“Lufta” në LDK për të parin e partisë
Autori: Gazeta inFokus 08:57 | 02 March 2021
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka konfirmuar tashmë se do ta mbajë Kuvendin zgjedhor më 14 mars. Në këtë Kuvend zgjedhor do të zgjidhet kryetari i ri i partisë, si dhe organet e tjera drejtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
E kur kanë mbetur edhe pak ditë deri tek zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së partisë, në këtë subjekt tashmë kanë filluar “përplasjet” në distancë mes zyrtarëve të LDK-së.
Shkëndija e gjithë kësaj ishte kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili publikoi një fotografi me kandidatin e mundshëm për kryetar të LDK-së, Kujtim Shala, gjë e cila nuk u pranua mirë nga krahu i Lutfi Hazirit.
Këta të fundit, drejtuan akuza të rënda ndaj kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti, madje edhe duke i lënë tërë përgjegjësinë për rezultatin e dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit, ku Lidhja Demokratike e Kosovës pësoi rezultatin më të dobët që nga themelimi i saj.
Njohësit e çështjeve politike, situatën e krijuar me rezultatin zgjedhor e konsiderojnë si pasqyrën më të mirë për problemet e brendshme organizative, me të cilat po ballafaqohet Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kurse, të tjerët janë të mendimit se derisa tensionet që shoqërohen me “përplasje” të taborëve të pretendentëve, nuk kalojnë kufijtë konvencional dhe nuk degradojnë në gjuhë fyese, janë normale dhe në kuadër të “lojës” korrekte.
Veprimtari i LDK-së: Akademik Kujtim Shala, kandidatura unike për kryetar të LDK-së
Veprimtari i hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Bajraj, është shprehur se Kujtim Shala është kandidatura ideale për postin e të parit të LDK-së.
Bajraj për “Bota sot”, ka deklaruar se Shala është nevojë imediate dhe për më tepër si refleksion në përgjigje për problemet dhe rezultatin e dobët në zgjedhjet e fundit.
“Kujtim Shala gëzon simpatinë, besimin dhe mbështetjen ekzemplare të brezave të LDK-së, strukturës, forumeve dhe organeve të saja dhe para së gjithash dhe mbi të gjitha, gëzon mbështetje unike dhe vlerësimin qytetar, si personalitet dhe autoritet i pakontestueshëm i dijes dhe shkencës, dhe me integritet e dinjitet sublim-Rugovian. Gjithandej, dje, sot dhe në ditët në vijim, për kandidaturën e akademikut, Kujtim Shala, për të parin e LDK-së, bëhet jehonë e fuqishme si një nevojë imediate dhe përtej dëshirës, për më tepër si refleksion në përgjigje të një konteksti objektiv politik të krijuar në LDK, pas dorëheqjes së kryetarit aktual, akademik Isa Mustafa dhe paralajmërimit të 14 marsit si ditë dhe datë kur do të mblidhet kuvendi dhe do të zgjidhet kryetari i ri i saj”, ka thënë ai.
Ai konsideron se animoziteti dhe tensionet që shoqërohen me “përplasje” lojale të taborëve të pretendentëve, derisa nuk kalojnë kufijtë konvencional dhe degradojnë në gjuhë fyese, janë normale dhe në kuadër të “lojës” korrekte e cila në instancën e fundit, që sipas tij, ka për qellim shfaqjen e preferencave duke sjellë në sipërfaqe epërsitë e njërit apo tjetrit kandidat potencial.
“Në këtë kontekst, lakimi i emrave pretendentë për pozitën e kryetarit sa vjen dhe shtohet, fakt ky që flet për një atmosferë garuese të një demokracie partiake të konsoliduar tanimë në LDK dhe kulturën e saj të kultivuar dhe artikuluar qartë në proceset e brendshme zgjedhore dhe jo vetëm. LDK, tanimë e ka bërë edhe traditë dhe kulturë politike drejtimin e saj, nga bota akademike, përkatësisht nga njerëz dhe profile të realizuara jo vetëm në aktivitetin partiak politik, por edhe në fushat e dijes dhe shkencës, model edhe për tjerat “shoqe” në skenën politike të vendit dhe jo vetëm”, ka deklaruar Bajraj.
“LDK, duhet dhe i duhet të sjellë në krye të saj, kandidatët të cilët posedojnë, përveç vlerave të shprehura më lart, edhe tipare dhe veti që përshkojnë karaktere qendrestare në njërën anë, por edhe të organizuar e të dëshmuar në konsistencë dhe në promovim dhe respektim të rregullave, rendit dhe obligimeve statutare në frymën dhe kulturën politike të LDK-së, të latuara dhe skalitur në mbi tri dekada veprimtarie dhe funksionimi në dobi të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës”, tha ai.
Po ashtu, Bajraj ka treguar edhe se çfarë shkruhet në statutin e këtij subjekti.
“Në statutin e LDK-së, përveç tjerash, thuhet se: ‘8.2 Anëtari i LDK-së ka për detyrë: T’i përmbahet programit dhe statutit të LDK-së; – T’u përmbahet vendimeve dhe synimeve programore të LDK-së; Të ruajë nderin, autoritetin dhe interesat e LDK-së. Përkundër respektit dhe konsideratës sime të jashtëzakonshme për kontributin e Anton Qunit dhe Lutfi Hazirit, në promovimin dhe sukseset e LDK-së, për të mirën e vendit dhe në të gjitha periudhat dhe etapat e zhvillimit, si kandidat-pretendent për të parin e LDK-së, përveç dija akademik-shkencore si epërsi e cila bënë diferencën për Kujtim Shalën karshi Hazirit e Qunit, edhe konsistenca dhe respektimi i statutit të LDK-së nga ana e këtyre të fundit le për të dëshiruar. Anton Quni, për arsyet tanimë të ezauruara në media, në disa raste nuk ka respektuar vendimet e organeve të partisë, pra nuk ka votuar në më shumë së një rast, ato vendime të cilat janë detyrim për secilin LDK-ist, dhe për të cilat asnjëherë nuk ka tërheq konsekuencat si pasojë, por ky fakt, sikur i bënë skeptik mbështetësit e Qunit për t’i besuar drejtimin e LDK-së deri në zgjedhjet e brendshme të saj të cilat mbahen në çdo katër vite”, u shpreh veprimtari Bajraj.
