Sport

Milan, Berlusconi e bën vet rolin e trajnerit

Autori: Gazeta inFokus 15:22 | 20 December 2017

Silvio Berlusconi ka folur me dhimbje për situatën nëpër të cilën po kalon Milani, e në një intervistë të dhënë për “Premier Sport”, ka ritheksuar për të disatën herë se “me skemën me një sulmues të vetëm nuk mund të shkohet asgjëkundi”.

“I kam parë ndeshjet e fundit të Milanit. I uroj gjithë të mirat Rino Gattusos, por duhet të ndryshojë skemë”, këshillon ndër të tjera ish-padroni i klubit kuqezi.

“Zgjidhja ideale do të ishte që Milani të luante me dy sulmues dhe me Bonaventurën prapa krahëve të tyre. Kjo, sepse Suso dhe Bonaventura, i cili nuk është edhe aq inferior krahasuar me Kakà, janë dy superfutbollistët që kemi ne aktualisht, së bashku me Donnarummën”, vijon më tej Berlusconi në rolin “e trajnerit”, gjë që e ka bërë edhe më parë kur e drejtonte vet klubin e Milanit.

-Advertisement-

Sigurisht, periudha e errët që po kalojnë kuqezinjtë e lëndon veçanërisht atë. “Ndiej një dhimbje të madhe, vuaj aq shumë saqë shpesh nuk arrij ta çoj deri në fund një ndeshje të Milanit. Më lëndon teksa shoh Milanin të luajë me një skemë të lexueshme dhe të dështuar”.

“Kura” e ofruar nga ish-presidenti është mbi të gjitha teknike. “Nuk jam dakord me ardhjen e disa lojtarëve, por mbi të gjitha nuk më pëlqen skema e lojës. Duhet të kthehemi tek ajo me të cilën kemi fituar shumë në të kaluarën. Duhen dy sulmues, njëri prej të cilëve të jetë Suso, ndërsa Bonaventura të luajë si fantazist prapa tyre, duke pasur mundësi edhe të godasë portën. Jack nuk është edhe aq prapa brazilianit Kakà. Megjithatë, Gattusos i uroj fat”, tha ai.

Ndërkohë, është pikërisht Kakà, që pasi i dha lamtumirën futbollit të luajtur, mund të rikthehet te Milani si drejtues. “Do të më pëlqente, sigurisht, por do të më pëlqente edhe më shumë një tjetër gjë: të shoh në radhët e Milanit disa lojtarë specifikë”.

E për largimin e Montellës, duket se nuk ka asnjë peng, duke dhënë edhe miratimin madje. “Kemi tre superlojtarë, që janë Donnarumma, Suso dhe Bonaventura. Këta dy të fundit janë vendosur gjithnjë në krahë dhe, pas dy driblimeve e kanë parë veten pranë vijës fundore me detyrimin për të krosuar, por ku? Te një sulmues i vetëm që është i pushtuar nga mbrojtësit kundërshtarë, siç ndodhte me kolumbianin Bacca dhe Lapadulën? Kjo mënyrë loje na solli deri aty sa, në disa raste të mos godisnim asnjëherë në portën kundërshtare për një pjesë loje”, thotë Berlusconi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera