Lajme

LDK do të mbështesë Thaçin për udhëheqës të dialogut?

Autori: Gazeta inFokus 21:13 | 03 June 2018

Sa më shumë që po afron zyrtarizimi i mbështetjes ose jo të subjekteve politike për Platformën e Qeverisë për Dialogun, aq më shumë janë rritur spekulimet mediale në kurriz të presidentit Thaçi si kryenegociator dhe subjektit më të madh politik, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndonëse përfaqësues të këtij subjekti politik preferojnë të mos flasin publikisht, derisa të flasin zyrtarisht kryetari i LDK-së apo nënkryetarët, jozyrtarisht ata tregojnë që në përjashtim të një grupi të vogël, të gjithë të tjerët janë pro mbështetjes jo të Thaçit si politikan, por të Thaçit si president për kryenegociator.

“LDK është parti institucionaliste, që edhe pse mund të mos ketë respekt personal për shumëkënd për shkak të rivaliteteve politike, të tashme apo të kaluara, gjithmonë e ka ruajtur dhe e ka kultivuar respektin institucional. Prandaj, këto spekulime në kurriz të LDK-së nëse do ta mbështes apo jo Hashim Thaçin për kryenegociator janë dashakeqëse dhe me prapavijë politike. LDK edhe zyrtarisht, ndoshta jo nesër siç po spekulohet, por së shpejti do të dalë me qëndrimin zyrtar pro dialogut me Serbinë, sepse nuk ka rrugë tjetër që çon drejt normalizimit të raporteve. Ne mund të kërkojmë raportim më të shpeshtë të kryenegociatorit në Kuvendin e Kosovës apo ndonjë ndryshim, por bartja e këtij procesi u takon institucioneve dhe nëse jo Hashim Thaçi, të cilin ne e kemi zgjedh presidentit dhe që faktikisht i është ngarkuar ky rol edhe me platformën e qeverisë Haradinaj, pra nga vetë ekzekutivi, atëherë kush tjetër? Nuk trajtohet kjo çështje me mendësi fisnore e inate politike. Dialogu ka avancuar në nivel presidentësh dhe përfaqësimi i Kosovës duhet të jetë i njëjtë. Një bojkotim i dialogut është barrë e madhe për secilin subjekt politik, prandaj LDK-ja do ta mbështesë platformën për dialog, me disa kërkesa dhe plotësime shtesë, por meqë jemi opozitë nuk do të bëhemi pjesë e ekipit për arsye politike”, ka thënë një zyrtar i lartë i LDK-së për IndeksOnline.
Sipas tij, tashmë ekziston një konsensus i plotë që LDK do të përkrahë fazën e fundit të dialogut me Serbinë, kurse spekulimet po bëhen për ta dëmtuar LDK-në kur të dal me vendimin pro dialogut.

“Ne mund të mos i besojmë, bie fjala Thaçit apo Haradinajt, por i besojmë miqve tanë, siç janë SHBA-ja e Gjermania, prandaj LDK nuk del kundër qëndrimit të SHBA-së, BE-së dhe Gjermanisë. Pavarësisht këtyre spekulimeve apo kundërshtimeve të ndonjë deputeti, LDK do të jenë në një linjë me SHBA-në, BE-në dhe Gjermaninë. Pra, për ne nuk është shumë me rëndësi emri i atij që e udhëheq, sepse këtë çështje e sqaron Kushtetuta dhe vendos ekzekutivi i vendit, por është substanca, përmbajtja e këtij dialogu”, ka thënë ai.

-Advertisement-

Presidenti Thaçi, i cili ngarkohet më përgjegjësitë e kryenegociatorit edhe me Platformën e Qeverisë për Dialogun, javët e fundit ka vizituar pothuajse të gjitha qendrat e mëdha vendimmarrëse, ku dialogu Kosovë-Serbi ka qenë një prej temave kryesore të diskutimit të tij me liderët evropianë dhe botërorë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera