Lajme

Minatori, hero i Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 12:20 | 09 January 2018

Minatori 63 vjeçar nga fshati Tërstenë i Mitrovicës, Bilall Neziri, baba i 5 fëmijëve i cili jeton në Mitrovicë, ka bërë shumë herë punë fisnike gjatë jetës së tij, duke dhënë një pjesë të vetes për shëndetin e tjetërkujt dhe duke shpëtuar jetë.

Ai me grupin e tij Rh pozitiv, ka dhuruar gjak 148 herë deri tash, ose më shumë se 50 litra, duke u bërë kështu kampion i Kosovës në këtë gjest human, ndërsa edhe ditën kur u vizitua nga KosovaPress, ishte nisur në spitalin e Mitrovicës për një gjë të tillë.

Neziri i cili që nga viti 1972 kishte punuar si minator për shtatë vite rresht, ndërsa aktualisht punon në kuzhinën e minierës me flotacion në Stantërg, ka bërë të ditur se dhurimin e gjakut e ka filluar që nga viti 1971, në kohën kur ishte nxënës i shkollës së mesme.

-Advertisement-

“Gjak kam dhënë për herë të parë më 1971. Ka qenë një aksident në Mitrovicë. Isha në shkollën ekonomike në Zveçan…Pas tre muajve pala na ka thirrë në drekë dhe prej atëherë më ka lindur idea për me dhënë gjak… Deri më sot kam dhënë gjak 148 herë…Unë nuk kam llogaritur, por janë afërsisht mbi 50 litra gjak që kam dhënë”, ka thënë Neziri.

Sipas tij, ai ka dhuruar gjak nëpër shumë qytete të Kosovës dhe më gjerë, si në Mitrovicë, Prishtinë, Ferizaj, Shkup, Beograd e deri në Shibenik të Kroacisë, në rastet kur minatorët e aksidentuar ishin të shtrirë nëpër këto spitale dhe jeta e tyre ishte në rrezik.

Mirëpo, vazhdoi Neziri, ai nuk ka ndihmuar vetëm minatorët që i kishte kolegë, por të gjithë ata që kanë pasur nevojë, si të aksidentuarit, lehonat, fëmijët, pleqtë dhe të tjerët, ndërsa thotë se kurrë nuk ka kthyer prapa asnjë person që ka pasur nevojë për gjak.

“Kam dhënë gjak nëpër qytetet e ish Jugosllavisë, në Slloveni, Beograd, Shkup, Prishtinë, në të gjitha transfuzionet e gjakut në Kosovë, sepse në atë kohë në minierën e Stantërgut kemi pasur minatorë të lënduar të cilët janë dërguar në Shkup… Kam dhënë në Beograd poashtu për minatorët e Stantërgut, Slloveni, në Mitrovicë e Prishtinë, për çka ekzistojnë të gjitha faktet… Prej vitit 1971 asnjëherë nuk kam refuzuar askënd…Shumë raste kam kur nënat gjatë shtatzanisë kanë pasur nevojë nëpër reparte të gjinekologjisë, pastaj raste për fëmijë, nëna, shumë raste për aksidente… Falënderoj Allahun që ma ka mundësuar t’ju ndihmoj të sëmurëve dhe të shpëtojë jetë”, tha Neziri.

Duke përmendur disa nga rastet për të cilat dhuroi gjak gjatë jetës së tij, Neziri për këtë humanizëm të veçantë, e kaq të shpeshtë, nuk ka përfituar kurrë asgjë, përpos mirënjohjeve, medaljeve , lëvdatave dhe respektit të madh që gëzon ndër njerëz.

“Asnjëherë nuk ka dikush që ka mundur të më shpërblejë me para apo ngjajshëm, por gjithnjë vetëm vullnetarisht… Kam pasur raste të veçanta si një vajzë 8 vjeçare nga Ferizaj, të cilën e kam parë përmes mjeteve të informimit.. Ju kam drejtuar kujdestarit të minierës, ma ka dhënë automjetin dhe kam shkuar kam dhënë gjak…Kam dhënë gjak në Shibenik, kur Jugosllavia ishte në gjendje lufte…Kemi qenë duke punuar në Shibenik dhe ka ardhur një Kosumi nga Tetova, kam shkuar dhe kam dhuruar gjak” ka potencuar mes tjerash Neziri.

Ai ka apeluar tek të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë dhe që kanë mundësi, të dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë.

Në anën tjetër, doktoresha Feride Idrizi, shefe e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut në spitalin rajonal ‘Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë, ka konfirmuar se Bilall Neziri ka ndihmuar shumë herë pacientët në nevojë duke dhuruar gjak.

Sipas saj, në Mitrovicë ka shumë dhurues vullnetarë të gjakut, por Neziri shquhet në këtë drejtim.

Ajo ka sqaruar se personin e shëndoshë asgjë nuk e dëmton dhurimi i gjakut, përkundrazi e freskon, ripërtërinë gjakun tek ai dhe qarkullimi është më i mirë.

“Ka dhënë shumë herë, na ka dal në ndihmë shumë herë neve dhe pacientëve. Po them neve, sepse kur marrim gjak prej tij, ju japim pacientëve…Personin e shëndoshë asgjë nuk e dëmton dhurimi i gjakut. Përkundrazi, e freskon pak, qarkullimi është më i mirë, i ripërtërihet gjaku, i hjek disa yndyrëra dhe disa elemente të cilat njeriu ka nevojë nganjëherë…Kemi edhe shumë dhurues tjerë të cilët vinë vullnetarë, por Bilalli ka dhënë në shumë vende, në gjithë Kosovën dhe jashtë saj. Njihet si dhurues vullnetar që ka dhënë më së shumti gjak në Kosovë”, ka thënë Idrizi.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera