Lajme

LDK dhe AAK optimiste për vendim pozitiv me 13 tetor për vizat: Kosova ka përmbushur kriteret prej vitesh

Autori: Gazeta inFokus 19:27 | 11 October 2022

Të mërkurën dhe të enjten liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në agjendë në Komisionin Evropian.Me 12 dhe 13 tetor sipas njoftimit zyrtar, Grupi Punues për Vizat në kuadër të Këshillit Evropian do të shqyrtohet dokumenti.

Në anën tjetër plani fillestar ishte që grupi të mblidhet vetëm më 13 tetor, ndërsa të premten, me 14 tetor mblidhen ministrat e Punëve të Brendshme të Unionit.Për vendosjen e kësaj çështje në rend dite, deputetja e LDK-së, njëherësh kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, thotë se ky është lajm i mirë për Kosovën dhe se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Pa dyshim është një lajm i mirë për Kosovën vendosja në agjendë e çështjes së liberalizimit të vizave për vendin. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për lëvizje të lirë, kjo është konfirmuar tashmë edhe nga organizmat ndërkombëtar se qytetarët tanë meritojnë lëvizje të lirë në vendet e BE-së. Mbesim me shpresë se padrejtësia në raport me vizat të marrë fund sa më shpejtë për qytetarët tanë”, vlerëson Krasniqi.

-Advertisement-

Deputetja është optimiste që izolimi i qytetarëve të Kosovës do të marrë fund.

“Pritjet tona janë optimiste për sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave dhe duam të shpresojmë se do të marrë fund regjimi i vizave për qytetarët tanë, që padrejtësisht mbahen të izoluar”, thekson ajo për Gazeta Blic.

Krasniqi shton se sa më shpejt që hiqen vizat, aq më mirë do të jetë për Kosovën, teksa thekson se Komisioni që ajo udhëheq është angazhuar vazhdimisht për vizat.

“E ceka edhe më lartë, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara nga BE për lëvizje të lirë. Tani, sa më parë që të hiqen vizat është aq më mirë për Kosovën dhe popullin me pro-perëndimor në Ballkan. Dua të theksoj se Komisioni për Integrime Evropiane është angazhuar vazhdimisht për çështjen e vizave, edhe së fundmi gjatë qëndrimit në Bruksel kemi takuar përfaqësuesit e shumë vendeve të Parlamentit Evropian duke kërkuar mbështetje për lëvizje të lirë”, deklaron deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Në anën tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, njëherësh anëtare e Komisionit për Integrime, thotë se kushtet dhe kriteret për viza janë përmbushur në vitin 2018, derisa thotë se si komision janë angazhuar dhe kanë lobuar te eurodeputetët për liberalizimin e vizave.

“Për çështjen e liberalizimit të vizave Kosova i ka përmbushur kushtet dhe kriteret qysh në vitin 2018 dhe sigurisht ju i keni përcjellë komisionet për punë të jashtme dhe diasporë dhe atë për integrime, kanë qenë në vizitë njëjavore në Bruksel dhe kemi takuar shumë eurodeputetë dhe ne si delegacion kemi shprehur qëndrimet tona dhe normal kemi kërkuar që Kosova të ketë liberalizim të vizave dhe për shkak se shumë herë komisioni i Parlamentit Evropian e ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur kushtet dhe kriteret dhe siç është i njoftuar edhe opinioni i gjerë Kosova ka pasur më shumë kushte dhe kritere se të gjitha vendet e rajonit dhe që në vitin 2018 nga Komisioni i Parlamentit Evropian është dhënë rekomandim pozitiv, është votuar në Parlamentin Evropian sa herë me shumë votash dhe ne e kemi parë që kemi pasur vende skeptike dhe vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe që janë kundër procesit të liberalizimit të vizave”, thotë ajo.

Kadrijaj thekson se gjatë lobimit kanë parë optimizëm edhe te eurodeputetët e vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, derisa nga eurodeputetët është kërkuar që të lobojnë për Kosovën edhe te vendet skeptike për vizat.

“Ne e kemi parë një optimizëm në këtë drejtim gjatë takimeve me eurodeputetët të vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ne kemi kërkuar përkrahje nga ato vende por njëkohësisht kemi kërkuar lobim nga ata eurodeputetë edhe te vendet skeptike në mënyrë që Kosova të lëviz lirshëm dhe e kemi arsyetuar se Kosova është vend pro evropian dhe kërkesa e Kosovës është që të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe që ne nuk kemi alternativë tjetër dhe orientimi i Kosovës është të jetë pjesë e Evropës, e BE-së dhe normal që kemi kërkuar përkrahje në këtë drejtim, kemi kërkuar përkrahje edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare por edhe për lobim te 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në mënyrë direkte kemi marrë përkrahje, kanë qenë edhe supozimet e eurodeputetëve se ka qenë e padrejtë që Kosova të mbetet e izoluar dhe që Kosova ka përmbushur kushtet dhe kriteret qysh në vitin 2018”, vlerëson deputetja e AAK-së për Gazeta Blic.

Por, Kadrijaj thotë se nuk janë njoftuar për punën e Qeverisë për agjendën lidhur me vizat, teksa shton se nuk e di se çka do të ndodhë në takimet e dy ditëve të ardhshme, por që vlerëson se është sukses vendosja në rend të ditës.

“Është kërkuar nga eurodeputetët që të kemi një angazhim maksimal, po ashtu te Komisionet Parlamentari dhe Qeveria por fatkeqësisht nuk jemi njoftuar me punën e Qeverisë në këtë drejtim, por besoj që e kanë një agjendë të ngjeshur te vendet skeptike dhe duke dokumentuar se Kosova ka progres në të gjitha fushat, jo tash por ka pasur progres, d.m.th janë plotësuar kushtet dhe kriteret dhe ne nuk mund të themi saktë se çka do të ndodhë në takimin që do të mbahet nesër dhe pasnesër, është sukses që është vendosur në rend të ditës dhe të shohim tash se cilat do të jenë qëndrimet e vendeve të BE-së veç e veç”, deklaron Time Kadrijaj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera