Lajme

Miratohet Raporti Vjetor i Avokatit të Popullit për vitin 2016

Autori: Gazeta inFokus 15:51 | 03 May 2017

Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, i udhëhequr nga kryetarja Lirije Kajtazi, kryetare, shqyrtoi raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016, si dhe procedoi për seancë plenare propozimin e kandidatëve për zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit.

Në këtë takim, i ftuar për raportim në komision ishte Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili vlerësoi se gjatë këtij mandati, krahasuar më vitet paraprake, është punuar me një intensitet më të lartë dhe është bërë punë shumë efektive në fushën e të drejtave te njeriut.

“Në kuadër të zbatimit të mandatit, gjatë këtij viti raportues janë adresuar 173 rekomandime, për institucionet e Republikës së Kosovës, gjë që shënon rritje prej 203% në krahasim me vitin paraprak. Gjithashtu, është shënuar rritje në nivelin prej 100% të rasteve të hetuar Ex-Officio (hetimeve me vetë iniciativë) krahasuar më vitin e kaluar, që kanë të bëjnë kryesisht me shkelje sistematike të të drejtave të njeriut dhe lirive të njeriut”, tha Jashari.

-Advertisement-

Gjatë raportimit të tij, Jashari vuri në dukje edhe angazhimet dhe punët tjera që janë zhvilluar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, siç janë: procesi i ri-organizimit, që ka për qëllim ngritjen e efektivitetit dhe ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e mandateve të besuar me Kushtetutë dhe ligje, hartimi i strategjisë për planin zhvillimor të IAP-së për vitin 2017-2019, më anë të së cilës do të zhvillohen aktivitet e institucionit për gjatë këtyre viteve.

Anëtarët e komisionit e vlerësuan punën dhe angazhimin e Avokatit të Popullit, në veçanti rritjen e numrit të rekomandimeve adresuar institucioneve përkatëse. Pas diskutimeve nga anëtarët e komisionit, raporti u miratua dhe do t’i dërgohet Kuvendit për miratim.

Në pikën e dytë të shqyrtimit të vendimit të Avokatit të Popullit për propozimin e kandidatëve për zgjedhjen e pesë zëvendësve nga ky institucion, anëtarët e komisionit votuan listën me 12 emra, e cila do të votohet sipas procedurave të rregullores së Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, shqyrtimi i peticioneve është shtyrë për mbledhjen e radhës, për shkak të mungesës së kuorumit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…
-Advertisement-

Të tjera