Majko: Kurti po bën detyrën si kryeministër, kërkohet vetëm koordinim me Perëndimin dhe NATO-n
Autori: Gazeta inFokus
08:36 | 27 September 2023
Ish-kryeministri i Shqipërisë, aktualisht deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po bën detyrën e tij, duke dashur të vendosë ligjshmërinë në të gjithë vendin.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Majko u shpreh se nga Kurti kërkohet vetëm koordinim me Perëndimin dhe NATO-n.
“Albini nuk është një politikan i rastësishëm, madje mund ta quash me plot gojën, një kafshë të mirëfilltë politike, por jo në sensin negativ, por në sensin pozitiv të komplimentit. Po ndjek një kurbë që ka të bëjë me një detyrë kryesore të kryeministrit të Kosovës, për kontrollin e territorit dhe vendosjen e ligjshmërisë. Albini, nga këndvështrimi i të qënurit kryeministër i Kosovës, po bën thjesht detyrën e tij. Në logjikën e një kryeministri i cili po kërkon të vendosë kontrollin, jo policesk, por ligjor në të gjithë territorin e Kosovës, këtu nuk ke pse të hysh në asnjë lloj debati, e bën mirë apo e bën keq. Të vetmen rezervë, që po diskutohet me Albinin, është koordinimi. Ky koordinim me Perëndimin, me NATO-n, është shumë i rëndësishëm. Shikoni se sa mirë po lëviz tani ingrazhi pas ngjarjes së rëndë që ka ndodhur, midis Perëndimit dhe Kosovës”, tha Majko.
“Mendoj që edhe kjo është pjesë e reflektimit të Albinit vetë dhe qeverisë së Kosovës, pas asaj mënyrë të gabuar, të dërgimit të trupave policore në komunat serbe. Nuk i tha njeri pse i çove, kërkuan koordinim. Në atë moment, po të mos kishin ndërhyrë trupat e NATO-s, do të bëhej masakër”, theksoi ai.
Me tej, Majko tha se Kosova është parësore në politikën e jashtme të Shqipërisë. Ai u shpreh se Shqipëria ka një karrige në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, çka e bën atë të rëndësishme për të ndërhyrë dhe për t’i qëndruar në krah Kosovës.
Sipas Majkos, midis kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit Albin Kurti, nuk ka kimi.
“Mendoj se të paktëm janë dy arsye, që e bëjnë Edi Ramën të sillet si danez, ose gjysmë danez. Së pari, Shqipëria sapo ka marrë një rol sa i përket çështjes së integrimit evropian në rajon. E dyta, Shqipëria ka një status të ndryshëm nga të gjitha vendet e rajonit, ka një karrige në Këshillin e Sigurimit. Të dyja këto elemente, nuk e bëjnë Shqipërinë më pak të rëndësishme apo më pak të tërhequr. E bëjnë atë të rëndësishme të ndërhyjë në momentin e duhur, duke pasur këto dy mekanizma, për t’i qëndruar në krah Kosovës. Por që Shqipëria në këto momente është totalisht në krah të Kosovës, në Prishtinë shkuan pas ngjarjes ministri i Brendshëm dhe i Jashtëm. Mendoj që kjo është pasardhja e një krize që ndodhi me mos realizimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
Nuk është sekret të thuhet që midis Ramës dhe Albinit nuk ka kimi, ose nuk ka kiminë që kanë pasur kryeministrat e mëparshëm. Shqipëria në këto momente, ka alfën dhe omegën e politikës së saj të jashtme, ka Kosovën”, theksoi ai.
Majko, duke folur për ngjarjen e fundit në veri të Kosovës, ndër të tjera tha se ajo që ndodhi me humbjen e jetës së policit të Kosovës ka sjellë një efekt domino dhe tanimë kriza nuk është në Prishtinë, por në Beograd.
“Ajo që ndodhi me humbjen e jetës së policit të Kosovës, ka sjellë një efekt domino. Duket sikur kriza është në Prishtinë, por nuk është Prishtinë, është në Beograd” tha Majko.
Në lidhje me rolin e Shqipërisë, ndikimin e saj dhe marrëdhënien me Kosovën, Majko dhe se Shqipëria e bëri punën e saj duke dërguar dy ministra atje që sipas tij është një gjest i barabartë me shpalljen e një dite zie.
Më pas ai shtoi se në këto momente duhet të tregohemi të kujdesshëm me bashkëpunimin me Kosovës, pasi akuza kryesore e Serbisë në këto momente do të ishte “Shqipëria e Madhe”.
“Nuk ka patos nga pala shqiptare. Qeveria shqiptare bëri punën e vet, dërgoi dy ministrat atje, që është e barabartë me shpalljen ditën zie.
Tani që flasim shteti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës duhet të kenë një diferencë. Për mënyrën se si na shohin. Ku akuza kryesore që Serbia do të artikulojë në këto momente, për një mënyrë të ngjeshur të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës do të jetë “Shqipëria e Madhe”.
Gjuha e kujdesshme e Shqipërisë, pozita e saj në KSH, qenia në qendër të gjeneratorit të procesit të integrimit për Rajonin, ne na e ka dhënë golin edhe pa gjuajtur topin.
Mos merremi me atë që duket, ndonjëherë që ajo që nuk duket ka më shumë rëndësi në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Dihet që zinë, por e përjetojnë në të gjithë ato vende ku ka shqiptarë, pa ulur flamurin në gjysmë shtizë dhe kjo ka shumë rëndësi, sepse ata po rikrijojnë veten e tyre” shtoi Majko.

T� tjera
-
Oda Ekonomike e Kosovës mirëpret sistemin e pagesave të shpejta TIPS-K
Oda Ekonomike e Kosovës ka mirëpritur fillimin e zbatimit gradual të Sistemit...
-
Vita kundërshton rezultatet e AUV-it: Analizat në Bullgari tregojnë se aflatoksina në qumësht është nën kufirin e lejuar
Qumështorja “Vita” ka reaguar lidhur me rezultatet e publikuara nga Agjencia ...
-
Vrasja e Arlinda Zekajt në Pejë, arrestohen vjehrra dhe kunati nën dyshimin për shtytje në vrasje!
Zhvillime të fuqishme në hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë. Në mes...
-
Abdixhiku: Ju kam thënë, mos i dëgjoni sulmet ndaj LDK-së dhe deklaratat për vrasjet politike nuk ndalen
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ...
-
OKB: Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vra*në nga partnerët ose familjarët më 2025
Rreth 47 mijë gra dhe vajza në mbarë botën u vranë nga partnerët e tyre ose a...
-
Forcohen lidhjet ushtarake mes Kosovës dhe Shqipërisë
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim J...
-
Fermerët vendorë i “shkel” importi – 50 milion kilogram qumësht e produkte të tij erdhën në Kosovë vetëm brenda këtij viti – ndikim pati edhe një vendim i Armend Mujës
Miliona kilogram qumësht e produkte të tij po importohen në Kosovë derisa pro...
-
“Ne të duam mami”, dy djemtë e Liridona Ademaj kërkuan që bluza me emrat e tyre të vendosej mbi varrin e saj
Leutrim Syla, avokat i familjes së Liridona e Ademajt ka reaguar pasi Gjykata...
-
“T’budallëm bre”, Mustafa reagon ndaj etiketimit të bashkëpunëtorëve të Ibrahim Rugovës si “UDB-sha”
Deputeti i Lidhje Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka reaguar lidhur m...
-
Presidentja Shiroka-Pula viziton FSK-në
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka zhvilluar sot vizitën e saj t...
-
“Dita e Forcës”, FSK-ja hap dyert për qytetarët më 27 nëntor
Forca e Sigurisë së Kosovës do të organizojë më 27 nëntor aktivitetin tradici...
-
Haxhiu takohet me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, diskutojnë për avancimin e Kosovës drejt BE-së
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, ka pritur në takim shefen e re të Zyrës Nd...


































