Lajme

Milazim Krasniqi kërkon 20 mijë euro nga ministri Sveçla për shpifje

Autori: Gazeta inFokus 09:50 | 31 December 2021

20 mijë euro është shuma që profesori i Universiteti të Prishtinës, Milazim Krasniqi, përmes padisë së ushtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po kërkon nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për shpifje.

Sipas padisë së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ushtruar në gjykatë më 1 qershor 2020, paditësi Krasniqi thuhet se është profesor në UP, shkrimtar dhe personalitet i njohur publik i cili aktivitetin e vet e ushtron mbi bazën e ligjit, integritetin profesional dhe moral pa rënë asnjëherë ndesh as me ligjin as me vlerat si intelektual të cilat i përfaqëson.

Në padi thuhet se, i padituri në cilësinë e ushtruesit të detyrës së ministrit me qëllim të dëmtimit të personalitetit të tani paditësit në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, më 19 maj 2020, ka publikuar një shpifje me këtë përmbajtje “Jam informuar se sot pasdite një “grup qytetarësh”, po nxit organizimin e një proteste që është kundër vendimeve të MSH-së të marra sipas vendimeve të IKSHP-së, dhe në dakordim të plotë të Bashkësis Islame të Kosovës. Kemi informacione se prapa këtyre organizimeve qëndron publicisti Milazim Krasniqi…”.

-Advertisement-

Më tutje në padi thuhet se, të gjitha mediat elektronike dhe të shkruar të vendit dhe të rajonit e kishin publikuar dhe transmetuar këtë deklaratë të të paditurit, për shkak të rëndësisë së pozicionit dhe peshës që një ministër i brendshëm e ka në opinioin publik.

Sipas padisë kjo deklaratë tani paditësit i ka shkaktuar dëme të mëdha si në emër ashtu edhe në reputacionin e tij, i cili thuhet se e ka në opinionin publik të Kosovës si dhe më gjerë, pasi që i padituri thuhet se si aktivist i një subjekti politik ka bërë që në rrjetet sociale të shpërthejnë fyerje dhe shpifje të panumërta me të cilat cenohet rëndë integriteti personal dhe familjar i tani paditësit.

Me anë të kësaj padie Krasniqi po kërkon nga gjykata që të aprovohet në tërësia padia e tij të obligohet i padituri që t’ia kompensoj shumën prej 20 mijë euro, në emër të dëmit jomaterial për shpifje, duke përfshirë edhe kamatën ligjore prej 8%, e cila do të llogaritet nga dita e ngritjes së padisë.

Po ashtu me anë të padisë ai po kërkon që të obligohet i padituri që në llogarinë e tij në “Facebook”, të bëjë kërkim falje publike dhe të tërheq deklaratën e dhënë si dhe të largoj postimin e tij nga të gjitha faqet e internetit dhe nga llogaria e tij personale në “Facebook”, si dhe shpenzimet e procedurës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Hapet shkolla e mesme profesionale në Qytetin e Ferizajit
-Advertisement-

Të tjera