Lajme

Lugina mesazh Tiranës e Prishtinës – 70 % papunësia e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Metvegjë  

Autori: Gazeta inFokus 11:57 | 03 July 2017

Në organizim të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturorë – Preshevë, në sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës është mbajtur konferenca shkencore rajonale me titullin “Çështja e Luginës së Preshevës në dimensionin rajonal dhe ndërkombëtar: Të drejtat e njeriut, siguria dhe marrëdhëniet shqiptare – serbe”, raporton portali Infokusi.

Konferenca u organizua në tri sesione te ndryshme, ku referuan më tepër se dhjetë studiues, profesorë e profesionistë fushash të ndryshme dhe të cilët trajtuan një mori aspektesh relevante për Luginën e Preshevës nga perspektiva e politikës, ekonomisë, historisë, sigurisë, dhe të drejtave të njeriut, me përqendrim të veçantë te standardet evropiane dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e grupeve jo-shumicë.

Pjesemarrës në konferencë ishin profesorë dhe studiuesë nga Prishtina, Tirana, Struga dhe qendra të tjera rajonale. Secili nga tre sesionet e konferencës është shoqëruar me diskutime dhe debate nga të pranishmit.

-Advertisement-

Pjesëmarrësit, siç raporton gazetari i portalit Infokusi nga Presheva, vunë në dukje dukurinë shqetësuese të zhvendosjes së vazhdueshme të popullsisë shqiptare nga tri komunat e Luginës së Preshevës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë), si rezultat i mungesës së perskeptivës ekonomike dhe sociale, por edhe problemeve të tjera që karakterizojnë këtë rajon shqiptar.

Me një nivel papunësie më të lartin në Serbi (rreth 70 % në Preshevë, Bujanoc e Metvegjë), gjendja në Luginë kërkon ndërhyrje dhe vëmendje të veçantë si nga autoritetet lokale dhe ato shtetërore, ashtu edhe nga autoritetet qeveritare në Kosovë dhe Shqipëri. Në këtë drejtim, u theksua tradita dhe resurset që Lugina e Preshevës ka, sidomos në fushën e bujqësisë, të blegtorisë, vreshtarisë, por edhe të potencialit për turizëm.

Të pranishmit, gjithashtu, kërkuan respektim të plotë të Marrëveshjes së Konçulit, duke kërkuar ulje të pranisë ushtarake të forcave serbe në këtë rajon, si dhe theksuan nevojën për rikthimin e kompetencave administrative dhe gjyqësore që më parë kanë pas komunat në Luginë, sidomos rikthimin e Gjykatës në qytetin e Preshevës.

Një problem i vazhdueshëm që preokupon banorët e Luginës është mosvazhdimi i procesit të njohjes së diplomave të të rinjëve që përfundojnë studimet në Republikën e Kosovës. Në përgjithësi, diskutuesit në konferencë theksuan nevojën për vëmendje dhe kujdes më efektiv, jo vetëm deklarativ, nga ana e Qeverive në Prishtinë dhe Tiranë, si dhe nevojën për një trajtim sa më simetrik ose të barbartë të shqiptarëve në Luginë me atë të serbëve dhe grupeve të tjera jo-shumicë në Kosovë.

Në këtë drejtim, është theksuar fakti se si asnjë përqindje të hyrave që grumbullohen nga taksat në pikat kufitare në Luginë të Preshevës nuk alokohet për nevoja të banorëve të këtyre komunave për dallim prej rastit të komunave serbe në veri.

Të pranishmit në konferencë u pajtuan rreth nevojës për të vazhduar diskutime të ngjashme edhe në të ardhmen, me prani edhe më të gjerë dhe edhe në kryeqendra të tjera rajonale. /INFOKUSI

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera