Lajme

Latifi: Serbia po e kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim

Autori: Gazeta inFokus 10:08 | 08 December 2021

Pas tensioneve në konferencën e përbashkët në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell për Asociacionin ka reaguar edhe Profesori universitar Blerim Latifi, shkruan Gazeta Infokus.

Lidhur me këtë Latifi tha se Serbia po e kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim, madje as liberalizimin e vizave të premtuar qysh moti.

“Serbia e kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje nuk lë ditë pa e përmendur se nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk është dialog. As negociatë. Është diplomaci e forcës. Bashkimi Evropian, i mbetur në duart e burokratëve të pavlerë të Brukselit, kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje as liberalizimin e vizave të premtuar qysh moti, edhe përkundër faktit se sot Kosova qëndron më mirë në sundimin e ligjit se të gjitha vendet e rajonit.”, ka shkruar Latifi.

-Advertisement-

Tutje Latifi i ka quajtur këto si standarde të dyfishta duke shtuar se kjo platformë i shërben Serbisë në rrugën e integrimit evropian, derisa Kosovës nuk i garantohet asgjë në këtë drejtim.

“Standardet e dyfishta bëjnë pjesë në diplomacinë e forcës, në diplomacinë e të mbështeturit për muri. Ky dialog qartazi është shndërruar në një platformë që i shërben Serbisë në rrugën e integrimit evropian, derisa Kosovës nuk i garantohet asgjë në këtë drejtim”, ka shkruar Latifi.

Ai shtoi se është për rezistencë ndaj presionit që po na bëhet sepse vetëm ata që rezistojnë mund të fitojnë diçka.

“Në këtë pikëpamje unë jam për rezistencë ndaj presionit që po na bëhet. Sepse vetëm ata që rezistojnë mund të fitojnë diçka. Ata që ulin kokën dhe pranojnë gjithçka që u kërkohet, nuk do të marrin asgjë më shumë se fjalët e bukura, të cilat i merr era e parë që fryen”, ka shkruar Latifi./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera