Lajme

Miratimi i ligjit të ri, Këshilli Prokurorial: Pushteti po tenton ta kapë dhe dirigjojë KPK-në e Prokurorin e Shtetit

Autori: Gazeta inFokus 17:01 | 15 July 2024

Këshilli Prokurorial i Kosovës thotë se Qeveria po synon ta bëjë “të kundërtën e reformës” dhe “bllokimin e defunksionalizimin e sistemit prokurorial”, pasi Kuvendi javën e kaluar miratoi një ligj të ri për KPK-në.

KPK përmes një reagimi publik, tha se Qeveria “në vazhdimësi ka injoruar dhe refuzuar komentet, sugjerimet dhe propozimet e përfaqësuesve të deleguar të KPK-së në grupet punuese, të formuara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe në komisionet e Kuvendit të Republikës së Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit të ri për KPK-në, i cili është miratuar më 11 korrik 2024”.

“Kjo praktikë e njëanshme e miratimit të akteve ligjore, tregon qartazi se Qeveria e Kosovës dhe shumica në Kuvendin e Kosovës, me vetëdije dhe në emër të reformave, synojnë të bëjnë të kundërtën e reformës, pra bllokimin dhe defunksionalizimin e sistemit prokurorial”, thuhet në reagim.

-Advertisement-

Miratimi i këtij ligji, sipas KPK-së, paraqet “një lloj absurditeti të llojit të rrallë”.

“KPK-ja thekson se miratimi i këtij ligji përbën mosrespektim dhe shkelje të hapur të parimeve kryesore të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit, që, në vetvete, paraqet një lloj absurditeti të llojit të rrallë, ngaqë përbërja e Ekzekutivit aktual, gjegjësisht, Ministria e Drejtësisë, nuk po arrin assesi të shmangë qëndrimet politike në raport me sistemin prokurorial, duke mos përfillur sugjerimet e shumanshme dhe duke rënë në kundërshtim jo vetëm me kërkesat e bazuara të përfaqësuesve të KPK-së, por edhe me kërkesat dhe rekomandimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Këshilli Prokurorial shprehu mirënjohjen për përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ata të shoqërisë civile që “u vunë në mbrojtje të këtyre parimeve dhe insistuan me ngulm që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës të mos injorojnë rekomandimet e institucioneve vendore, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së sa i përket Projektligjit për Këshillin Prokurorial”.

“Me këtë rast, KPK-ja është bashkuar plotësisht me thirrjet dhe apelet kuptimplota për respektimin e normave dhe standardeve evropiane para miratimit të këtij ligji dhe ligjeve të tjera në Kuvend, duke kritikuar ashpër qasjen e pushtetit lidhur me cenimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese të vendit, siç është KPK-ja”, thuhet në njoftim.

KPK thotë se tendenca e Qeverisë paraqet “ndërhyrje rigoroze në sistemin prokurorial dhe në tërë sistemin e drejtësisë”.

“Realisht, kjo tendencë e pushtetit, e zbuluar tashmë plotësisht, paraqet ndërhyrje rigoroze në sistemin prokurorial dhe në tërë sistemin e drejtësisë, duke përtërirë çdo ditë veprime dhe lloj-lloj farsash dhe insinuatash, me qëllimin e vetëm që në emër të kinse synimit të fuqizimit të llogaridhënies më të madhe në sistemin prokurorial, të arrihet ekuilibri i përbërjes me anëtarë prokurorë dhe joprokurorë, por që, në vetvete është tentim për kapjen dhe dirigjimin e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit dhe cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika”, thuhet në reagim.

Këshilli Prokurorial thotë se mbetet i përkushtuar për t’i mbështetur proceset reformuese dhe se angazhohet që së bashku me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme që ka për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial ta bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, llogaridhënëse dhe transparente. Por, KPK kërkon “edhe respektimin e plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mënjanimin e çfarëdo tendence për kapjen antikushtetuese të institucioneve të pavarura të vendit”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…
-Advertisement-

Të tjera