Lajme

Mashtrim tjetër i ministrit Xhelal Sveçla, pagat e policëve dalin edhe këtë muaj pa shtesa për rrezikshmëri

Autori: Gazeta inFokus 17:01 | 30 June 2023

Ka afro 4 muaj që kur ka hyrë në fuqi ligji i ri për pagat e policët nuk kanë marrë asnjë pagë duke përfshirë edhe shtesat për rrezikshmëri.

Një ditë pas aksionit në veri, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, u premtoi policëve që do të marrin edhe shtesat për rrezikshmëri. Mirëpo edhe kjo po del të jetë një mashtrim i ministrit, premtim që të paktën deri më tash ende nuk ka arritur ta përmbushë.

Kjo sepse Gazeta Infokus mëson se edhe këtë muaj pagat e policëve kanë dalë pa shtesa për rrezikshmëri.

-Advertisement-

Ky premtim nga Sveçla policëve iu bë qysh në muajin maj, pas aksionit të parë të policisë në veri dhe tensionimit të gjendjes pasi kryetarët e ri shqiptarë filluan punën në objektet komunale.

Ai e tha këtë në një takim me Kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, i shoqëruar nga Kryetari i Shoqatës Sindikale të DRP Mitrovicës së Jugut, Avni Tahiri, të cilët vizituan Kampin e Njësive të Specializuara Policore në Belvedere.

Sveçla kishte deklaruar se është duke punuar dhe se po bën më të mirën që pagat e policëve të dalin bashkë me shtesat e tyre për rrezikshmërinë.

Derisa edhe ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se shtesa do të jetë për disa kategori të caktuara që i ekspozohen rrezikut.

“Shtesa e rrezikshmërisë  është ritransformuar një pjesë e saj është përfshirë në pagë, dhe tani jemi në diskutim e sipër për kategori të caktuara që mund të përfitojnë pasi që ekspozohen proporcionalisht me rrezikun, momentin që vendoset ka edhe kompensim retroaktive”, kishte deklaruar ministri.

Mirëpo ende policët po vazhdojnë të marrin pagat pa këto shtesa dhe kjo ka vazhduar edhe këtë muaj.

Derisa Sindikata e Policisë së Kosovës kishte kërkuar që pagat e policëve të dalin bashkë me shtesat për rrezikshmëri qysh në muajin mars.

Madje Sindikata e Policisë në muajin maj pasi pagat sërish i’u vendosën pa shtesa kishin paralajmëruar edhe veprime sindikale.

“Shtesat e rrezikshmërisë prej që kanë filluar të paguhen pagat me ligjin e ri të pagave, nuk i kanë ekzekutuar për Policinë e Kosovës, asnjë muaj, edhe pse kanë premtuar çdo muaj. Ne kemi lëshuar një komunikatë për media dhe i kemi bërë me dije Qeverisë që nëse edhe këtë muaj, me pagën e muajit maj, nuk do të ekzekutohen, do të fillojmë me veprime sindikale. Jemi duke u përgatitur, të shohim se si do t’ia dalim”, kishte deklaruar, kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri.

Derisa policët po vazhdojnë të jenë edhe në rrezik për jetën, qeveria ende nuk ka arritur ta përmbushë premtimin për shtesat e rrezikshmërisë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?
-Advertisement-

Të tjera