Lajme

Mekanizmi për vetëmenaxhim dhe të pagjeturit, tema në takimin Kurti-Vuçiq

Autori: Gazeta inFokus 11:33 | 23 April 2023

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pritet të nënshkruajnë deklaratën për personat e pagjetur gjatë luftës se fundit në Kosovë, me 3 maj në Bruksel. Në takimin e radhës ndërmjet tyre do të diskutohet edhe për mekanizmin për vetëmenaxhim të komunitetit serb në Kosovë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni thotë për KosovaPress se mekanizmi për vetëmenaxhim është ndryshe prej Asociacionit dhe ka kompetenca të tjera prej tij.

“Jemi në situatën kur mendojmë të krijojmë një mekanizëm krejtësisht të ri që është ndryshe prej Asociacionit dhe ka kompetenca të tjera prej Asociacionit. Në fakt të tillë që ne e kemi kundërshtuar në vazhdimësi, pasi LVV ka qenë gjithmonë kundër Asociacionit, kemi vazhduar të jemi edhe kur kemi ardhur në krye të institucioneve. Kemi bërë përpjekje maksimale që edhe në kuadër të dialogimit të flasim për një mekanizëm të ri, ndryshe prej Asociacionit dhe jo të kthehet diskutimi tek marrëveshjet e së kaluarës që në bazë e kanë pasur Asociacionin njëetnik… (Në takimin e 3 majit në Bruksel) Do të nënshkruhet marrëveshja që tashmë është dakorduar në takimin e kryenegociatorëve për personat e pagjetur”, thotë ajo

-Advertisement-

Por, në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se marrëveshja Kosovë-Serbi nuk duhet të reduktohet vetëm në Asociacion.

Ai shton se në takimin e nivelit të lartë me 3 maj duhet të diskutohet për zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes bazë dhe jo vetëm për Asociacionin.

“Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk duhet të reduktohet vetëm në Asociacion, pasi ai do të jetë rreziku më i madh. Marrëveshja e Ohrit duhet të shkojë më së pari në trajtimin e marrëveshjes bazë të parimeve, e cila i ka disa elemente të ecjes përpara të Kosovës në raportin ndërkombëtar. Nuk guxon të reduktohet vetëm në Asociacion. Zbatimi duhet të ndodh por është një lloj procedure, ne nuk dina asgjë për këtë procedurë”, thotë ai.

KosovaPress ka pyetur edhe në Qeverinë e Kosovës për të konfirmuar agjendën zyrtare të takimit Kurti-Vuçiq, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Takimi më 3 maj është i pari ndërmjet Kurtit dhe Vuçiq, që nga dakordimi në Ohër më 18 mars për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, dy kryenegociatorët e dialgout, Bislimi dhe Petkoviq janë takuar më 4 prill, ku është thënë se ka pasur pajtim për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera