Lajme

Largimi i festivalit Sunny Hill nga Prishtina shpërfaq pafuqinë e presidentes Vjosa Osmani përballë qeverisë së Albin Kurtit

Autori: Gazeta inFokus 10:28 | 15 June 2022

Festivali Sunny Hill këtë vit nuk do të mbahet në Prishtinë, por edicioni i këtij viti do të mbahet në Tiranë, shkruan Gazeta Infokus.

Lidhur me këtë zhvendosje pati reagime të shumta në media.

Alban Kastrati nga Republika Marketing Communications Agency përmes një postimi në rrjetin social ka treguar se pse është marrë një vendim i tillë për zhvendosjen e këtij festivali në kryeqytetin shqiptar.

-Advertisement-

Për mos mbajtjen e këtij festivali në Prishtinë, ai fajin ia hodhi Qeverisë duke thënë se për shkak të vonesave të shumta nga ana e ekzekutivit do të rrezikohej festivali tërësisht.

“Të dëshpëruar, këtë vendim jemi detyruar ta marrim për shkak të vonesave të shumta – deri në rrezikim të këtij edicioni të festivalit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërhyrjeve e kundërshtimeve të panevojshme politike lidhur me kërkesën tonë për përcaktimin e një hapësire publike për Sunny Hill Festival”, ka shkruar Kastrati.

Por, të njëjtën gjë nuk e tha edhe për presidenten Vjosa Osmani dhe të parin e Prishtinës, Përparim Rama të cilët i falënderoi duke thënë se kanë bërë gjithçka që ishte në fuqinë e tyre për ta mbajtur Festivalin Sunny Hill në kryeqytetin kosovar.

Gjithashtu, ai në këtë postim ka përmendur edhe sa të hyra do të sillte ky festival në Prishtinë dhe përfitimet tjera që do të ishin në favor të kryeqytetit kosovar.

“Kjo vonesë po vazhdon edhe sot, përkundër faktit se Sunny Hill sjell disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore në Prishtinë, krijon publicitet masiv për vendin tonë në tërë botën (vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar nga një edicion është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurove si dobi direkte për imazhin e shtetit), sjell deri në 10 milionë euro për ekonominë e kryeqytetit, si dhe promovon vlerat më të mira të kulturës, muzikës dhe rinisë tonë nëpër botë. Për më shumë, me dhjetëra mijëra njerëz ose mbi 50 për qind të pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga jashtë Kosovës”, ka thënë ai.

Madje Kastrati ka dhënë edhe disa arsye se pse “Sunny Hill” ka kërkuar hapësire të posaçme për të.

“Toka e papërdorur e Komunës do të bëhej PARK PUBLIK, me qasje të hapur për të gjithë qytetarët tanë…

Plani është që hapësirën aktuale (e cila është tokë djerrinë dhe e papërdorshme sot) festivali ta shndërrojë në PARK PUBLIK me qasje të hapur nga të gjithë qytetarët, gjatë gjithë vitit, përveç ditëve të nevojshme për
përgatitje dhe mbajtje të festivalit.

Për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara, ky opsion më nuk është i mundshëm, dhe Sunny Hill Festival mund të rikthehet në Prishtinë në vitet e ardhshme, kur mbështetja dhe përgatitjet për një edicion si ky i Tiranës që po bëhet, ndodhë edhe prej institucioneve në Prishtinë”, ka shkruar tutje ai./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera