Lajme

Mirjeta Zeka gati që katër vjet e zhdukur, Prokuroria ende pa asnjë rezultat për zbardhje të rastit

Autori: Gazeta inFokus 12:05 | 17 December 2022

Në mars të vitit 2023 bëhen katër vite që prej kur nuk dihet më për fatin e Mirjeta Zeka-Shabanit. Ajo është shpallur e zhdukur që nga 31 marsi 2019.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka pezulluar hetimet për këtë rast, pa treguar arsyet se pse erdhi deri tek mosvazhdimi i hetimeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Hetimet për këtë rast kanë filluar, pastaj janë ndërprerë, dhe do të rifillojnë kur të eliminohen shkaqet të cilat kanë shkaktuar pezullimin”, thuhej në përgjigjen e zyrtarit për informim të kësaj prokurorie, Valon Pretenit në mars të këtij viti.

-Advertisement-

Ndërsa, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, prokurori i rastit Nijazi Rexhaj përmes telefonit, kishte thënë se “nuk po lënë gur pa lëvizur”, për të zbardhur rastin, por që deri më tani nuk ka asgjë në këtë drejtim.

Sipas prokurorit Rexha, pengesë është pamundësia për të marrë në pyetje tri vajzat e të pandehurit N.Sh, bashkëshortit të të zhdukurës Zeka-Shabani, por nuk ka treguar nëse kjo është arsyeja kryesore e pezullimit të hetimeve.

“Tre vajzat e të pandehurit nuk janë dëgju, ato janë në Gjermani, ato nuk i kemi dëgju, nuk po mundemi me i siguru”, ka thënë prokurori Rexha.

Ai ka shtuar se kanë kërkuar bashkëpunim ndërkombëtar, por që për shkak të legjislacionit në shtetin gjerman, nuk po arrijnë që të njëjtat t’i sigurojnë.

“Betimi për Drejtësi” në prill të këtij viti kishte kërkuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë të tregohen arsyet e pezullimit të hetimeve, datën kur janë pezulluar si dhe nëse janë njoftuar të dëmtuarit dhe nëse kjo Prokurori kishte bashkëpunuar me autoritetet gjermane për zbardhjen e këtij rasti, pasi e zhdukura sipas familjarëve jetonte në Gjermani së bashku me bashkëshortin e saj.

Edhe këtë herë, prokuroria nuk kishte dhënë përgjigje për datën e pezullimit të hetimeve, duke thënë se për këtë është njoftuar gjykata, ndërsa nuk kanë treguar nëse janë njoftuar edhe të dëmtuarit, në këtë rast familja e Mirjeta Zekës.

Tutje, nuk tregohen as arsyet e pezullimit të hetimeve, ndërsa kanë theksuar se hetimet do të rifillojnë kur të eliminohen shkaqet e pezullimit.

“Ekzistojnë ende arsyet që është pezulluar hetimi, dhe kur të eliminohen arsyet e pezullimit, atëherë rifillojnë hetimet”, thuhej në përgjigjen e prokurorisë në kërkesën e drejtuar më 5 prill 2022.

Ndërsa, sa i përket bashkëpunimit me autoritetet gjermane, të njëjtit kanë thënë se është kërkuar ndihmë juridike ndërkombëtare.

Për këtë rast, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar informata nga Ministria e Drejtësisë nëse të njëjtit kanë pranuar ndonjë kërkesë nga Prokuroria për ndihmë juridike ndërkombëtare për rastin e lartcekur. Mirëpo, MD-ja kishte refuzuar të përgjigjet për përmbajtjet e kërkesave, duke udhëzuar që t’i drejtohemi Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Ndërsa, prokurori i rastit, Nijazi Rexha, përmes telefonit, në nëntor të këtij viti kishte thënë se nuk kanë ende përgjigje prej Ministrisë.

“Betimi për Drejtësi”, ka insistuar të dijë më shumë detaje për këtë rast.

Për këtë arsye, sërish janë kërkuar informata nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, e cila kësaj radhe në përgjigjet e saj më 1 korrik 2022, ka treguar se i dyshuari N.SH, i cili thuhet të jetë bashkëshorti i të zhdukurës Zeka, është intervistuar nga Policia.

