etj.) dhe gjenocidale (shih terrorin e Kinës ndaj ujgurëve) e në anën tjetër duke i kërkuar kritere evropiane Kosovës, kushtetutën aq liberale e demokratike të së cilës s’e ka as edhe një shtet i vetëm në BE dhe në botë;
– s’do t’i bëhej sabotazh nga brenda ndërtimit të shtetit të Kosovës nën maskën e standardeve që s’i plotësonte askush, jo vetëm në Evropë por askund në botë;
– përgjegjësia për dështim eventual të bashkëqeverisjes së sistemit të drejtësisë do të ndahej mes Kosovës dhe BE-së e jo e tëra t’i faturohej Kosovës siç kishte ndodhur me UNMIK-un dhe misionet tjera të OKB-së gjetkë nëpër botë.
Por, mes dëshirës dhe realitetit gjithmonë ka një deti të tërë. Jo rastësisht thuhet se “për ta njohur dikë, i kërko rrënjët dhe të kaluarën”. Megjithatë, nga etja për liri, pavarësi e shtet të munguar mbi 2000 vite, Kosovës as që po i interesonin rrënjët e EULEX-it, sepse fundja e dinim që vinte nga Evropa e ‘Vjetër’, por megjithatë po i referoheshim thënies se “popullin e mbajnë shpresat”. E për fat të keq, misioni i EULEX-it s’kishte qenë asgjë më shumë sesa një ëndërr e bukur që kurrë s’u bë realitet.
Pasiqë, misioni i EULEX-it tanimë kishte zbarkuar dhe filluar punën në Kosovë, s’vonoi shumë derisa i doli fytyra që më së paku e prisnim. Shumë shpejtë filluan të qarkullonin zëra nga brenda dhe jashtë Kosovës duke thënë se ky mision:
– ishte e panevojshëm, ngaqë Kosova duhej pjekur vetë si shtet pas shpalljes së pavarësisë;
– kishte në brendi njerëz të korruptuar të vendeve të BE-së dhe të dështuar në karrierat e tyre;
– shumica sosh kishin ndërruar vetëm uniformat nga UNMIK i korruptuar në EULEX;
– kishte në brendi serbë me pasaporta të vendeve të BE-së, saktësisht siç flitej të kishte patur shumë sosh edhe nën administratën e UNMIK-ut;
– kishte më shumë miq të serbëve sesa shqiptarëve;
– kishte ardhur jo për të ngritur gjë, por për të sabotuar drejtësinë, duke i hapur kështu rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, të cilën Serbia e Rusia e sponsorizuan me të gjitha mjetet e mundshme për ta barazuar viktimën me agresorin dhe për ta goditur përfundimisht shtetin e Kosovës, të cilin ato e shohin si projekt amerikan në zemër të Ballkanit;
– thjeshtë dhe përfundimisht kishte ardhur për ta goditur UÇK-në, e cila shumëkujt në Evropë i kishte prishur matematikat për Serbinë e konsideruar mike historike, etj.
E këtë rrëfim negativ për EULEX-in s’doja asesi ta besoja, edhe pse realiteti shkonte në atë drejtim. Vështirë ta takoje një zyrtar të BE-së dhe vendeve anëtare të saj që ta lavdëronte atë. E absurdi ndodhte kur vetë zyrtarë të EULEX-it talleshin dhe s’besonin fare në kauzën e misionit për të cilën ishin thirrur të punonin. Gjithsesi që kishte edhe njerëz të përgatitur brenda këtij misioni, por që nuk u jepej rasti ta demonstronin etikën, profesionalizmin dhe paanshmërinë e nevojshme, për të cilat Kosova kishte më së shumti nevojë.
Dhe e gjitha rrodhi ashtu siç edhe ndodhi. Misioni i EULEX-it, që nga fillimi deri me sot, u mor vetëm me një temë, që ishte ndjekja e krerëve të UÇK-së me çdo kusht dhe me çdo çmim, duke fabrikuar kështu prova e ç’prova e duke bashkëpunuar edhe me Serbinë. Nën maskën se po godiste korrupsionin, EULEX-i po sajonte gjyqe kryesisht, nëse jo ekskluzivisht, kundër krerëve të UÇK-së që kishin bërë luftë çlirimtare. Kurse, as që po i bënte për serbët që kishin bërë gjenocid, shkretim e tentim-shfarosje mbi 100 vjeçare ndaj popullit shqiptar, thua se prej qejfit i paskemi kthyer pushkën Serbisë.
Pastaj, ky mision, i thirrur për ta luftuar korrupsionin, as që po merrej me pasuritë përrallore kriminale të vijës shqiptare ish-komuniste, pra të atyre shqiptarëve që sot kanë pjesën më të madhe të tregut të Kosovës. Ky mision luftën kundër korrupsionit e kishte bërë maskë për të goditur politikisht strukturën e UÇK-së, ndërsa me strukturën ish-komuniste shqiptare të superkorruptuar as që po merrej, përkundrazi po bashkëpunonte ngushtë me të. E kjo nuk po kalonte pa u vërejtur nga qytetarët e Kosovës, të cilëve liria e munguar mbi 2000 vite u kishte ardhur vetëm falë sakrificës së paparë të djemve e vajzave të UÇK-së që u përballën me një armik shumëfish më të fuqishëm sesa Kosova.
E në anën tjetër Serbia e Rusia, të goditura ndërkombëtarisht nga GJND, po e përdornin EULEX-in si trampolinë për të ngritur Gjykatën Speciale duke demonizuar dhe monstrumizuar UÇK-në, saktësisht krahun që i kishte prishur planet serbo-ruse në Ballkan. E qartë, edhe perandoritë si ajo romake, bizantine dhe osmane kishin sulmuar vetëm krahun shqiptar të luftës, sepse vetëm krahu çlirimtar si atëherë ashtu edhe sot e nesër është ai që prishte matematikat pushtuese. Edhe EULEX-i me segmente të caktuara në Kosovë me apo pa vetëdije po çonte ujë në të njëjtin drejtim. Kjo sepse duke e paraqitur sistemin drejtësisë të dështuar, po i hapnin rrugë Speciales. Ky demonizim, komprometim dhe diskreditim i strukturës së UÇK-së po bëhej nga një mega-inxhiniering i super-orkestruar nga jashtë dhe brenda Kosovës. E për ironi të fatit, struktura e UÇK-së, me skandalet e pafalshme që po tregonte në qeverisje dhe në shpërdorimin e madh të resurseve profesionale, vetëm sa po i ushqente këto apetite kundër UÇK-së duke e humbur gradualisht përkrahjen popullore.
Në vend që ky mision të tregonte rezultatet e para drejt ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm drejtësie, përkundrazi po tentonte të gjykonte e dënonte krerë të UÇK-së pa asnjë provë bile pa e ditur as se kush kishte qenë viktima, rast ky i paparë në glob, po tentonte të fabrikonte prova, po bënte përndjekje e gjyqe politike, po flirtonte gjithnjë e më hapur me Serbinë. Edhe ata pjesëtarë të EULEX-it që vinin në Kosovë si politikisht asnjanës dhe së paku jo antishqiptarë, shumë shpejtë po ‘konvertoheshin’ në anti-UÇK nëpër ‘muzikalitetet‘ e ‘Graçanicave’ të Kosovës të organizuara dhe mbështetura fuqishëm nga shteti serb. Thjeshtë, ky mision po degradonte çdo vit e më shumë dhe për fatin tonë të keq vetëm me reformë drejtësie s’po merrej, përkundrazi po e sabotonte atë. (vazhdon)
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...