Lajme

Mbi 29 mijë raste të dyshimta me grip sezonal, shpallet gjendje epidemike

Autori: Gazeta inFokus 15:20 | 25 February 2019

Për shkak të rasteve të shumta të gripit në Kosovë, në nivel të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar është formuar Komiteti për përcjelljen e gjendjes epidemiologjike me grip sezonal.

Anëtarët e këtij komiteti  kanë kërkuar që të mos përdoret termi “grip i derrave”, pasi sipas tyre do të shkaktohet konfuzion dhe panik në publik.

Në një konferencë për media ata thanë se deri më tani janë katër raste  të vdekjes me A1H1 dhe gjashtë raste me influenca A.

-Advertisement-

Anëtari  i këtij komiteti, drejtori i Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se është shpallur gjendje epidemike në Kosovë, pasi nga data 1 tetori janë mbi 29 mijë raste të dyshimta, të cilat janë raportuar.

“Ne të gjitha institucionet  prej 1 tetorit deri më sot, ne kemi raportuar gjithsej për 29 mijë 938 raste të dyshimta  me grip. Çka do të thotë  të dyshimta?  Se këto raste mund të jenë të përziera, në tablonë klinike,  me grip sezonal, me rrufa të ndryshme, me rinite, me ftohje. Pra, të gjitha këto raste  përbëjnë 20 mijë e 938 raste  të dyshimta, sepse nuk dihet saktësisht sa janë me grip. Prej tyre pastaj, 4 mijë e 719 raste janë  infeksione respiratore akute, pra ngushtohet rrethi.  Dhe janë numër më i vogël se sa numri total  të paraqitura në të gjitha ftohjet. Dhe 43 raste  me infeksion të rëndë respirator  akut. Në Kosovë gjithsej kemi raportuar  43 raste me gjendjen më të rëndë klinike  që mund të jetë te gripi sezonal. U konstatua se janë katër raste  të verifikuara me vdekje me A1H1 dhe gjashtë raste me influenca A. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike  dhe SHSKUK  kanë konstatuar se është gjendje epidemike  e gripit sezonal”,  ka thënë Ramadani.

Ai tha  se gjendja epidemiologjike është shpallur për shkak të rasteve të cilat kanë qenë me vdekje. Dhjetë rastet të cilat kanë qenë me grip sezonal, Ramadani tha se  kanë qenë nën moshën 65-vjeçare.

Ramadani ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga MASHT të raportojë për mungesat e nxënësve në shkolla, në mënyrë që të dihet trendi i gripit sezonal.

Ndërsa, Hamdi Ramadani, drejtor i Klinikës Infektive, tha  se në këtë klinikë ka pasur fluks të madh të rasteve.

“Që nga dhjetori deri më sot mbi 550 raste janë  regjistruar ku gjysma e tyre edhe janë ndalur për trajtim  ose mjekim. Pasi që kjo sëmundje është klasike sezonale, duke parë edhe një fluks të madh, nuk ka qenë në nivel të kënaqshëm vaksinimi, neve në vazhdimësi e kemi përcjellë situatën dhe  kemi ngrit dhe mobilizuar kapacitetet tona  dhe i kemi trajtuar rastet në mënyrën më të mirë të mundshme  me terapi, me kujdes dhe disa nga këto raste, të cilat janë ndal  ku mbi 250 raste kanë qenë me komplikime respiratore, dhe të gjithë këta kanë qenë të sëmurë, të prekur  nga sëmundje kronike të mëparshme”, tha ai.

Ramadani tha se  personi i cili ka vdekur të premten nga ky grip, kishte sëmundje kronike të mëparshme.

Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se nuk ka vend për panik.

“Qëllimi është që publiku të mos jetë në panik dhe të mos ketë frikë nga një grip sezonal , dhe ky është qëllimi i mesazhit. Është një arsyetim sepse kemi një popullatë që kanë edhe sëmundje kronike, sëmundje të zemrës, mushkërive , dhe më të atakuar janë ata nga gripi sezonal. Dhe qëllimi është që të qojmë mesazh edhe tek  mjekësia familjare, pjesa primare ku së pari duhet të ketë qasje, të trajtohen me kohë. Rastet më të rënda të udhëzohen për trajtim , në nivelin sekondar apo terciar  është edhe emergjenca. Mirëpo, qëllimi është të mos ketë panik, grip sezonal, komplikim më i madh te rastet kronike. Andaj edhe trajtimi dhe monitorimi nga ana e komitetit do të jetë në baza ditore dhe javore”, tha Sejdiu.

Drejtoresha e Pulmologjisë, Rukije Mehmeti ka treguar për simptomat e para të këtij gripi.

“Temperatura e lartë, rrjedhjet nga hunda, zënie e frymës  dhe me të atakuari janë ata me sëmundje kronike, dhe janë të gjitha moshave. Më të atakuarit janë ata të cilët kanë sëmundjet kronike, kanë imunitetin e zvogëluar dhe për këtë arsye këta pësojnë më së shumti. Dhe për të gjitha rastet që u thanë, ata kanë pas një sëmundje bazë. Mirëpo, çdo temperaturë e lartë që nuk kalon brenda dy-tre ditëve, duhet të përpunohet më tutje, sepse brenda dy-tri ditëve simptomat të zvogëlohen. Nëse nuk zvogëlohet kolla, temperatura dhe zënia e frymës, atëherë pacienti duhet patjetër të kontrollohet në mënyrë më të thuktë, në mënyrë që të shohim se mos është duke u zhvilluar diçka më e rëndë”, tha Mehmeti.

Ajo ka rekomanduar që të merren sa më shumë lëngje dhe sa më pak të frekuentohen vendet e mbyllura ku nuk ka ajrosje.

Naser Ramadani ka kërkuar që termi” grip i derrave” mos të përdoret, pasi do të shkaktohet konfuzion dhe panik./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera