Sport

Liga e Evropës – Skënderbeu pret Young Boysin, në fushë edhe Milani dhe Arsenali

Autori: Gazeta inFokus 13:51 | 28 September 2017

Luhen sot ndeshjet e javës së dytë të fazës së grupeve të Ligës së Evropës.

Padyshim vëmendja më e madhe e tifozërisë shqiptare do të jetë te sfida që do të luhet në “Elbasan Arena” mes Skënderbeut dhe Young Boys.

Skuadra korçare do të kërkojë që të mos i zhgënjejë tifozët e saj, të cilët do të jenë të shumtë në stadium për ta mbështetur për të marrë pikët e para në këtë edicion të kompeticionit.

-Advertisement-

Do të jetë gjyqtari holandez Kevin Blom ai që do të vendosë drejtësinë në këtë sfidë të Skënderbeut, e cila do të transmetohet në paketën televizive “Supersport”, ashtu sikurse edhe ndeshjet e tjera të Ligës së Evropës.

Ndërkohë, sfida tjetër e grupit tonë në Ligës së Evropës është ajo që do të luhet në Serbi mes Partizanit të Beogradit dhe Dinamos së Kievit.

Do të zbresin sot në fushën e lojës edhe Arsenali e Milani. Skuadra londineze do të kërkojë fitoren e dytë në Grupin e tij dhe përballë tij do të ketë skuadrën bjelloruse të BATE Borisov.

Për këtë sfidë, trajneri Wenger nuk e ka përjashtuar mundësinë që të aktivizojë të riun Maitland-Niles për të cilin sheh një të ardhme të ndritur te “Topçinjtë”.

Ndërsa Milani do të presë në “San Siro” skuadrën e Rijekës, transmeton TCH.

Skuadra e Montella-s nuk po përjeton momentin më të mirë dhe kritikat në drejtim të saj janë shtuar sidomos pas humbjes me Sampdorian në kampionat.

Kuqezinjtë që në javën e parë shkatërruan 5-1 Austrinë e Vjenës do të kërkojnë që të marrin 3 pikët e radhës për të fituar edhe më shumë moral që do t’u shërbejë në ndeshjen e radhës në kampionat. Mes ndeshjeve interesante të kësaj javë të Ligës së Evropës janë edhe Zenit-Real Sociedad, Lyon-Atalanta apo edhe Lazio-Zulte Warengem.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera