Lajme

Lunacek: Bëjeni shpejt Qeverinë, ratifikojeni Demarkacionin

Autori: Gazeta inFokus 16:40 | 12 June 2017

Nënkryetarja e Parlamentit Europian dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, kërkoi nga partitë politike në Kosovë që të punojnë shpejt në formimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e djeshme.Lunacek uroi qytetarët e Kosovës për zgjedhjet të cilat tha se “në përgjithësi ishin të organizuara mirë dhe funksionale”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte i suksesshëm në organizimin e këtyre zgjedhjeve të parakohshme në një periudhë të shkurtër kohore. Gjithashtu deklaroj me kënaqësi se shumica e procesit ka ndodhur në një atmosferë paqësore.

Kjo është inkurajuese për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik të Kosovës. Po ashtu mirëpres pjesëmarrjen në rritje të komunitetit serb të Kosovës si shenjë pozitive të angazhimit të tyre të mëtejshëm me institucionet e vendit, edhe pse ndodhën akte të ndryshme të frikësimit ndaj kandidatëve të komunitetit serb të Kosovës në konkurrencë me Listën Serbe”, tha Lunacek.

-Advertisement-

“Por sot fushata zgjedhore ka mbaruar, sot puna për të mirën e vendit dhe qytetarëve të saj duhet të fillojë përsëri. Prandaj u bëj thirrje partive të Kosovës që të formojnë shpejt një qeveri për të trajtuar sfidat e ndryshme dhe për të vazhduar rrugën e Kosovës në BE.

Qeveria e ardhshme duhet të fokusohet në krijimin e kushteve më të mira ekonomike dhe sociale, si dhe të punojë më shumë në arsim dhe shëndetësi. Kjo është ajo që qytetarët kërkojnë! Kjo është ajo që miqtë e Kosovës në BE duan për qytetarët e Kosovës”, shtoi ajo.

Sipas Lunacek, qeveria e kaluar dhe Kuvendi i Kosovës kanë humbur shumë kohë gjatë viteve të fundit sidomos në dy kërkesat e mbetura për liberalizimin e vizave të cilat “mund dhe duhet të përmbushen së shpejti nga Kosova”.“Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është një domosdoshmëri si dhe përmirësimi i bindjes për nivelin e lartë të korrupsionin dhe krimit të organizuar.

Qeveria e ardhshme duhet të sigurojë një rezultat të mirë të procesit të liberalizimit të vizave në mënyrë që të hapë rrugën për udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Lunacek.

“Këtë javë Parlamenti Evropian (PE) do të miratojë gjithashtu raportin tim për përparimin e Kosovës drejt BE-së. Ky votim do të dërgojë edhe njëherë një sinjal të fortë se e ardhmja e një Kosove të pavarur qëndron në Bashkimin Evropian. Partive dhe politikanëve të Kosovës u kërkohet urgjentisht që t’i përgjigjen këtij sinjali nga PE në një mënyrë konstruktive dhe me frymë europiane”, tha ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera