Shëndetësi

Lajm i mirë, i infektuari me HIV kurohet tërësisht

Autori: Gazeta inFokus 15:37 | 13 March 2019

Në Britani, një pacient i infektuar me HIV është bërë personi i dytë në botë që rezulton i kuruar nga ky virus që shkakton Sidën. Në një konferencë në Siatëll, agjencia e OKB-së që drejton përpjekjet globale për të luftuar Sidën shprehu entuziazëm për këtë lajm.

Shkencëtarët prej 40 vjetësh përpiqen të gjejnë një kurë për virusin HIV dhe Sidën. Disa nga figurat shkencore të këtyre studimeve u shprehën se fakti që pacienti britanik është kuruar nga HIV-i është një sukses i madh:

“Kjo arritje na jep shpresë për të ardhmen, por gjithashtu na tregon se jemi ende shumë larg nga momenti kur shkenca të arrijë ta mundë këtë sëmundje. Prandaj ka shumë rëndësi t’u kushtojmë vëmendje masave parandaluese e mjekuese,” tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

-Advertisement-

Pacienti me HIV vuante edhe nga kanceri. Tani ai i ka ndërprerë ilaçet pasi rezulton i kuruar nga HIV-i falë transplantimit të qelizave embrionale për të luftuar kancerin. Qelizat u morën nga një person me një mutacion të rrallë gjenetik që e bën bartësin imun ndaj HIV-it.

“Pritëm 16 muaj pas transplantimit, para se të ndalnim ilaçet për t’u siguruar se kanceri nuk ishte aktiv, se pacienti ishte mirë dhe kur analizuam praninë e HIV-it në trup, ai kishte fare pak, thuajse aspak virus,” thotë mjeku Ravindra Gupta.

Mjeku nuk pranon ta cilësojë si kurë për sëmundjen, por thotë se është një arritje e rëndësishme. Ky është pacienti i dytë që rezulton i pastruar nga HIV-i pas një procedure të ngjashme me transplantim të qelizave embrionale. Pacienti i parë ishte një amerikan i mjekuar në Berlin 12 vjet më parë.

“Nëse transplanton qeliza embrionale tek një person që është prekur nga HIV-i, arrin të mbrosh qelizat e reja nga infeksioni,” thotë Dr. Gupta.

Por kjo metodë nuk ofron zgjidhje praktike për 37 milionë njerëz të prekur nga HIV-i në botë. Procedura është e kushtueshme dhe është vështirë të gjendet një dhurues i përshtatshëm me mutacionin e duhur gjenetik. Vetë procedura është mjaft e rëndë dhe e rrezikshme për pacientin.

“Transplantimi i palcës kurrizore është një proces shumë i komplikuar, pasi përfshin transferimin e një grupi qelizash tek pacienti që po mjekohet dhe gjatë periudhës që këto qeliza i përshtaten organizimit të ri pacienti është në rrezik infeksioni, madje edhe vdekjeje,” thotë Dr. Sarah Fidler.

Si pacienti i Berlinit, ashtu edhe ai i Londrës ishin në rrezik jete nga kanceri dhe nuk kishin rrugë tjetër. Suksesi me pacientin e Londrës ka zgjuar shpresa:

“Tani kemi arsye të besojmë se pacienti i Berlinit nuk ishte një rast unik. Kjo tregon se ka mundësi për ta luftuar, madje edhe për ta eliminuar HIV-in në një person të infektuar,” thotë Dr Rowenta Johnston, e cila përfaqëson një fondacion jofitimprurës për kërkime kundër Sidës.

Shkencëtarët do të vazhdojnë të kërkojnë mënyra të tjera për të kuruar HIV-in, por pacienti i Londrës ka dëshmuar se për momentin ekzistojnë mënyra për ta luftuar këtë virus.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera