Lajme

Lladrovci i del në mbrojtje Kurtit: Nuk nënshkruan asnjë dokument ku nuk parashihet njohja e Kosovës nga Serbia

Autori: Gazeta inFokus 10:20 | 10 November 2022
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci  ka folur për zhvillimet e fundit, që po ndodhin në veri të Kosovës.

Lladrovci thotë se është i shqetësuar për këtë situatë, por nuk pret përshkallëzim sepse siç thotë ai, bashkëpunimi me aletët tanë është letra jonë më e fortë.

“Jam i shqetësuar me lehtësinë e zhvillimit të disa ngjarjeve që kanë mundur të shmangen. Një gjë duhet të jetë e qartë, zbatimi i ligjit nuk ka alternativë, por, as miqësia me ShBA-në, nuk ka alternativë. Në mes të këtyre dy qëndrimeve, u shfaqën disa të papritura. Nuk pres eskalim të situatës. Probleme në veri mund të sjell ndonjë qytetar i painformuar që nuk e di se NATO dhe KFOR-i janë garantues të paqes dhe sigurisë në Kosovë. Bashkëpunimi me aleatët tanë historik është ende letra jonë e fortë, prandaj nuk pres shqetësime serioze”, thotë Lladrovci.

Për zhvillimet e fundit në veri, Lladrovci ka komentuar edhe çasjen e kryeministrit Kurti me ndërkombëtarët.

-Advertisement-

“Konsideroj se narracioni i Kryeministrit ndaj ndërkombëtarëve duhet parë nga viti 1997 e këndej. Ka konsistencë për të qenë kundër rrymës, pritjeve dhe rekomandimeve që dalin nga rrethanat e krijuara nga të tjerët apo ku qëndrojnë të tjerët. Këtu është origjinal, por, kjo, në raportet me aleatët, jo gjithmonë sjell sukses. Ata që janë më lartë, apo më të fortë, kanë edhe sy më të fort dhe shohin më larg”, tha Lladrovci.

Teksa ka folur për takimin e fundit të Kurtit me opozitën, ku këta kritikuan kryeministrin për plane jo konkrete.

Lladrovci thotë se nga Qeveria Kurti, jo vetëm opozita janë të dëshpëruar, por edhe qyetarërt.

Në atë takim mes Kurtit e opozitës, sipas Lladrovci mungoi shpalosja e planit B dhe C në takim, përtej ndodhive aktuale.

“Pritjet e opozitës por edhe të qytetarëve në këtë situatë ndaj Qeverisë janë të mëdha, andaj, jo vetëm opozita doli e dëshpëruar nga takimi. Munguan argumentet përtej atyre që po i japin disa deputetë të thekur të pozitës rreth „dinjitetit“, „guximit“ e demagogjisë rreth trimërive të vonuara. Mungoi shpalosja e planit B dhe C në takim, përtej ndodhive aktuale. Konsideroj se opozita në këto momente nuk mund të jetë kundër ekzekutivit të vet, aq më pak të dëshmuarit në procesin e shtetformimit e shtetndërtimit”, thotë Lladrovci.

Lladrovci për planin e propozuar franko-gjerman, thotë se Kurti nuk e pranon këtë draft pa njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

“Disa aspekte të interesit tonë, janë prezantuar në këtë draft me 300 fjalë, por, askund nuk e pash të trajtuar çështjen thelbësore, njohjen e ndërsjellë, njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë. Nuk e besoj se Kryeministri Kurti e pranon këtë draft pa njohjen e Pavarsisë së Kosovës. Njohja nga Serbia nuk duhet lënë gur rreth qafe për gjeneratat që e gëzojnë dhe do ta trashëgojnë Republikën e Kosovës”, përfundoi Lladrovci për GazetaBlic.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera