Sport

Messi do të qëndrojë për së paku edhe një sezon, PSG-ja dëshiron të rindërtojë skuadrën rreth tij

Autori: Gazeta inFokus 20:41 | 25 April 2022

Lionel Messi pritet që të qëndrojë te Paris Saint-Germaini për të paktën edhe një sezon, teksa klubi po përgatitet të ndërtojë ekipin rreth tij dhe me shumë gjasa nën urdhërat e një trajneri të ri. Kështu ka raportuar “Sky Sports News” këtë të hënë.

Pavarësisht se u kurorëzuan me titullin e kampionit në Ligue 1, krerët e klubit parisien po shqyrtojnë të ardhmen e trajnerit Mauricio Pochettino, i cili sipas të gjitha gjasave do të largohet gjatë afatit kalimtar të verës.

Bashkë me Pocchetinon raportohet se do të largohet edhe drejtori sportiv, Leonardo, me klubin që po përgatitet për ndryshime të mëdha, transmeton Gazeta Express.

-Advertisement-

Pronarët e klubit janë të pakënaqur pas dështimit tjetër në Ligën e Kampionëve, pavarësisht se kanë sulmin ndoshta më të frikshëm në botë, me Messin, Neymarin e Mbappen.

Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” kaloi në “Parc des Princes” si lojtar i lirë në verën e vitit të kaluar me shpresën për të triumfuar në Ligën e Kampionëve, megjithëse se ai e dinte se do të ishte e vështirë për t’u arritur kjo që në sezonin e parë, sipas “Sky Sports News”.

Messi thuhet se nuk është dorëzuar rreth këtij synimi, edhe pse gjatë verës mund t’i largohen bashkëlojtarët, Mbappe e Neymar.

Por, 34-vjeçari pritet që të respektojë kontratën e tij me PSG-në, e cila skadon më 30 qershor të vitit të ardhshëm.

Në kontratë është i përfshirë edhe opsioni i rinovimit edhe për një tjetër vit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera