Lajme

Mashtrim me subvencione: Ngritet aktakuzë ndaj katër inspektorëve të Ministrisë së Bujqësisë dhe përfitueses së grantit

Autori: Gazeta inFokus 14:24 | 25 January 2024

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave për shkak të mashtrimit me subvencione.

Bëhet e ditur se katër prej tyre në cilësinë e personave zyrtar, si inspektorë për kontroll në teren pranë AZHB-së, pas një marrëveshje paraprake dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme për personin tjetër, në këtë rast përfitueses së një granti, tani e pandehura M.D., në bashkëkryerje kanë përpiluar dhe prezantuar raporte të rrejshme tek organet kompetente.

Kështu, duke konstatuar se përfituesja e grantit, tani e pandehura “kinse” kishte plotësuar kriteret e kërkuara për subvencionimin e një granti për kultivimin e bletëve, ndërsa në realitet e njëjta nuk plotësonte kriteret e parapara ligjore, ngase nuk posedonte asnjë shoqëri (koshere) të bletëve, ku si rezultat i veprimeve nga personat e lartcekur, buxhetit të Republikës së Kosovës i janë shkaktuar dëme në shumën prej 11,753.30 €.

-Advertisement-

“Me këtë të pandehurit: A.Ç., A.H., L.K. dhe K.Z., si persona zyrtar në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, ndërsa përfituesja e grantit, e pandehura M.D., e ka kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione”, nga neni 324 paragrafi 1 të KPRK-së.

Po ashtu, ju njoftojmë se me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë, si dhe ka propozuar që të pandehurve të lartcekur t’iu ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike, si dhe t’iu shqiptohet dënimi plotësues, duke urdhëruar që të kompensojnë dëmin e shkaktuar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale të tyre”, njofton prokuroria.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera