Më mirë vonë se kurrë: 50 vjeçarja në Kosovë shkon në klasë të parë
Autori: Gazeta inFokus 10:59 | 02 January 2025
As gjashtë, as shtatë, por pesëdhjetë vjeçe në klasë të parë! Dikujt mund t’i duket e pabesueshme, e shumëkush mund të habitet, por aq i kishte një grua nga pjesa qendrore e Kosovës, kur nisi të shkollohej tre vjet më parë.
“Sikur të më thoshin para shumë vitesh se një ditë do të vija në shkollë, nuk do të besoja kurrë. Por, ja… mrekulli”, thotë Drita.
Sot 53 vjeçe, ajo ndjek mësimin joformal në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Prishtinë.
Është institucioni i vetëm publik në kryeqytet që ofron mësim të tillë për të rritur – nga 18 deri mbi 50 vjeç.
Klasën e parë deri në të pestën, ata e përfundojnë për një vit shkollor, ndërsa vitet tjera zgjasin nga 18 javë.
Përgjatë kësaj periudhe, ata arrijnë njohuritë e filloristëve, që për arsye të ndryshme, nuk kanë mundur t’i ndjekin si fëmijë.
Ëndrra e viteve ‘80
“Ne ishim shumë fëmijë në familje dhe prindërit nuk kishin mundësi ekonomike të na shkollonin të gjithëve”, thotë Drita për Radion Evropa e Lirë, e cila kërkon të mos identifikohet plotësisht.
Ëndrra për t’u shkolluar kujton se e ka përcjellë nga vitet ’80, kur shihte kushërirën e vet që shkollohej.
Tregon se vjershat dhe ndonjë shkronjë aty-këtu e ka mësuar prej saj. Por, thotë se kishte edhe një moment më të dashur për të: kur kushërira përgatiste çantën për orarin e ditës së nesërme.
“Çdo ditë shkoja tek ajo, vetëm ta shihja se si e ndan orarin… Shpesh i lutesha që ta bëja unë në vend të saj”, thotë Drita.
Ajo nuk dëshiron të flasë shumë për vitet pas, as për të bukurat dhe sfidat që i solli jeta. Por, thotë se me të dëgjuar për mundësinë e mësimit joformal, nuk u mendua shumë.
Krahas obligimeve familjare dhe punës si mirëmbajtëse, nisi të udhëtonte çdo ditë disa kilometra nga qyteti ku jeton për të shkuar në shkollë në Prishtinë.
“Biologjia më pëlqen, matematika është më e vështirë. Boll zor të zgjidhësh detyra, por më ndihmojnë edhe arsimtarët”, thotë Drita.
Ëndrra e lënë në gjysmë
Një histori të ngjashme me të ndan edhe shoqja e grupit, Flora. Ajo u rikthye në shkollë para dy vjetësh, apo gati 20 vjet pasi që e braktisi pa dëshirën e saj.
“Unë i nisa mësimet në klasën e gjashtë, por nga fshati im nuk kishte asnjë vajzë dhe rruga deri në fshatin tjetër, ku ishte shkolla, ishte e gjatë… Prindërit shqetësoheshin për sigurinë time dhe më detyruan ta ndërpres shkollën”, kujton e mërzitur Flora, duke mos dashur as ajo të identifikohet plotësisht.
Sot 34 vjeçe, ajo ndjek mësimin joformal në klasën e nëntë.
Teksa flet për Radion Evropa e Lirë, tregon se pareshtur ka menduar sesi ta vazhdojë një ditë shkollimin.
Ajo thotë se ka ndjekur disa kurse rrobaqepësie dhe se është punësuar në një shtëpi dizajni në Prishtinë, porse kjo nuk e ka përmbushur kurrë.
“Vazhdimisht, më këdo që takohesha, shprehja interesim dhe dëshirë për të vazhduar shkollën… sepse për mua arsimimi nuk njeh moshë”, thotë Flora.
Dhe, në vitin 2022 iu bashkua grupit të të rriturve në shkollën “Emin Duraku” që kishin fate të ngjashme me të.
“Më kishte marri malli për bankat, shumë nostalgji, shumë emocione”, shprehet 34-vjeçarja.
Nxënëset e rritura thonë se e çojnë mirë me njëra-tjetrën dhe, përveçse mësojnë bashkë, gjejnë edhe kohë për argëtim.
Ndryshe nga Drita, Flora e pëlqen lëndën e matematikës dhe atë të teknologjisë informative.
Thotë se mësimi në këtë moshë është më sfidues, porse nuk e ka ndërmend të ndalet vetëm me shkollën fillore. Ajo do të ndjekë edhe shkollën e mesme dhe universitetin, që një ditë të bëhet programere.
“Në këtë mënyrë do ta përmbush ëndrrën e lënë në gjysmë”, thotë Flora.
Më shumë gra se burra në shkollim joformal
Drejtori i shkollës së saj, Visar Osmani, mburret me mundësinë që u jep ky institucion të rriturve.
Ai thotë se shkolla “Emin Duraku” për rreth dy dekada ofron mësim joformal dhe se numri i kandidatëve është në rritje – në tre vjetët e fundit rreth 30, për dallim nga vitet e mëparshme kur ishte për gjysmë më i vogël.
“Gratë përbëjnë shumicën e pjesëmarrësve çdo vit”, thotë Osmani për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, për shumë nga kandidatët kanë qenë vështirësitë ekonomike që ua kanë pamundësuar shkollimin në kohë.
Mësimi joformal për të rritur ofrohet falas në Kosovë, njësoj sikurse edhe edukimi formal, dhe organizohet nga viti 2005, thonë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).
Përgjatë viteve, disa mijëra kandidatë kanë arritur të aftësohen.
Afërdita Jaha, zyrtare për arsimin joformal dhe arsimin për të rritur në këtë ministri, thotë se ky proces aktualisht zhvillohet në pesë komuna të Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Gjilan dhe Pejë.
Sipas saj, janë rreth 70 kandidatë që këtë vit ndjekin mësimin joformal në këto komuna.
Secili prej tyre, në fund të klasës së nëntë pajiset me certifikatë të shkollës fillore.
Jaha thotë se zhvillimi i këtij procesi varet edhe nga kërkesat e qytetarëve, por edhe nga mundësitë buxhetore të komunave, pasi mësimdhënësit, përveç pagës bazë, marrin edhe honorarë shtesë për angazhim në mësimin joformal.
“Mësimi joformal synon të ofrojë një mundësi të dytë për ata që nuk e kanë përfunduar arsimin e detyrueshëm, duke mundësuar integrim arsimor dhe profesional”, thotë Jaha për Radion Evropa e Lirë.
Me ligjin në Kosovë, përfundimi i shkollës fillore është i obligueshëm, por për shkak të rrethanave të ndryshme shoqërore dhe politike – sidomos para luftës së viteve 1998/99 – shumë qytetarë nuk e përfunduan atë.
Regjistrimi i popullsisë në vitin 2024 tregoi se shkalla e analfabetizmit në Kosovë ka rënë në 2.27 për qind nga 3.38 për qind sa ka qenë në regjistrimin e vitit 2011.
Llogaritur ndryshe, mbi 36 mijë qytetarë në Kosovën me 1.5 milion banorë janë analfabetë.
Shumica prej tyre, sipas raportit të ASK-së, janë “të moshuar”, por aty nuk specifikohet mosha.
“Vetëm sikur të isha pak më e re, do ta vazhdoja me dëshirë edhe arsimin e lartë për edukatore, por mosha, mosha…”, përfundon Drita. /REL
Të tjera
-
Haradinaj padit të gjitha shtetet financuese të Speciales
Avokati i Nasim Haradinajt, i cili e përfundoi dënimin prej 4 vjet e 3 muaj b...
-
Deklarata e Kurtit për fenë dhe identitetin shqiptar, Kelmendi: Është skandaloze, fyese e nënçmuese
Kryetari i FJALËS, Gëzim Kelmendi, ka reaguar ndaj një deklarate të kryeminis...
-
KFOR s’ka ndryshuar qëndrim: Hapja e urës tani i vë në rrezik të panevojshëm ushtarët dhe komunitetet lokale
Gjenerali Enriko Borduani, komandanti i KFOR-it, është deklaruar për një nga ...
-
Kurti në “The New York Times”: Për identitetin shqiptar, feja s’ka qenë asnjëherë parësore
Gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times” ka shkruar sot për konvert...
-
Morën leje për sjellje të mirë, si u arratisën shqiptarët e rrezikshëm nga burgu
Dy të burgosur shqiptarë, Lefter Toçi dhe Romeo Qosja, kanë arritur të arrati...
-
Apel i policisë: Shmangni Merdaren, përdorni vendkalimet e tjera kufitare
Për shkak të pritjeve të gjata në vendkalimin kufitar në Merdar, Policia e Ko...
-
Krijohen kolona të gjata në pikat kufitare, deri në pesë orë pritje në Merdarë
Në pikat kufitare në dalje të Kosovës këtë të shtunë ka kolona dhe pritje të...
-
Joe Biden nderon Hillary Clintonin me “Medaljen e Lirisë”
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka ndarë Medaljen Presidenciale të Lirisë, nd...
-
Mali i Zi: Homazhe për 12 viktimat e sụlmit me ạrmë ditën e Vitit të Ri
Në Cetinjë të Malit të Zi u mbajtën sot homazhe për 12 personat që u vranë gj...
-
Pas patrullimit të ushtarëve amerikan në veri, KFOR-i del me një komunikatë
KFOR, misioni i NATO-s në Kosovë, ka bërë të ditur se ushtarët amerikanë të K...
-
Kurti në “The New York Times”: Për identetin shqiptar, feja s’ka qenë asnjëherë parësore
Gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times” ka shkruar sot për konvert...
-
Rama: Lokacioni dhe plani për palestrën multisportive janë refuzuar katër herë nga asambleistët e Vetëvendosjes
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka reaguar Ministrit Hajru...