Lajme

LDK-ja propozoi 26 janarin datë për zgjedhje, Abdixhiku: Kosovës i duhet qeveri e re që parandalon zhbërjen e shtetit

Autori: Gazeta inFokus 16:35 | 31 July 2024

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shtjelluar detajet e takimit me presidenten Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se ka propozuar 26 janarin si datë të zgjedhjeve të ardhshme.

Ai ka insistuar se Kosovës i duhet një qeveri e re që parandalon zhbërjen e shtetit.

-Advertisement-

“Sot, me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, kam marrë pjesë në takimin konsultativ ndërpartiak, të thirrur për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta”, ka shkruar ai.

“Sipas afateve kushtetuese, konsultimet për datën e zgjedhjeve nisin nga 26 korriku; vetëm 3 javë larg datave të darkave joformale. Ky fakt, në vete, e bën, edhe një herë, përpjekjen e shpërbërjes së Kuvendit e kështu të heqjes së përgjegjësisë nga Qeveria populliste krejt të panevojshëm dhe të dëmshëm”, ka shtuar kryetari i LDK-së.

Ai ka sqaruar se në takim prezent ishin 13 parti të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës. Në takimin e thirrur nga Presidentja nuk morën pjesë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

“Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin pro-perëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme”, ka shkruar ai.

“Zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë! Si manifestim i demokracisë, si rikthim tek qytetari, si vlerë e shtetit tonë të ri, ato na vijnë në një moment kritik të vendit, të gjeneratave të tashme dhe atyre që vijnë. Prandaj dhe përbashkimi i së djathtës sot është thirrje për shpëtim! E ardhmja është e bukur”, ka shkruar Abdixhiku.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera