Lajme

Mali i Zi dhe politika: Zgjedhje të reja apo qeveri të re?

Autori: Gazeta inFokus 11:22 | 27 September 2022

Kriza politike disamuajshe në Mal të Zi është intensifikuar nga një mosmarrëveshje e re mes presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe partive të bllokut pro-serb që mundën partinë e tij në zgjedhjet e dy viteve më parë, shkruan BBC në gjuhën serbe,.

Gjukanoviç nuk dëshiron të propozojë kandidat të propozuar bashkërisht nga partitë që e kundërshtojnë dhe kërkon shpërndarjen e Kuvendit, që do të nënkuptonte edhe zgjedhje të parakohshme.

Kundërshtarët e tij refuzojnë shpërndarjen e Kuvendit, ndaj edhe kanë paraqitur iniciativë që Kuvendi të votojë shkarkimin e Presidentit të Malit të Zi, përçka konsiderojnë se ai ka shkelur Kushtetutën duke mos i ofruar bllokut të tyre postin e kryeministrit.

-Advertisement-

“Kjo nismë ka rëndësi të caktuar politike dhe dyshoj se do të ketë një epilog kushtetues-juridik”, thotë avokati Stevo Muk nga Instituti Malazez i Alternativave.

Duke marrë parasysh gjendjen aktuale, Mali i Zi është në ngërç politik.

Nëse dikush nuk lëshon pe, Mali i Zi do të vahzdojë periudhën e paqëndrueshmërisë së thellë politike.

“Pastaj lind krizë kushtetuese dhe politike, të ngjashme me të cilat as praktika politike dhe as kushtetuese nuk i ka njohur,” tha Muk për BBC në serbisht.

Mali i Zi aktualisht drejtohet nga kabineti i Dritan Abazoviç në mandat teknik.

Ai kishte mbështetjen e partisë së presidentit malazez Milo Gjukanoviç, por e humbi pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe.

Abazoviç ishte pjesë e koalicionit që mundi Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Gjukanoviçit në zgjedhjet e vitit 2020, por më pas mori pjesë në ndryshimin e qeverisë së koalicionit në të cilin ishte dhe me mbështetjen e partisë së Gjukanoviçit u bë kryeministër.

Tani ai përsëri po bashkëpunon me partitë me të cilat së bashku e mposhti Gjukanoviçin dhe ata propozuan një kandidat tjetër – Miodrag Lekiç, ish-ambasador i RF të Jugosllavisë dhe kundërshtar i gjatë i presidentit malazez.

Gjukanoviç refuzoi ta propozojë Lekiçin si kandidat, duke deklaruar se nuk kishte marrë nënshkrimet e numrit të nevojshëm të deputetëve që e mbështesnin, si dhe se katër partitë që, ndër të tjera, deklaruan se përbëjnë shumicën nuk iu përgjigjën thirrjes për konsultime.

“Nuk pata përshtypjen se ekziston një shumicë e qartë që do të mund të formonte një qeveri që do të ofronte zgjidhje për probleme shumë të vështira në planin financiar, ekonomik, juridik, institucional dhe politik”, tha presidenti i Malit të Zi.

Kundërshtarët u përgjigjën me iniciativë që Kuvendi të votojë shkarkimin e tij.

Seanca parlamentare ku duhet të shqyrtohet propozimi i Gjukanoviçit është caktuar për të premten, më 30 shtator.

Çfarë kërkon shumica parlamentare?

Partitë që e mbështetën Lekiçin për mandatin kërkojnë që kandidatit të tyre t’i jepet mundësia për të formuar qeverinë.

Ata pretendojnë se Gjukanoviç ka shkelur Kushtetutën sepse nuk i ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike, si dhe Lekiçin, të cilin e ka përkrahur shumica e deputetëve, në bisedimet për mandatin për përbërjen e qeverisë.

Prandaj, thonë ata, 41 nga 81 deputetë në parlament e kanë nënshkruar nismën për shkarkimin e presidentit.

Propozimi u nënshkrua nga deputetët e Frontit Demokratik, Mali i Zi Demokratik, Mali i Zi i Bashkuar dhe i Vërtetë, Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste (SNP), Lëvizja për Ndryshim (PzP) dhe CIVIS.

Në nismë thuhet se partitë nuk ishin të detyruara t’i dorëzonin presidentit nënshkrimet e deputetëve që mbështesnin zgjedhjen e kryeministrit dhe se presidenti ishte i detyruar të propozonte një përfaqësues brenda 30 ditëve nga rënia e qeverisë.

Presidenti nuk është i detyruar t’i japë mandatin një kandidati që ka mbështetjen e shumicës së deputetëve dhe nënshkrimet e tyre, shpjegon për BBC në serbisht Zlatko Vujovic nga Qendra malazeze për Monitorim dhe Hulumtim.

“Është praktikë e mirë, por jo kërkesë,” shpjegon ai.

Stevo Muk thotë se presidenti i vendit është ende i detyruar të propozojë një përfaqësues.

“Vetëkuptohet që ai mandat duhet t’i jepet atij që në periudhën e konsultimit është i bindur se ka shanset më të mira për të formuar qeverinë, pra për të marrë mbështetjen e 41 e më shumë deputetëve”, thotë Muk.

Kushtetuta, shton ai, nuk parashikon parakusht prej së paku 41 nënshkrimeve për formimin e propozimit për përfaqësues, “edhe pse një fakt i tillë do të tregonte pa mëdyshje se një person ka vërtet mbështetjen e një numri të mjaftueshëm deputetësh”.

Nga ana tjetër, vetëm Gjykata Kushtetuese – e cila nuk ka kuorum – mund të vendosë për kërkesën e partisë për shkarkimin e presidentit.

Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të përbëhet nga shtatë gjyqtarë, aktualisht ka vetëm tre.

Kushtetuta thotë se katër anëtarë janë të nevojshëm për kuorum.

Gjyqtarët e rinj propozohen nga Presidenti (dy gjyqtarë) dhe trupi kompetent punues i kuvendit (pesë gjyqtarë).

Iniciativa për shkarkim është legjitime, por ka pak mundësi që të përfundojë me largimin e Gjukanoviçit nga posti i kreut të shtetit, mendon Stevo Muk.

“Përveç shumicës parlamentare, duhet edhe shumicë e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të vërtetuar se presidenti ka shkelur Kushtetutën.

“Është e vështirë të besohet se përbërja aktuale e Gjykatës Kushtetuese, e cila tashmë është e cunguar, do të merrte një vendim të tillë”, tha avokati për BBC, raporton gazeta online Reporteri.net.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Abazoviç tha se nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjes së të paktën një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.

“Unë personalisht do të doja që të zgjidhen katër gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, kemi 19 kandidatë – dhe kam apeluar vazhdimisht tek të gjithë deputetët që të zgjedhin të paktën një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese për të rivendosur funksionalitetin e atij institucioni.

Milo Gjukanoviç u zgjodh president i vendit në vitin 2018 dhe mandati i tij përfundon në pranverën e vitit 2023.

Ai është në postin e presidentit për herë të dytë dhe për herë të parë e ka mbajtur atë nga viti 1998 deri në vitin 2002.

Ka qenë katër herë kryeministër i atij vendi.

Si zëvendësohet presidenti në Mal të Zi?

Nëse presidenti zëvendësohet para përfundimit të mandatit, do të thotë se ai vetë ka dhënë dorëheqjen, se pengohet të kryejë detyrat e presidentit ose është shkarkuar, siç parashikon Kushtetuta.

Procedurën e shkarkimit mund ta fillojë kuvendi me propozimin e së paku 25 deputetëve, nëse konsiderohet se presidenti ka shkelur Kushtetutën.

Ky propozim i dërgohet për deklaratë vetë presidentit, si dhe Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të vendosë nëse ka pasur shkelje të aktit më të lartë shtetëror.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese publikohet dhe i dorëzohet Kuvendit dhe Presidentit të Malit të Zi pa vonesë.

“Nëse presidenti ka shkelur Kushtetutën, kjo hap mundësinë për lëvizjen e radhës të Kuvendit për shkarkimin e presidentit me votim”.

“Megjithatë, Kuvendi nuk mund të votojë nëse Gjykata Kushtetuese nuk konstaton se presidenti e ka shkelur Kushtetutën”, shpjegon Zlatko Vujovic.

Çfarë kërkon Gjukanoviç?

Gjukanoviç ka refuzuar propozimin që Lekiç të jetë mandatar për përbërjen e qeverisë së re, me arsyetimin se nuk ka marrë nënshkrimet e 41 deputetëve, pra shumicën e nevojshme parlamentare dhe ka kërkuar shpërndarjen e Kuvendit, e cila do të ishte mënyra për të thirrur zgjedhje të jashtëzakonshme.

Do të ishin zgjedhjet e gjashta parlamentare në Mal të Zi që nga pavarësia e tij në 2006.

“Nuk ka rrugë tjetër kushtetuese përveç zgjedhjeve parlamentare,” u tha Gjukanoviç gazetarëve.

Me propozimin e tij kryetarja e Kuvendit, Danijela Gjuroviç, seancën e caktoi për të premten, më 30 shtator.

Nëse miratohet propozimi për shkurtimin e mandatit parlamentar, do të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, sqaron Muk.

Me iniciativën për shkarkimin e presidentit, deputetët nga ana tjetër po tentojnë që ato zgjedhje t’i shtyjnë, thotë Vujovic.

“Ata që kanë nisur iniciativën po bllokojnë zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese sepse nuk u pëlqen të bëhen zgjedhje”, shton ai.

Deputetët që përkrahën propozimin që Lekiç të formojë qeverinë e re, deklaruan se nuk do të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit.

Nga zyra e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi thanë për TV Vijesti se seanca parlamentare ku mund të fillojë zyrtarisht procesi i shkarkimit të Gjukanoviçit, ende nuk është caktuar për shkak se nuk kanë kaluar ende 10 ditë nga paraqitja e mocionit për shkarkim, por është është e mundur më së shpejti më 4 tetor.

Cfare tjeter?

Mali i Zi ka javë të tëra vendimesh të rëndësishme politike përpara tij.

Stevo Muk thotë se një nga mundësitë është që Kuvendi të miratojë iniciativën e presidentit, të shkurtojë mandatin dhe t’i hapë rrugë shpalljes së zgjedhjeve.

“Një mundësi tjetër është që Kuvendi të mos shkurtojë mandatin”.

Muk thotë se kjo do të ishte një situatë e paprecedentë në historinë politike të Malit të Zi. Në atë rast, ka dy mënyra.

“E para është se pas skadimit të 90 ditëve (afati që normalisht i jepet mandatarit për të formuar qeverinë), Gjukanoviç vendos të shpallë zgjedhje.

“Një tjetër mundësi është që Gjukanoviçi të hapë një proces të ri konsultimi dhe të propozojë një mandatar, pas së cilës afati 90-ditor për mandatarin për të formuar qeverinë përsëri kalon”, shpjegon Muk.

Nëse parlamenti voton për qeverinë do të vazhdojë të ushtrojë pushtetin deri në zgjedhjet e ardhshme të rregullta dhe nëse nuk merr mbështetje do të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme, shton kryetari i Bordit Drejtues të Institutit të Alternativave në Podgoricë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera