Lajme

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë ka një porosi për Kosovën: Ndërveproni me KFOR-in në çdo situatë

Autori: Gazeta inFokus 12:38 | 30 August 2024

Në një konferencë të përbashkët për media, ministrat e Mbrojtjes së Kosovës dhe Shqipërisë, Ejup Maqedonci dhe Pirro Vengu, theksuan se gjatë takimit të tyre diskutuan për avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë mes dy vendeve. Ata po ashtu thanë se biseduan edhe tema të ndryshme, duke përfshirë zhvillimin e trajnimeve, çminimin e zonave dhe bashkëpunimin në mbrojtjen civile.

Ministri Maqedonci theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë. “Ne kemi kultivuar raporte të shkëlqyera në aspektin e mbrojtjes ndër vite, por ka hapësirë për përmirësim të mëtejshëm, veçanërisht në fushën e trajnimeve dhe operacioneve, por gjithashtu edhe në zgjerimin e këtij bashkëpunimi në industrinë ushtarake, që është një element i ri që po paraqitet si nevojë dhe po zhvillohet edhe në Republikën e Shqipërisë, por edhe që është iniciuar edhe në Republikën tonë”, tha Maqedonci.

Ai po ashtu e bëri të qartë se “me Republikën e Shqipërisë dhe ushtrinë shqiptare jemi, kemi qenë dhe bashkëpunojmë në vazhdimësi për t’u përballur me  çdo sfidë, rrezik dhe kërcënim që synon të cenojë trashëgimin, vlerat dhe sigurinë tonë të përbashkët”.

-Advertisement-

Ai e theksoi edhe angazhimin e përbashkët të dy vendeve në luftën globale kundër rreziqeve që kërcënojnë sigurinë globale, duke përfshirë përpjekjet për mbrojtjen e Ukrainës. “Si dy vende demokratike ne po vazhdojmë të kontribuojmë në luftën globale kundër rreziqeve që kërcënojnë sigurinë globale, siç është rasti i luftës në Ukrainë”, tha ai.

Maqedonci gjithashtu shprehu synimin e Kosovës për t’u bërë sa më shpejtë pjesë e NATO-s dhe strukturave tjera veriatlantike dhe në këtë drejtim kërkoi mbështetjen e Shqipërisë.

“Ne, gjithashtu jemi pjesë e përbashkët e shumë iniciativave regjionale dhe synimi ynë do të jetë që bashkë me Republikën e Shqipërisë dhe mbështetjen e saj në të ardhmen e afërt të jemi pjesë e NATO-s dhe e strukturave tjera veriatlantike”, shtoi Maqedonci.

Ndërkaq, ministri Vengu shprehu kënaqësinë për vizitën e tij të parë në Kosovë dhe për mundësinë e bashkëpunimit. Ai theksoi se “janë dakordësuar një sërë përparësish që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve, investimin kapital e njerëzor”.

Ai vuri në dukje angazhimin për të ofruar mbështetje dhe trajnime për Forcën e Sigurisë të Kosovës, duke përfshirë përdorimin e instrumenteve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Një tjetër pikë e rëndësishme që u diskutua ishte çminimi i zonave turistike që kanë mbetur pa u trajtuar nga forcat e armatosura. Vengu nënvizoi nevojën për të siguruar që këto zona “të jenë të sigurta për të gjithë vizitorët”

“U dakorduam sot të bëjmë një veprimtari në të gjithë brezin e bjeshkëve sa i përket çminimit të disa zonave që kanë mbetur pa u trajtuar nga të dyja forcat e armatosura. Është një zonë me një vëmendje turistike të posaçme dhe duhet të sigurohemi të dyja palët se është një zonë e sigurt për të gjithë vizitorët”, tha Vengu.

Ai bëri të ditur se dy vendet do të bashkëpunojnë për të shmangur dublikimin e resurseve dhe për të krijuar grupe të përbashkëta të mbrojtjes civile për zonat pyjore dhe malore.

Një vëmendje të veçantë në takimin mes Vengut dhe homologut të tij nga Kosova, mori dhe situata e sigurisë në rajon.

“Ndërveprimi me NATO-n mbetet për ne përparësi kryesore. KFOR është një instrument për siguri kolektive, me të cilin duhet ndërvepruar në çdo situatë. Këtë gjë e nënvizova dhe në takimin e sotëm sepse Shqipëria në KFOR ka kontribut të posaçëm dhe e ndjejmë si një privilegj për të ndihmuar që Kosova të kthehet në aktor që kontribuon në sigurinë kolektive. Këtu dua të falënderoj kolegun Ejup Maqedonci, për të gjithë vëmendjen dhe bashkëpunimin dhe dedikimin që i jep kësaj marrëdhënie mes dy forcave të armatosura”, theksoi Vengu.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?
-Advertisement-

Të tjera