“Haziri ka kaluar “rubikonin”, me idenë e rrezikshme të shkëmbimit të territoreve”
Sa i përket Lufti Hazirit, veprimtari Bajraj ka treguar se ky i fundit ka shfaqur mosbesim ndaj Qeverisë Hoti dhe vërejtjet pa sens, gjë të cilat e rëndojnë kryetarin aktual të Gjilanit.
“Haziri, edhe pse asnjëherë nuk ka kundërshtuar amplifikimin dhe jetësimin e vendimeve të organeve të LDK-së, edhe pse hapur ka shfaqur mendimin ndryshe si vlerë e kultivuar dhe e promovuar në LDK, megjithatë, herë pas here, ka kaluar “rubikonin”, me idenë e rrezikshme të shkëmbimit të territoreve dhe të cilën edhe pse larg asaj të ish presidentit Thaçi, megjithatë, ka lënë një shije të keqe në LDK dhe në Kosovë për çfarë edhe ka cenuar reputacionin personal në LDK dhe besimin për ta drejtuar atë si lider i zgjedhur. Së fundi, Haziri, e rëndon edhe fakti i shprehur publikisht nga ana e tij, për mosbesim ndaj Qeverisë Hoti dhe vërejtjet pa sens për promovimin e kryeministrit Hoti në dialogun e Brukselit me Serbinë”, ka shtuar me tej Bajraj.
E, për ta ruajtur kohezionin, Bajraj ka theksuar se kryetari i ri i këtij subjekti duhet të jetë i uruar dhe i mbështetur nga kundërkandidatët, dhe anëtarësia e LDK-së.
“Kuvendi i LDK-së, do të mblidhet me 14 mars 2021 dhe do të aprovojë dorëheqjen e kryetarit Mustafa dhe akëcilit të interesuar, si dhe në të njëjtin do të zyrtarizojë kandidaturat potenciale për kryetar, konform statutit të LDK-së si akt themelor dhe natyrisht nga më shumë kandidat dhe me votim të fshehtë do të zgjidhet kryetari i ri i LDK-së, duke marrë bekimin dhe besimin e kuvendit dhe të anëtarësisë”, është shprehur ai.
“Përkundër preferencave dhe përtej tyre, kandidati i cili merr besimin në një garë të lirë dhe të barabartë, duhet të jetë i uruar dhe i mbështetur nga kundërkandidatët, anëtarësia e LDK-së, dhe të gjithë votuesit besnik të saj të cilët e mbështetën LDK-në në gjithë rrugëtimin e saj në liri-bërje dhe në shtet-ndërtim. Një frymë e tillë konstruktive, do ruante kohezionin e brendshëm dhe premisat për fuzionim të saj do rrisnin shanset për kthimin e të gjithë atyre që votuan kundër saj duke u radhitur në “armatën” e të “dëshpëruarve” në votimin e ambalazhuar për “ndryshim””, ka theksuar veprimtari i LDK-së, Fatmir Bajraj.
“Lufta” për kreun e LDK-së ka filluar shumë më herët
E, nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka bërë me dije se “lufta” për pozitën e kryetarit kishte filluar shumë para zgjedhjeve, dhe sipas tij, suksesi zgjedhor nuk ishte prioritet i të gjithëve.
“Vet situata e krijuar me rezultatin zgjedhor në LDK, tregon se kjo parti që moti ka probleme të brendshme organizative, të cilat në procese zgjedhore mundohen t’i mbulojnë, por që sipërfaqja e mungesës së punës ekipore reflekton në rezultate të dobëta elektorale. Edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk ishte ndryshe. Klima ekipore dhe bindja për një darë dhe sukses të përbashkët, nuk shihej askund. Mua më kujtohet një deklaratë e Lutfi Hazirit që në fillim të fushatës, ku i njëjti në vend që të jepte deklarata motivuese për rezultat të mirë zgjedhor, bënte thirrje për përgjegjësi pas zgjedhjeve, gjë që nënkupton se lufta për pozitën e kryetarit kishte filluar shumë para zgjedhjeve dhe suksesi zgjedhor nuk ishte prioritet i të gjithëve”, ka thënë analisti Duhanaj.
Analisti Duhanaj ka bërë me dije se nëse kjo parti edhe kësaj here nuk arrin të dalë me një kryetar dhe konsensus të përgjithshëm nga ky proces, thekson se nuk do të befasohej që në të ardhmen LDK-ja të bëjë edhe luftë për ekzistencë.
“Është vërtetë e dhimbshme se si një parti kaq e madhe, ka rënë në një gjendje të tillë. Edhe më e dhimbshme është përpjekja për t’i shfrytëzuar aktivistët e rendit të dytë e më poshtë e interesa të vijës së parë e assesi të partisë në përgjithësi. LDK, nëse edhe kësaj radhe nuk arrin të dalë me një kryetar, Kryesi dhe konsensus të përgjithshëm nga ky proces, nuk do me befasonte nëse brenda këtij subjekti në të ardhmen do të jetë e nevojshme lufta për ekzistencë”, ka thënë krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj për “Bota sot”.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...