Mediat dhe gjyqësori janë partnerë të natyrshëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit
Autori: Gazeta inFokus 22:39 | 08 May 2017
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi
Është kënaqësi e veçantë të jemi së bashku institucionet e drejtësisë në 10 vjetorin e monitorimit të vazhdueshëm të sistemit gjyqësor në Kosovës nga Rrjeti Ballnaik i gazetarisë hulumtuese dhe Internews Kosova, ku të gjithë së bashku jemi mbledhur për të diskutuar të gjeturat e raportit për monitorimin e gjykatave për vitin që lamë pas.
Ky takim sot po zhvillohet në praninë e mjaft prokurorëve, gjyqtarëve, përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë dhe mbi të gjitha në një transparencë të plotë për të prezantuar dhe diskutuar të gjeturat e BIRN-it me përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor.
Të gjeturat nuk mjaftojnë që vetëm të identifikohen, por duhet të jenë një tregues për bartësit e institucioneve të drejtësisë që në të ardhmen të eliminohen me qëllim që t’i mbrojmë më mirë interesat e procedurës penale dhe të palëve në procedurë e që duhet të jetë qëllimi ynë i përbashkët për të çuar drejtësinë në vend.
Shpresoj se këto të gjetura do të jenë në funksion të zgjidhjes së vështirësive që ka sistemi gjyqësor, por edhe një përfitim që mangësitë e gjetura të mos përsëriten në të ardhmen.
Ky bashkëpunim me BIRN-in dhe Internews Kosova na jep të drejtë për të besuar se në të ardhmen do të japim rezultatet më të mira në forcimin e sundimit të ligjit dhe në veçanti në përmirësimin e punës profesionale, ngritjes së efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës.
Ne jemi të vetëdijshëm për të metat dhe vështirësitë procedurale, pengesat objektive dhe mangësitë e brendshme të sistemit. Vetëm atëherë kur të pranojmë këtë realitet ne do të mund të jemi në gjendje të lëvizim përpara dhe të ndryshojmë percepcionin e qytetarëve për sistemin gjyqësor.
Gazetaria hulumtuese dhe Prokuroria e Shtetit duhet të veprojnë në harmoni njëra me tjetrën dhe ne mund të jemi korrigjuesi më i mirë, gjegjësisht, pengesa kryesore për ata që keqpërdorin pozitat zyrtare.
Në këtë drejtim dua të theksoj që raporti i BIRN-it është mjaft profesional dhe objektiv, nuk ka pasur asnjë rast që monitoruesit janë përshtatur kërkesave të pushteteve tjera në dëm të interesit të drejtësisë, këtë e presim edhe në të ardhmen, sepse me veprime të përbashkëta mund të ndryshojmë perceptimin e qytetarëve për sistemin gjyqësor.
Duhet të kemi parasysh që të gjeturat në raport janë të rëndësishme, mangësitë e gjetura nuk duhet t’i shikojmë si vështirësi por si objektiva që në të ardhmen duhet t’i përmirësojmë, përmes punës profesionale dhe përmes rritjes së vetëdijes për rolin më aktiv të prokurorëve në seancat e paraburgimeve dhe seancat gjyqësore, në respektimin e dispozitave procedurale dhe në mbrojtjen e të drejtave të palëve në procedurë penale. Duhet të kemi parasysh se me hetime dhe arsyetime të mira të akteve akuzuese do të lehtësojmë punën e gjykatave dhe do të bëjmë më të respektuar institucionin e Prokurorit të Shtetit.
Afatet ligjore duhet të respektohen përpos atyre afateve që janë instruktive për palët në procedurë, me qëllim që të kemi gjykime brenda afateve të arsyeshme kohore ashtu siç kërkohet edhe me konventat ndërkombëtare.
Duhet të kuptojmë se të gjeturat në këtë raport nuk kanë për qëllim t’i atribuojnë gjyqësorit mossuksesin e saj, mirëpo kanë qëllim të qartë të ngrisin cilësinë e zhvillimit të procedurave gjyqësore dhe të rrisin llogaridhënien për caktimin e masës së paraburgimit apo masave tjera alternative.
Raportet ndërmjet gazetarisë hulumtuese dhe gjyqësorit janë shumë më të ndërlikuara se sa gjetjet në raport që kanë të bëjnë me aspektet e ndryshme të proceseve, seancave gjyqësore, procedurave alternative dhe komunikimit me media.
Të gjithë duhet ta kemi të qartë se mediat dhe gjyqësori janë partnerë të natyrshëm në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe keqpërdorimit të pushtetit. Mirëpo, të keqpërdorur ne mund të shëndrrohemi në një vegël domethënëse për sundim të pakontrolluar.
Është e qartë që roli i medieve në luftën kundër korrupsionit dhe çfarëdo lloji të krimit është i rëndësishëm dhe se realizohet para se gjithash, përmes gazetarisë hulumtuese dhe respektimit të standardeve profesionale dhe etike.
Përveç kësaj, mediat mund të ushtrojnë një presion të vazhdueshëm në pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ, që përmes të miratimit të ligjeve sistematike, të avancojnë punën profesionale të institucioneve të drejtësisë dhe të fuqizojnë pavarësinë e tyre.
Në këtë drejtim mediat mund të japin kontribut edhe në edukimin e qytetarëve mbi proceset gjyqësore dhe mbi elementet tjera të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me funksionimin e gjyqësorit në dobi të vet qytetarëve por edhe të gjyqësorit, gjithashtu mediat duke vepruar në mënyrë preventive kontribuojnë në krijimin e një ambienti dhe sistemi të vlerave ku krimi dhe korrupsioni nuk do të jenë të pranueshme për shoqërinë, gjë që natyrisht do të lehtësonte punën e prokurorisë dhe gjyqësorit.
Prandaj, raportet ndërmjet mediave dhe gjyqësorit janë shumë më të ndërlikuara se sa monitorimi dhe raportimi për aspektet e ndryshme të proceseve dhe vendimeve gjyqësore.
Natyrisht, asnjëherë nuk duhet të harrojmë se zyrtarët e prokurorisë dhe gjyqësorit duhet të kenë gjithmonë parasysh – që drejtësia jo vetëm që duhet të vihet në vend por edhe të shihet se si ajo vihet në vend, tek atëherë ajo përmbush në tërësi funksion e vet shoqëror.
Sa i përket raportit të Prokurorisë së Shtetit me media është e qartë që transparenca e veprimtarisë së Prokurorisë nuk është vetëm një obligim ligjor por edhe mënyra më e mirë për të prezantuar dhe mbrojtur punën tonë.
Transparenca e punës nuk mund të jetë vetëm pasive por ajo duhet të jetë edhe proaktive – kjo nënkupton që prokuroria por edhe gjyqësori duhet të insistojnë dhe vazhdimisht të kërkojnë nga mediat bashkëpunim, por edhe të aplikojë kanale të tjera të komunikimit me qytetarët, për t’i realizuar pritshmëritë dhe të parandalojë problemet, në këtë mënyrë do të parandalojmë përhapjen e dezinformimeve dhe retorikës denigruese për institucionet e drejtësisë.
Qëllimi i të gjithë neve duhet të jetë që sistemi të funksionojë sipas standardeve më të larta dhe secili nga ne në mënyrë individuale duhet të jep kontributin që ky qëllim të realizohet – duke besuar se në periudhën e ardhshme do të dëshmojmë se i ndajmë vlerat e njëjta që si rezultat do të kemi rritjen e besimit në sistemin prokuroria dhe forcimin e shtetit ligjor.
Në fund dua të falënderoj monitoruesit e BIRN-it, menaxherin e projektit të monitorimit të gjykatave dhe drejtorin ekzekutiv të Internews Kosova për kontributin e tyre dhe dua të theksoj se Prokurorinë e Shtetit do ta keni një partner serioz i cili do të ndajë me ju informacione nëpërmjet të rrugëve zyrtare. E di që në situata të caktuara mund të mos jeni të kënaqur me përgjigjet tona, mirëpo duhet të kuptoni se Prokuroria përveç transparencës dhe të drejtës që publiku të jetë i informuar, duhet të kujdeset edhe për ruajtjen e konfidencialitetit gjatë fazës së hetimeve.
(Ky është fjalimi i i plotë i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në 10 vjetorin e monitorimit të sistemit gjyqësor në Kosovës nga Rrjeti Ballnaik i gazetarisë hulumtuese dhe Internews Kosova)
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...