Të njëjtit kanë shtuar se janë marrë të gjitha veprimet hetimore për këtë rast, ndërsa edhe në përgjigjen e 1 korrikut, të njëjtit kanë vazhduar të mos tregojnë shkaqet e pezullimit të hetimeve.

Më pas, në tetor të këtij viti, është kërkuar sërish të dihet nëse hetimet në këtë rast kanë rifilluar dhe sa të dyshuar janë në këtë rast.

Deri tani është 1 person i dyshuar.”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë. Ndërsa, në pyetjen se a është intervistuar ndonjë i dyshuar, dëshmitar apo i dëmtuar deri më tani, tregohet së vetëm i dyshuari është dëgjuar nga policia me autorizim të prokurorisë.

Në lidhje me këtë rast, përgjigje ishin kërkuar edhe nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ku këta të fundit kanë kërkuar nga Prokuroria kompetente informata lidhur me rastin.

Por që, edhe nga kjo zyrë kemi marrë të njëjtën përgjigje, ku të njëjtit kanë treguar se janë përgjigjur në kërkesat e “Betimi për Drejtësi” dhe se rastin në fjalë do të merren të gjitha veprimet ligjore.

Por, cilat janë ato shkaqe për të cilat mund të pezullohen hetimet sipas Kodit të Procedurës Penale, e për të cilat Prokuroria Themelore në Mitrovicë mund t’i ketë pezulluar hetimet?

Sipas Kodit përkatës, në nenin 157 janë paraparë disa nga shkaqet kur hetimet mund të pezullohen:

  • Prokurori i shtetit mund të pezullojë hetimin me aktvendim nëse i pandehuri pas kryerjes së veprës penale vuan nga një çrregullim ose paaftësi e përkohshme mendore ose nga ndonjë sëmundje tjetër e rëndë,
  • Nëse është arratisur,
  • Ekzistojnë rrethana të tjera të cilat përkohësisht e pengojnë ndjekjen me sukses të të pandehurit.

Pra, ky Kod ka përcaktuar disa shkaqe për të cilat mund të pezullohet hetimi, mirëpo e ka lënë të hapur mundësinë e ekzistimit të rrethanave tjera, të cilat përkohësisht mund të pengojnë ndjekjen penale.

Historiku i zhdukjes së Mirjeta Zeka-Shabanit

Mirjeta Zeka-Shabani, dyshohet të jetë zhdukur më 31 mars 2019, ditën kur ajo do të kthehej në Gjermani, pasi e njëjta sipas familjarëve po qëndronte në Kosovë deri në atë ditë.

Vëllezërit e Mirjetës, pas marrjes së informatave për zhdukjen e saj e kishin raportuar rastin në Polici.

Sipas familjarëve, për zhdukjen e Mirjetës ishin njoftuar nga bashkëshorti i saj N.SH, disa muaj pas zhdukjes, ku sipas tyre iu është thënë se e njëjta ka ikur. Mirëpo, të njëjtit në vazhdimësi kanë hedhur dyshime për zhdukjen e saj.

Mirjeta Zeka sipas familjarëve ishte martuar në vitin 2006 me N.Sh (me shtetësi të Gjermanisë) ku ishin kthyer në Kosovë nga Gjermania për pushime dhe kishin planifikuar të ktheheshin në Gjermani përsëri më 1 prill 2019.

Për këtë rast, në vitin 2020,  Policia dhe njësitet e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), kishin bërë kërkime pranë urës së Ibrit, ku dyshohej se ishte trupi i Mirjeta Zeka-Shabanit, mirëpo kërkimet në këtë zonë kishin përfunduar pa rezultat.

Kërkime të ngjashme ishin bërë edhe në dhjetor të vitit 2021 në lumin Sitnica, por edhe kësaj radhe nuk ishte gjetur asnjë gjurmë për Mirjeta Zekën.

Deri më tani, nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur me fatin e Mirjeta Zeka-Shabanin, teksa Prokuroria po vazhdon me pezullim të hetimeve.

Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të kontaktojë edhe me bashkëshortin e Mirjetës, të dyshuarin N.SH, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm dhe nuk ka qenë e mundur të dëgjohet edhe versioni i tij lidhur me dyshimet për zhdukjen e Mirjetës si dhe me dyshimet për vrasjen e saj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!
-Advertisement-

Të tjera