Lajme

Ministria e Jashtme e Kosovës dhe ajo e Kroacisë mbajnë konsultime politike në Prishtinë

Autori: Gazeta inFokus 16:37 | 13 February 2024

Sot në Prishtinë u mbajtën konsultimet politike mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropës së Republikës së Kroacisë, të udhëhequra nga zëvendësministri Kreshnik Ahmeti dhe drejtori i Përgjithshëm Stribor Kikerec.

Zëvendësministri Ahmeti e njoftoi Kikerec për zhvillimet e fundit në vend dhe të arriturat e Republikës së Kosovës në vitet e fundit.

Përgjatë takimit u diskutua lidhur me ngritjen e mëtutjeshme të marrëdhënieve dypalëshe. Më saktësisht, u bisedua për përfundimin e marrëveshjeve të cilat aktualisht janë në proces dhe nëpërmjet të cilave do t’i forcojmë edhe më shumë marrëdhëniet në fushat e diplomacisë, ekonomisë, arsimit, kulturës e sigurisë.

-Advertisement-

Po ashtu, konsultimet u fokusuan në bashkëpunimin shumëpalësh midis dy vendeve, si dhe procesin e anëtarësimit dhe integrimit të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës. Me këtë rast, Ahmeti falënderoi Republikën e Kroacisë për mbështetjen e tyre të përhershme në zgjerimin e pranisë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Zhvillimet e fundit rajonale dhe botërore ishin temë tjetër, ku u diskutua për ndikimin e tyre në rajonin e Evropës Juglindore, veçanërisht në aspektin e sigurisë.

Me këtë rast zëvendësministri Ahmeti theksoi se Republika e Kosovës ka adoptuar të gjitha sanksionet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt Federatës Ruse dhe Bjellorusisë.

Ai theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të qëndruar krah shteteve demokratike për të kontribuar në paqen rajonale dhe botërore.

Palët përmbyllën konsultimet politike me pajtimin që të njëjtat të mbahen rregullisht në baza vjetore./EO/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €
-Advertisement-

Të tjera