Uncategorized

Ministrat e jashtëm të Kinës dhe Ukrainës shkëmbejnë mendime për krizën në Ukrainë

Autori: Gazeta inFokus 13:54 | 25 July 2024

Ministrat e jashtëm të Kinës dhe Ukrainës shkëmbyen të mërkurën mendime mbi krizën në Ukrainë gjatë një takimi mes tyre në Guangzhou të Kinës Jugore.

Kina ka qenë gjithmonë e përkushtuar për të promovuar një zgjidhje politike të krizës, tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.

Duke vënë në dukje se kriza e Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë, Wang shtoi se ekzistojnë rreziqe për përshkallëzimin dhe përhapjen e konfliktit.

-Advertisement-

Wang vuri në dukje më tej se Rusia dhe Ukraina së fundmi, në mënyra të ndryshme, kanë treguar gatishmëri për negociata.

“Megjithëse kushtet dhe koha nuk janë pjekur ende, ne mbështesim të gjitha përpjekjet në favor të paqes dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë të luajmë një rol konstruktiv në sigurimin e një armëpushimi, promovimin e përfundimit të armiqësive dhe rifillimin e bisedimeve të paqes,” tha ai.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba theksoi se Ukraina e vlerëson lart rolin pozitiv e konstruktiv të Kinës në promovimin e paqes dhe në ruajtjen e rendit ndërkombëtar, u kushton rëndësi të madhe pikëpamjeve të palës kineze dhe e ka studiuar me kujdes konsensusin prej gjashtë pikash të propozuar nga Kina e Brazili për zgjidhjen politike të krizës..
Pala ukrainase është e gatshme të angazhohet në dialog e negociata me palën ruse, tha Kuleba.

“Sigurisht, negociatat duhet të jenë të arsyeshme e thelbësore, për arritjen e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme,” theksoi kreu i diplomacisë së Ukrainës, i cili ndodhet për një vizitë katërditore në Kinë që filloi të martën.

Gjatë bisedimeve, Wang theksoi se Kina dhe Ukraina duhet të forcojnë bashkëpunimin praktik në fusha të ndryshme.

Ukraina ishte një nga vendet e para që mbështeti dhe mori pjesë në nismën “Një brez, një rrugë”, theksoi kryediplomati i Kinës.

Ai tha se Kina ka qenë partnerja më e madhe tregtare e Ukrainës dhe destinacioni më i madh i eksportit për produktet bujqësore ukrainase në vitet e fundit, duke shtuar që në gjysmën e parë të vitit 2024, vëllimi i tregtisë dypalëshe shënoi një vrull rritjeje të shpejtë, duke treguar hapësirën dhe potencialin e bashkëpunimit dypalësh.

Wang e falënderoi palën ukrainase për ndihmën në evakuimin e shtetasve kinezë, veçanërisht të studentëve, në fazën e hershme të konfliktit dhe shprehu shpresën se Ukraina do të vazhdojë të marrë masa efektive për të garantuar sigurinë e personelit dhe institucioneve kineze në Ukrainë.

Kuleba theksoi nga ana e tij që Kina është një vend i madh dhe se Ukraina e Kina nuk janë vetëm partnere strategjike, por edhe partnere te rëndësishme ekonomike dhe tregtare.

Ai tha se pala ukrainase e mbështet pozicionin e Kinës në çështjen e Tajvanit dhe do të vazhdojë t’i përmbahet politikës së “një Kine”.

Pala ukrainase shpreson të zbatojë së bashku me palën kineze konsensuset e rëndësishme të arritura prej të dy krerëve të shtetit, të konsolidojë besimin e ndërsjellë politik, të aktivizojë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke përfshirë ekonominë, tregtinë e bujqësinë, dhe të forcojë shkëmbimet ndërmjet qyteteve binjake të të dy vendeve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera