Lajme

Milanoviq: Serbia duhet të japë përgjigje për sulmin në Banjskë

Autori: Gazeta inFokus 16:31 | 10 October 2023

Serbia duhet të japë përgjigje sa i përket sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Kështu tha presidenti kroat, Zoran Milanoviq, gjatë një konference për media me homologen e tij kosovare, Vjosa Osmani, në Zagreb, duke sugjeruar se sulmi nuk ka mundur të ndodhë pa dijeninë e Beogradit.

“Qëndrimi ynë është i qartë. Serbia duhet të na japë përgjigje për disa gjëra të dukshme që nuk mund t’i shpëtojnë vëmendjes as të një fëmije të vogël”, tha Milanoviq, duke iu referuar sulmit në Banjskë.

Në Banjskë, një grup i armatosur i serbëve sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas sulmuesit u strehuan në manastirin në këtë fshat, prej ku vazhduan përleshjet me policinë. Gjatë përleshjeve u vranë tre sulmues.

-Advertisement-

Milan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradi zyrtar – ka pranuar se ka organizuar dhe udhëhequr sulmin në Banjskë, që autoritetet në Kosovë e cilësojnë si sulm terrorist.

Sulmi është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Kush ishin ata? Nga erdhën? Kush i financoi? Këto janë gjëra që i kemi parë në histori dhe nuk duam t’i shohim më. Dikush qëndron pas sulmit dhe ne duhet ta dimë këtë”, tha Milanoviq, raporton REL.

Presidenti korat tha se “një ngjarje e tillë në të ardhmen, në një shkallë tjetër, nuk duhet të lejohet që të ndodhë”.

Ai tha se për pyetjet lidhur me këtë sulm duhet të përgjigjet Serbia.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përsëriti qëndrimin se për shkak të sulmit në Banjskë, Serbia duhet të sanksionet në mënyrë që, sipas saj, sulme të tilla të mos të ndodhin në të ardhmen.

Ajo tha se synimi i Serbisë është aneksimi i pjesës veriore të Kosovës, që banohet me shumicë serbe.

Por, Milanoviq është kundër sanksioneve sepse ai beson se ato janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, nëse nuk miratohen nga Kombet e Bashkuara. Po ashtu, presidenti kroat ka argumentuar se nëse sanksionet nuk miratohen nga OKB-ja, do të ishin joefektive.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera