Lajme

Mehaj në Pentagon i ofron SHBA-së mundësinë e krijimit të një baze të përhershme ushtarake në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 15:37 | 15 October 2021

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës. Armend Mehaj, është pritur sot në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes në Pentagon nga Nënsekretari i Departamentit të Mbrojtjes, Colin Kahl, shkruan Gazeta Infokus.

Mehaj, me këtë rast ka nënvizuar përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në çështjet e sigurisë në nivelin rajonal dhe atë global, me theks të veçantë, adresimin e sfidave rajonale në ambientin e ri gjeopolitik global të sigurisë.

Sipas Mehajt, aspekti i sigurisë dhe i mbrojtjes është ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

-Advertisement-

“Ndërlidhur me këtë e falënderova Nën-Sekretarin Kahl duke i shprehur vlerësimin shumë të lartë për mbështetjen amerikane për Kosovën në avancimin e demokracisë dhe arritjen e objektivave për anëtarësim në strukturat euroatlantike”, ka bërë të ditur Mehaj, nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Në kuptim të avancimit të partneritetit të përhershëm, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nën-Sekretarit Kahl i ofrova mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të Ushtrisë Amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan”, ka shtuar ai.

Nga ana e tij, Nënsekretari Kahl, thuhet se ka shprehur vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin dhe partneritetin, duke më falënderuar për angazhimin e Kosovës në operacionin humanitar për akomodimin e refugjatëve afganë, në kuadër të operacionit të NATO-s, të udhëhequr nga SHBA.

“Gjithashtu, ai ka vlerësuar shumë edhe partneritetin në misionin e parë paqeruajtës të FSK-së në Kuvajt si dhe pjesëmarrjen e FSK-së në Stërvitjen e forcave amerikane me forcat aleate “Defender- Europe’21””, ka shkruar Mehaj.

Ndër të tjera, sipas tij, “Nënsekretari Kahl ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike duke theksuar se vizioni i Presidentit Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor, në BE, mbetet në agjendën prioritare”.

“Nënsekretari Kahl, gjithashtu, ka theksuar se përkrahja për avancimin e kapaciteteve të FSK-së do të jetë e vazhdueshme, ndërkohë që ka vlerësuar pozitivisht edhe përgatitjet për misionet paqeruajtëse të radhës, duke e rritur kështu edhe më shumë rolin e Republikës së Kosovës si kontribuese e paqes edhe në aspektin e sigurisë globale”, ka njoftuar Mehaj, duke e përfunduar statusin me lutjen: Zoti e bekoftë SHBA-në dhe miqësinë tonë të përjetshme!. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…
-Advertisement-

Të tjera